
Një shkollë në North Wales ka paralajmëruar prindërit për një trend të ri të TikTok, të njohur si “Superman”, i cili ka rezultuar në disa lëndime të rënda për ata që e kanë provuar. Në një letër të dërguar prindërve dhe kujdestarëve, “Rhyl High School” ka kërkuar bashkëpunim për t’i paralajmëruar fëmijët rreth rreziqeve të kësaj sfide.
“Gjatë javës së fundit është bërë e qartë se një trend ka marrë hov, ku nxënësit imitojnë një veprim të njohur si ‘Superman’,” shkruhej në letrën e parë nga shkolla, sipas raportimit të “North Wales Live”.
Kjo sfidë, e cila përfshin një rresht njerëzish që lidhin duart dhe më pas një pjesëmarrës që hidhet mbi krahët e tyre për t’u ngritur në ajër, është vlerësuar si “jashtëzakonisht e rrezikshme”. “Nëse dikush lëviz ose nuk arrin ta kapë personin që vrapon, mund të ketë pasoja serioze,” thuhej në letër.
Stafi i shkollës është përpjekur të ndërhyjë kur nxënësit janë kapur duke provuar këtë sfidë, ndërsa ka planifikuar të mbajë fjalime gjatë mbledhjeve për të theksuar rreziqet dhe pasojat e mundshme. Shkolla gjithashtu ka paralajmëruar se do të ketë ndëshkime nëse veprimet vazhdojnë.
Letra përfundonte:
“Dëshirojmë t’ju njoftojmë për këtë, pasi nxënësit janë parë duke e bërë edhe jashtë shkollës kur largohen. Ky duket të jetë një trend që po përhapet gjerësisht. Do të vlerësonim shumë ndihmën tuaj për të përcjellë këto paralajmërime edhe në shtëpi.”
Ky fenomen është raportuar gjithashtu në vende të tjera, ku të rinjtë kanë pësuar fraktura si pasojë e sfidës.
Në përgjigje të situatës, TikTok ka marrë masa duke shtuar një mesazh paralajmërues në kërkimet për “Superman” ose “Superman dance”, që lexon: “Kjo frazë mund të lidhet me sjellje ose përmbajtje që shkel udhëzimet tona. Promovimi i një eksperience të sigurt dhe pozitive është prioriteti ynë kryesor.”