
Protesta të dhunshme përhapen në Kazakistan

Protesata masive nisën në Kazakistan në fundjavë pas rritjes së çmimit të gazit, protesta të cilat u përhapën shpejt në shumë zona dhe zunë në befasi autoritetet dhe vëzhguesit ndërkombëtare.
Gjithçka filloi me rritjen e çmimit të gazit, por shkaku i vërtetë i protestave janë kushtet e këqija të jetesës së njerëzve, çmimet e larta, papunësia dhe korrupsioni.
Të mërkurën, pati raportime për përleshje të dhunshme dhe të shtëna në qytetin Almaty dhe qytete të tjera, si dhe video të paverifikuara që pretendojnë se ka patur viktima mes protestuesve.
Kina shkarkon zyrtarët e spitalit pasi një grua shtatzënë humbi fëmijën për shkak të rregullave anti-Covid

Zyrtarët e spitalit Gaoxin në Xi'an janë shkarkuar pasi një grua shtatzënë humbi foshnjën e saj sepse iu mohua hyrja në spital për shkak të kufizimeve të koronavirusit.
Natën e 1 janarit, gruas iu refuzua hyrja sepse rezultati i negativ i testit të Covid ishte më i vjetër se katër orë. Ajo filloi të kishte gjakderdhje teksa priste jashtë, dhe në fund u pranua, por foshnja nuk jetoi.
Pfizer po teston vaksinën për fëmijët nën 5 vjeç

Pfizer është në pritje të rezultateve të fundit nga një provë klinike për fëmijët nën moshën pesë vjeç për vaksinën e Covid-19, tha një shkencëtare e lartë e kompanisë sipas Reuters.
Ajo tha se kompania synon të ketë të dhëna për grupmoshën deri në fund të marsit ose në fillim të prillit.
Australia i anulon vizën tenistit numër 1 në botë

Pavarësisht se u lejua të luante në Australian Open, Novak Djokovic – tenisti numër 1 në botë – u mbajt në kufi për rreth 7 orë pasi mbërriti në Melburn të mërkurën për shkak të një problemi me vizën e tij.
Sipas shtypit australian, tenisti serb nuk kishte arritur të vërtetonte me prova mjekësore mungesën e vaksinimit dhe pas orëve të tëra diskutimi, autoritetet australiane morën vendimin që të mos e linin të hynte.
Autoritetet australiane kanë kërkuar që të gjithë lojtarët, stafi dhe tifozët që marrin pjesë në Australian Open duhet të vaksinohen plotësisht, përveç rasteve kur ka një arsye mjekësore për të mos u vaksinuar. Sipas tyre, Djokovic nuk do të trajtohet ndryshe nga të tjerët.
Tenisti është zhvendosur nga një dhomë në aeroport në një hotel në Melburn të kontrolluar nga departamenti i imigracionit. Ai ka udhëzuar avokatët e tij të kundërshtojnë vendimin dhe ka marrë mbështetjen e autoriteteve serbe, por Australian Open nis më 17 janar dhe nuk është e qartë nëse çështja do të zgjidhet deri atëherë.
Burimet: Reuters, Guardian, Euronews