Aktorja e njohur Adriana Matoshi ishte e ftuar në podcast-in “FLET” nga Ilnisa Agolli, ku ndau detaje prekëse nga jeta e saj. Përveç karrierës së saj dhe marrëdhënies me partnerin e saj 19 vite më të ri, Adriana foli për një nga periudhat më të vështira të jetës: betejën me tumorin në tru.
“Unë sapo i hap sytë në mëngjes ose mesditë, kurdo që zgjohem, jam e lumtur për një ditë më shumë në jetën time,” tha ajo, duke treguar për qasjen pozitive që ka ndaj jetës, pavarësisht sfidave.
Kur u pyet se si është të jesh model për të tjerët, Adriana tha:
“Me kalimin e viteve piqesh dhe e kupton botën më mirë. Çfarë ti beson për veten, atë gjë e besojnë edhe të tjerët për ty. Unë besoj se jam e fortë, e suksesshme dhe e pandalshme dhe e di që kjo reflekton te të tjerët.”
Aktorja tregoi se, edhe kur mori lajmin për sëmundjen, nuk lejoi që ajo ta mposhte.
“Kur e kuptova çfarë kam dhe çfarë po ndodh me trupin tim, unë qesha. Thashë që kjo është diçka që duhet tejkaluar. Nëse Zoti ka shkruar që unë të jetoj, do të jetoj. Nëse ka thënë që do të më marrë, atëherë ashtu do të ndodhë. Pas operacioneve, unë menjëherë iu riktheva punës dhe nuk jam ndalur asnjë ditë.”
Duke iu përgjigjur pyetjes së Ilnisa Agollit për kohëzgjatjen e gjithë kësaj, Adriana tregoi:
“E gjitha filloi në vitin 2012. Isha shtatzënë kur zbulova tumorin dhe mendova, ‘Si do ta lind vajzën? Si do ta shoh fëmijën tim?’ E humba shikimin - me njërin sy nuk shihja fare, me tjetrin vetëm 30 përqind. Por, sërish, vazhdova përpara.”
Adriana e mbylli me një këshillë të thjeshtë, por me shumë peshë:
“Duajeni veten. Pika e parë ku fillojnë sukseset dhe çdo gjë e mirë është te dashuria për veten.”
Artikuj të sugjeruar: