
Në një prej gjimnazeve të Fierit, Janaq Kilica është përsëritur situata e disa ditëve më parë. Më shumë se 30 nxënës janë dërguar me urgjencë në spital pasi kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen, teksa zhvillonin orën e Biologjisë.

Situata e krijuar ka qenë kaotike dhe menjëherë janë njoftuar ambulancat, pasi gjendja e disa prej tyre ka qenë e rëndë.
Nga të dhënat e para, sipas Report TV thuhet se shkak është bërë një spray lotsjellës (Pepper spray) që është sprucuar nga njëri prej nxënësve të klasës. Kjo lloj substance shkakton probleme me frymëmarrjen, djegie sysh dhe lëkure. Eshtë hera e dytë që po i njëjti nxënës hedh diçka të tillë në klasë. Ky i fundit është identifikuar dhe është ndaluar nga autoritetet.

Zakonisht, ky lloj spray përdoret nga policia për të shpërndarë turmat e revoltuara në rast proteste, apo për mbrojtje.
Vetëm një javë më parë, 6 nxënës të kësaj shkolle u helmuan nga i njëjti shkak.