Aktori Gent Hazizi ka bërë një rrëfim mjaft të ndjerë në emisionin e Rozana Radit, “Një gotë Rose”.
Ai tregoi tragjedinë e jetës së tij, e cila lidhet me vetëvrasjen e të vëllait. Aktori ka treguar momentin që e ka parë të pajetë të ndjerin, ndërsa mes dhimbjes shprehu se ajo skenë është përjetësuar në mendjen e tij si një fotografi.
“E kam gjithmonë fotografi, me vëllain tim të shtrirë…që kishte një litar gjaku dhe mua më dukej sikur po t’ia hiqja do t’ia shkurtoja. Vrau veten, një tragjedi familjare, asokohe punonte… kishte armë, punonte në Drejtorinë e Dytë që quhej atëherë, nuk po merrem me detaje si ishte historia, por po merrem me veten time që e pashë të shtrirë dhe… kam jetuar gjithë jetën time me mendjen që unë kam vdekur atë ditë dhe çdo gjë më dukej”, tha ai.
Ai foli për përjetimin e tij dhe mënyrën si arriti ta falte të ndjerin pas vetëvrasjes që i kishte shkaktuar aq shumë dhimbje. Ishte pikërisht arti, siç ai rrëfen, që pas 25 vitesh i solli paqen që kërkonte që nga ai moment tragjik.
“Kam arritur ta fal pas gati 25 viteve. U bë sebep zysha ime në Itali që më tha, unë do të bëja Mark Antonin dhe po përdorja figurën e vëllait për të folur për Cezarin e vdekur. Ajo më tha: "E ke gabim, pavarësisht se ndjesia është shumë e fortë, e ke gabim sepse ti nuk e ke falur atë", kështu që më futi pastaj në një gjendje që unë ta rijetoja atë histori, pastaj më tha ‘mbylli sytë, shikoje vëlllain tënd edhe njëherë, fale dhe lëre të shkojë’. Unë kam dalë nga ajo gjendje, i thashë kush je ti që më bën këto gjëra?”, tregoi Hazizi.
Siç aktori rrëfeu, fatkeqësisht, e gjithë ngjarja është regjistruar kur ai ishte vetëm 5 vjeç.
Rrëfimi i plotë: