Për mendimin tonë

Çfarë patriotësh (s’) jemi sot?

Shkruar nga Anabel

28 Nëntor 2024

Çfarë patriotësh (s’) jemi sot?

Janë vetëm dy gjëra që i bëjnë shqiptarët bashkë: stadiumi dhe patriotizmi i zellshëm i festave të 28-29 Nëntorit. Në këto dy ngjarje ndodh magjia dhe shqiptarët lënë pas mëritë për t’u bërë bashkë nën brohoritjen: O sa mirë me qenë shqiptar! Solidariteti është i lavdërueshëm, teksa magjia zbehet sapo flamuri kuq e zi hiqet nga ballkoni i shtëpisë.

Kalendari kthen fletën e bashkë me të rikthehen edhe hallet e shqiptarëve. “O sa mirë me qenë shqiptar!” zëvendësohet me “Duhet ik nga ky vend”, ndërsa transmetimet maratonë të festimeve i lënë vendin kronikave të vrasjeve dhe dënimeve të SPAK.

Ndërsa krenohemi vazhdimisht mbi vlerat dhe zakonet e të parëve, ne ju sjellim në formën tonë, se si këto tradita janë shndërruar sot.

Shqiptarët dje dhe sot:

Ruaju të të ruajë perëndia-Jemi të bindur që edhe ju jeni dakord që kjo fjalë e urtë është më aktuale se kurrë. Vrasjet e fundit që kanë tronditur vendin kanë vënë më shumë se kurrë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve në Shqipëri. Dhuna zinxhir nga bandat kriminale që “hanë kokat e njëri-tjetrit” e deri te fëmijët, kanë tronditur themelet e vendit, ku lidhur me sigurinë na mbetet vetëm t’i urojmë fat vetes e të tjerëve.

Shtëpia pa fëmijë, si nata pa yje-Shoqëria shqiptare e vitit 2024 dështoi! Një fëmijë që duhej të ishte ylli i familjes u kthye në yllin më të bukur të qiellit. Martin Cani, 14 vjeç, u qëllua me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, duke i marrë jetën. Më shumë se gjithçka u vu në pikëpyetje roli i familjes, institucion i trajtuar si i shenjtë në gojëdhënat e shqiptarëve, i cili në vitin e 112-të të Pavarësisë “ngriu” festën.

Besa e shqiptarit nuk shitet pazarit-Epo hetimet e SPAK hedhin dritë mbi të kundërtën! Shqiptarë që shiten e blihen dhe drejtësi e politikë që është kthyer në një treg të mirëfilltë. Gjyqtarët apo politikanët që na dhanë besën për të na shërbyer, rezultuan se i kanë shërbyer bandave kriminale. Gjyqtarë që porosisin vrasje dhe kriminelë që bëhen deputet, kjo është ‘panorama’ që vendi ynë ofron, duke bërë që qytetarët të kenë një arsye për të lënë Shqipërinë që të parët i dhanë pavarësinë duke larguar të keqen (pushtuesit), por le të themi që e keqja paska qenë mes nesh!

Mos pyet sa vjeç je, po ç'shëndet ke-Mjekët e Onkologjikut nuk ndajnë këtë mendim! Siç hetimet e SPAK dëshmuan, motoja e disa prej bluzave të bardha është: Më thuaj sa lekë ke, të të them ç’shëndet do të kesh? Ndërsa tradita na mëson se shqiptarët janë bujar e japin ç’munden për të ndihmuar, mjekët e Onkologjikut na shfaqën se jo vetëm nuk ndihmojnë sipas traditës, por e keqja e dikujt mund të shfrytëzohet në të mirën e tyre, duke u pasuruar në kurriz të dhimbjes së atyre që japin gjithçka në emër të shëndetit.

Ndarja është më e mira e të ligave-Disa burra të “moçëm” shqiptarë duhet ta lexojnë dhe kuptojnë mirë këtë shprehje popullore. Të ndahesh mund të jetë në kundërshtim me “traditat fiktive” të familjes tradicionale shqiptare, por të vrasësh gruan apo vajzën nuk i përket asnjë norme apo morali që lidhet me identitetin tonë. Në 13 vitet e fundit janë vrarë 159 gra e vajza shqiptare prej familjarëve dhe partnerëve, ose ndryshe një vrasje me bazë gjinore çdo muaj.

E thëna dhe e bëra janë larg-E kush më mirë se shqiptarët e ka jetuar këtë shprehje! Doni shembull? Ujë dhe drita 24 orë! Premtohet që nga rënia e komunizmit dhe deri në epokën e satelitëve digjitalë.

I marri premton dhe budallai shpreson-Për ujin dhe dritat e kemi sërish!

Më gënjeve një herë, harram e paç, më gënjeve të dytën hallall-Shqiptarët dhe rrotacioni politik duken se nuk e kanë gjetur njëri-tjetrin dhe jo, nuk i referohemi partisë në pushtet. Të njëjtat emra kanë në dorë fatet tona dhe kjo është arsyeja që thuajse çdo shqiptar sjell në vëmendje sa herë që vendos të braktisë Shqipërinë. Shqipëria i shpëtoi pushtuesve, luftërave të panumërta, gëzoi lirinë dhe s’diti ta mbajë.

Shqipëria post 112 vite Pavarësi e sovranitet i përngjan thuajse aspak asaj Shqipërie që ndër breza na është përshkruar. Besa, familja, mikëpritja apo fjala e dhënë duket se janë tradita e fjalë popullore që tanimë i përkasin historisë. Ky 28-29 Nëntor duket se u gjend si një këngë në mesin e kronikës së zezë, duke mos ngjallur aspak entuziazëm për shkak të “buzëqeshjes së ngrirë” nga zhvilimet e fundit. Shoqëria jonë nuk është në ditët e saj më të mira, por shqiptarët që mundën të largojnë pushtuesit dhe që krenohen për vlerat e kombit, duhet të frymëzohen prej tyre për të nxjerrë shoqërinë nga ‘kriza’ e thellë në të cilën ka rënë.

Shkruar nga: Jonida Velia, Redaktore Kontribuese në Anabel

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.