Për mendimin tonë

Nisur nga “Përputhen”: Mos ndoshta kemi parë mjaftueshëm sherre?

Shkruar nga Anabel

29 Nëntor 2024

Nisur nga “Përputhen”: Mos ndoshta kemi parë

Nëse menduat se skenat e “Përputhen” nuk mund të bëheshin më absurde, mbase është koha të rimendoni gjithçka. Një kërkim i thjeshtë në Google me frazën “sherr në Përputhen” nxjerr plot 39,800 rezultate, duke të lënë të pyesësh veten a nuk supozohet të jetë ky një program “dashurie”?!

Skena e fundit? Një përleshje mes Xhiliolës dhe Albit, që përfundoi me përjashtimin e tyre nga programi. Po prisni ende fundin e historisë? Prisni se nuk mbaron këtu! Ketrina, e frymëzuar ndoshta nga ndonjë film, vendosi t’i hidhte një pije në kokë Xhiliolës. Rezultati? Një viralitet i garantuar dhe një studio që më shumë ngjan me një telenovelë me buxhet të ulët sesa me një emision takimesh.

Pra, për ju që nuk e keni ndjekur programin dhe nuk ju interesojnë shumë emrat në këtë histori, një konkurrente derdh një pije në kokën e një tjetre në mes të studios - dhe të gjithë ne që shohim këtë “spektakël” pyesim veten: Po tani çfarë?

A ka më njeri që e beson këtë skenar të radhës? Nuk është më sekret: “Përputhen” është një emision i regjistruar, pra nuk transmetohet drejtpërdrejt. Thënë kjo, gjithçka ndodh kalon në disa proçese para se t’i serviret publikut, materiali ‘editohet’ dhe më tej transmetohet. Shoku (i protagonistëve në studio) nuk e justifikoi as këtë herë vendimin për të publikuar sërish pamje të kësaj natyre. Nëse ata do të ishin aq të shokuar nga ngjarja “e papritur” (aq e papritur sa kanë punësuar security në studio) mundet të mos e kishin transmetuar këtë segment. Por jo, këto pamje nuk fshihen, sepse janë pikërisht ato që mendohet se na mbajnë “të lidhur” me ekranin. Sa të “tronditur” mund të jenë drejtuesit kur vendosin vetë ta transmetojnë?

Dhe nuk është se nuk e dinë çfarë po bëjnë. Këtë vit, burime për Anabel tregojnë se “produksioni” u mundua t’i mbushë mendjen shumë personave se “Përputhen” do të ishte ndryshe. Si? Personat e kontaktuar për të marrë pjesë kanë dëgjuar të njëjtën “këngë”: “Do jetë më cilësor”, “Këtë vit nuk do të jetë si më para”.

Njëra prej tyre rrëfen për Anabel:

“Më morën në telefon, numrin ma kishin ruajtur nga një intervistë që kisha dhënë. U mundova t’i refuzoja me mirësjellje dhe po më mbushnin mendjen se këtë vit do ishte ndryshe. Gjithsesi tani që po e shoh çfarë po bëhet, i jam shumë mirënjohëse vetes që nuk kam shkuar.”

Kjo tentativë duket më shumë si një “call center” që mundohet të shesë një produkt të prishur, duke bindur klientin që “kësaj here është më i mirë”. Po përtej kësaj çfarë përfunduam duke parë? Të njëjtën gjë, por me më shumë sherre. Kjo është cilësia e re që u premtua? Apo ndoshta thjesht kanë ndërruar cilësinë e pijeve mbi kokë? Në rregull, sherri ndodhi dhe reagimi ynë si shoqëri nuk mund të ndryshojë gjë, mos ndoshta është koha që t’u ndërpriten sponsorizimet këtyre programeve?

A i kushtojnë sponsorët rëndësi impaktit moral dhe etik të vendit ku shfaqet emri i tyre?

Në fund të fundit, ata mbajnë gjallë programe të këtij lloji, duke siguruar financimin e nevojshëm për vazhdimësinë e tyre. Kur një biznes vendos të shfaqë reklamën e tij në një platformë ku konflikti dhe kaosi dominojnë, ai nuk po reklamon thjesht një produkt – ai po bëhet bashkëpunëtor në normalizimin e një modeli që promovon degradimin publik.

Nëse produkti yt lidhet, qoftë edhe indirekt, me ulërimat dhe përplasjet, çfarë thotë kjo për vlerat që mbështet marka jote? Çfarë mesazhi jep një biznes kur reklama e tij shfaqet mbi kokën e dikujt? E kuptojmë shprehjen që “nuk ka reklamë të keqe”, por një produkt mbi kokë në mes të një debati të ashpër nuk e bën atë më tërheqës - përkundrazi, e bën pjesë të një spektakli që po humb çdo lloj vlere.

Por, le të rikthehemi tek skenaret...

Fillimisht, na mbajtën të mbërthyer me trekëndëshat e dashurisë: Andi, Tea dhe Shqipe; Mevlani, Antonela dhe Ledjana. Kur kjo formulë u konsumua, kaluam te dhuratat ironike dhe konfliktet e vogla që mezi mbaheshin gjallë. Tani kemi kaluar në një nivel tjetër: sherret e hapura dhe skenat e dhunshme. Një këpucë që fluturon, një gotë që përplaset, një pije që derdhet mbi kokë. Por ky është thjesht një skenar tjetër i konsumuar që do e lodhë publikun po aq sa të tjerët.

Ky cikël është bërë i parashikueshëm. Nuk ka më asgjë të re për të parë. Dikur, këto konflikte mund të ishin argëtuese në një mënyrë të çuditshme, por tani janë bërë të mërzitshme dhe të përsëritura. Publiku është lodhur nga këto skenarë të stisur.

Çdo spektakël ka një kufi. Askush nuk del çift nga ky program, nuk ka dashuri, nuk ka më as interes për dramat që ndodhin aty. Po shihen thjesht si një tjetër përpjekje për të mbajtur gjallë një format të tejkaluar. Kur edhe skenat e dhunshme nuk po shiten më, ndoshta ka ardhur koha që “Përputhen” të përfundojë. Fundja, çdo shfaqje duhet të dijë kur të mbyllë perdet.

Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga J. Zguro, redaktore kontribuese në Anabel Media.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.