Gra

Dhuna ndaj vajzave dhe grave: Disa terma që duhet t'i dimë të gjithë

Shkruar nga Anabel

3 Dhjetor 2024

Dhuna ndaj vajzave dhe grave: Disa terma që duhet t'i dimë

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë. Ajo ndodh çdo ditë, shumë herë në ditë, në çdo cep të globit dhe lë pasoja serioze fizike, ekonomike e psikologjike, afatshkurtra dhe afatgjata te gratë dhe vajzat, çka bëhet pengesë për përfshirjen e tyre të plotë e të barabartë në shoqëri. Shkalla e ndikimit të dhunës, si në jetën e individëve e familjeve, por edhe atë të shoqërisë në tërësi, është vështirë të përcaktohet. Ky artikull pasqyron një përmbledhje të disa formave të dhunës, së bashku me termat që përdoren më shpesh, të cilat aktivistët e barazisë gjinore duhet t’i bëjnë pjesë të fjalorit të tyre. 
  
Dhuna me bazë gjinore
 
Dhuna me bazë gjinore nënkupton veprimet e dëmshme karshi një individi ose një grupi individësh, nisur nga gjinia e tyre. Ajo i ka rrënjët te pabarazia gjinore, abuzimi i pushtetit dhe normat e pashëndetshme shoqërore.

Termi përdoret kryesisht për të nënvizuar faktin se ndryshimet strukturore që bazohen te gjinia, i vendosin gratë dhe vajzat në rrezik të shtuar për t’u prekur nga forma të shumta të dhunës. Ndërsa gratë dhe vajzat vuajnë në mënyrë joproporcionale nga dhuna me bazë gjinore, burrat dhe djemtë mund të bëhen gjithashtu shënjestër. Termi përdoret ndonjëherë për të përkufizuar dhunën që targeton personat LGBTQI +, kur referohet dhuna në lidhje me normat e maskilinitetit/feminilitetit dhe/ose normave gjinore.
 
Dhuna ndaj grave dhe vajzave
 
Dhuna ndaj grave dhe vajzave nënkupton çdo akt dhune me bazë gjinore që shkakton ose rrezikon të shkaktojë dëmtime fizike, seksuale, mendore ose vuajtje të grave dhe vajzave, duke përfshirë këtu kërcënimet që vijnë nga këto veprime, detyrimi i grave dhe vajzave të bëjnë gjëra kundër vullnetit të tyre, ose privimin arbitrar të lirisë, si në jetën publike, ashtu edhe në atë private. Dhuna ndaj grave e vajzave përfshin, por nuk kufizohet në dhunën fizike, seksuale dhe psikologjike në familje, brenda komunitetit, ose kur lejohet apo kryhet nga vet shteti.
 
E mbijetuara e dhunës
 
Termi “e mbijetuara e dhunës” nënkupton çdo person që ka përjetuar dhunë seksuale ose me bazë gjinore. Ka ngjashmëri me termin "viktimë", por parapëlqehet kundrejt tij sepse është më fuqizues.
 
Miratimi
 
“Jo” do të thotë “jo”! “Po” do të thotë “po”. Miratimi është marrëveshja midis pjesëmarrësve për t'u përfshirë në veprimtari seksuale ose për t’u lidhur martesë. Duhet të jepet lirisht dhe në mënyrë aktive dhe nuk mund të jepet nga dikush që është nën ndikimin e drogës, alkoolit ose nga një i mitur. Është specifik, që do të thotë se miratimi ndaj një veprimi të caktuar nuk nënkupton miratimin për një veprim tjetër; por është edhe i kthyeshëm, që do të thotë se ai mund të anulohet në çdo kohë.
 
Format e dhunës ndaj grave
                                                  
Dhuna në familje
 
Dhuna në familje, e quajtur edhe abuzim në familje ose dhuna e partnerit intim, është çdo model i sjelljes që përdoret për të fituar ose pasur pushtet e kontroll mbi një partner intim. Ajo përfshin të gjitha veprimet fizike, seksuale, emocionale, ekonomike dhe psikologjike ose kërcënimet për veprime, që ndikojnë te një person tjetër. Kjo është një nga format më të zakonshme të dhunës të përjetuara nga gratë në rang botëror.
 
Ja disa forma të dhunës në familje:
 
Dhuna ekonomike
 
Dhuna ekonomike nënkupton bërjen ose përpjekjen për ta bërë një person të varur financiarisht, duke ruajtur kontrollin e plotë mbi burimet financiare, duke bllokuar aksesin ndaj të ardhurave dhe/ose duke ndaluar vazhdimin e shkollimit apo punësimit.
 
Dhuna psikologjike
 
Dhuna psikologjike përfshin shkaktimin e frikës nga kërcenimi; kërcënimi për dëmtim fizik të vetvetes, partnerit ose fëmijëve; vrasja e kafshëve shtëpiake apo prishja e pasurisë; presioni psikologjik; ose duke e detyruar personin të izolohet nga miqtë, familja, shkolla dhe/ose puna.
 
Dhuna emocionale
 
Dhuna emocionale përfshin uljen e ndjenjës së vetëvlerësimit të një personi përmes kritikave të vazhdueshme; zhvlerësimin e aftësive të dikujt; përdorimin e emrave fyes apo abuzime të tjera verbale; dëmtimin e marrëdhënies së partnerit me fëmijët; ose moslejimin e partnerit që të shohë miqtë dhe familjen.
 
Dhuna fizike
 
Dhuna fizike nënkupton lëndimin ose përpjekjen për të lënduar partnerin duke goditur, shkelmuar, djegur, kapur me forcë, pickuar, shtyrë, gjuajtur me shuplakë, shkulur flokët, kafshuar, por edhe mohimin e kujdesit mjekësor ose detyrimin për të përdorur alkoolin dhe/ose drogën, ose përdorimi i një force tjetër fizike. Mund të nënkuptojë edhe dëme të pronës.
 
Dhuna seksuale
 
Dhuna seksuale nënkupton detyrimin e partnerit që të marrë pjesë në një akt seksual pa pëlqimin/aprovimin e tij/saj. Lexoni më shumë rreth dhunës seksuale më poshtë.
 
Femicid
 
Femicidi nënkupton vrasjen me dashje të grave thjesht pse janë gra, por mund të nënkuptojë më gjerësisht çdo vrasje të grave ose vajzave. Femicidi ndryshon nga vrasja e meshkujve në shumë drejtime specifike. Për shembull, shumica e rasteve të femicidit kryhen nga partnerë ose ish-partnerë dhe përfshijnë abuzimet e vazhdueshme në shtëpi, kanosjet ose intimidimi, dhuna seksuale ose situata ku gratë kanë më pak forcë ose më pak të ardhura sesa partneri.
 
Vrasja për çështje nderi
           
Vrasja për çështje nderi është vrasja e një anëtari të familjes, zakonisht një gruaje apo vajze, për arsyen e pretenduar se personi e ka çnderuar apo turpëruar familjen. Këto vrasje kanë të bëjnë shpesh me dëlirësinë seksuale dhe shkeljet e hamendësuara nga anëtaret femra të familjes.
 
Dhuna seksuale
 
Dhuna seksuale është çdo veprim seksual i kryer kundër vullnetit të një personi tjetër, ose kur ky person nuk jep aprovimin ose kur aprovimi nuk mund të jepet sepse personi është fëmijë, ka paaftësi mendore, është i dehur rëndë ose i pavetëdijshëm, për shkak të alkoolit ose drogës.
 
Forma të dhunës seksuale:
 
Ngacmimi seksual
 
Ngacmimi seksual nënkupton kontaktin fizik jo-konsensual duke kapur, pickuar, gjuajtur me shuplakë ose fërkuar një person tjetër në mënyrë seksuale. Ai gjithashtu nënkupton forma jo fizike dhune, të tilla si fishkëllimat, komentet seksuale në lidhje me trupin ose pamjen e një personi, kërkesat për favore seksuale, vështrimin provokues seksual, ndjekjen dhe ekspozimin e organeve seksuale të dikujt.
 
Përdhunimi
 
Përdhunimi është çdo depërtim jo-konsensual vaginal, anal ose oral ndaj një personi tjetër me çdo lloj pjese të trupit apo objekt. Kjo mund të ndodhë nga çdo person i njohur ose i panjohur me të mbijetuarën, brenda martesës në një marrëdhënie, si edhe gjatë një konflikti të armatosur.
 
Përdhunimi korrigjues
 
Përdhunimi korrigjues është një formë e përdhunimit e kryer kundër dikujt për arsye të orientimit të tij seksual ose identitetit gjinor. Ai ka për qëllim ta detyrojë viktimën t'i përshtatet heteroseksualitetit ose identitetit normativ gjinor.
 
Kultura e përdhunimit
 
Kultura e përdhunimit është mjedisi shoqëror i cili lejon që dhuna seksuale të normalizohet dhe justifikohet. Ajo është e rrënjosur në patriarkat dhe ushqehet nga pabarazitë e vazhdueshme gjinore e paragjykimet në lidhje me gjininë dhe seksualitetin.
 
Trafikimi i qenieve njerëzore
 
Trafikimi i qenieve njerëzore është përvetësimi dhe shfrytëzimi i njerëzve, përmes mjeteve të tilla si forca, mashtrimi dhe shtrëngimi. Ky krim i tmerrshëm ka zënë në grackë miliona gra dhe vajza në të gjithë botën, shumë prej të cilave shfrytëzohen seksualisht.
 
Gjymtimi gjenital femëror
 
Gjymtimi gjenital femëror nënkupton procedura që qëllimisht ndryshojnë ose shkaktojnë dëmtime të organeve gjenitale të femrave për arsye jo-mjekësore. Ai klasifikohet në katër lloje kryesore dhe, si praktika ashtu edhe motivet që fshihen pas tij, ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Gjymtimi gjenital femëror është një normë shoqërore, shpesh i konsideruar si një hap i domosdoshëm në përgatitjen e vajzave për moshën e rritur dhe martesën, e në mënyrë tipike i nxitur nga besimet në lidhje me gjininë dhe lidhjen që gjinia ka me sjelljen e përshtatshme seksuale. Për herë të parë u klasifikua si dhunë në 1997, përmes një deklarate të përbashkët të lëshuar nga OBSH, UNICEF dhe UNFPA.
 
Martesa e fëmijëve
 
Martesa e fëmijëve nënkupton çdo martesë ku njëri ose të dy bashkëshortët janë nën moshën 18 vjeç. Është një shkelje e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila përcakton se “Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin plotësisht të lirë të personave që do të martohen.” Vajzat kanë më shumë të ngjarë të jenë nuse-fëmijë dhe si pasojë të braktisin shkollën e të përjetojnë forma të tjera të dhunës.
 
Dhuna në internet ose dhuna digjitale
 
Dhuna në internet ose dhuna digjitale ndaj grave nënkupton çdo akt dhune që kryhet, ndihmohet ose përkeqësohet nga përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (telefona celularë, internet, media sociale, lojëra kompjuterike, mesazhe me tekst, e-mail, etj.) ndaj një gruaje thjesht sepse ajo është grua.
 
Disa forma të dhunës në internet:
 
Bullizmi kibernetik
 
Bullizmi kibernetik nënkupton dërgimin e mesazheve frikësuese ose kërcënuese.
 
Sexting jo-konsensual
 
Sexting jo-konsensual nënkupton dërgimin e fotove ose mesazheve intime, pa pëlqimin e marrësit.
 
Doxing
 
Doxing nënkupton shpërndarjen në publik të informacioneve private ose që çojnë në identifikimin e viktimës.
 
Ndryshimi fillon me ty! Reago sot për të ndihmuar që dhuna ndaj grave të marrë fund!