Pasi qeveria shqiptare njoftoi vendimin për mbylljen e platformës TikTok për të paktën një vit, rrjeti social reagoi së fundmi në një deklaratë për Associated Press.
Të kontaktuar nga agjencia e lajmeve, përfaqësues të TikTok u përgjigjën duke theksuar se “nuk kishin gjetur asnjë provë që autori ose viktima kishin llogari në TikTok dhe raportime të shumta kanë konfirmuar se në fakt se videot që çuan në këtë incident ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok."
Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u propozua fillimisht nga kryeministri Edi Rama pas një mbledhjeje qeverie fill pas ngjarjes së rëndë të regjistruar pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani.
“Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e sigurisë fizike dhe digjitale në shkolla dhe impaktin që sjellin rrjetet sociale dhe angazhimi i fëmijëve ne kemi vendosur bllokimin e platformës “TikTok”, bazuar në një paketë masash që po punojnë Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Informacionit,” u shpreh ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu.