Për mendimin tonë

Komentar: Kujt po i hyn në punë dhe një tjetër “Panair Libri”?

Shkruar nga Anabel

17 Nëntor 2024

Komentar: Kujt po i hyn në punë dhe një tjetër “Panair
Anabel

Panairi i Librit është një nga eventet më të rëndësishme kulturore në vend, ose ai 5-ditësh i vitit ku mund të shkosh në një destinacion të vetëm për të gjetur ndoshta varietetin më të madh të librave në Shqipëri, me ulje çmimesh.

Qëllimi i Panairit është që libri të bëjë bashkë autorët, shtëpitë botuese dhe lexuesin. Ajo që s’është e qartë është motivi i kësaj mbledhjeje, që përtej shpjegimit se ‘promovohet letërsia dhe krijohen ura komunikimi mes tre palëve’, duket se gjithçka është shndërruar në biznes: shtëpitë botuese duan të boshatisin sa më shumë stendat, e blerësit që ndërsehen nga ideja e uljeve, të mbushin sa më shumë çanta kartoni me logo të ndryshme.

Lind pyetja: Ku ndryshon këtu Panairi i Librit nga zotërinjtë e nderuar që shesin libra të përdorur rrugëve të Tiranës çdo ditë?

Kam frikë se janë këta të fundit, që në fund të ‘pazarit’ të lënë gjithsesi më të informuar dhe me një ndjenjë më të madhe kënaqësie.

Flasim pak për problematikat e panairit të këtij viti, por jo vetëm:

Një panair me probleme organizative

Një nga shqetësimet kryesore të lexuesve është mungesa e orientimit. Shumë shtëpi botuese nuk ofrojnë katalogë me veprat e reja që sjellin dhe ndonjëherë as emri i shtëpisë botuese nuk shquhet lehtë nëpër stenda.

Librat nuk kanë ndonjë organizim të veçantë në prezantim dhe stafi i shitësve shpesh ka mungesë të dukshme informacioni mbi librat që shiten, çmimet apo historinë e shtëpisë botuese.

Vendosja e stendave: Një ndarje e pabarabartë

Një nga problematikat që vihet re çdo vit është e njëjta ndarje e pabarabartë e stendave në panair. Ndërsa kati i parë mbetet i rezervuar për shtëpitë botuese më të njohura, ato me më pak përvojë në treg apo panair, “rrasen” në katin e dytë, ku fluksi i vizitorëve është gjithmonë më i ulët.

Ndarja, sipas disa shtëpive botuese, është padyshim e padrejtë, pasi të gjitha shtëpitë paguajnë një çmim pothuajse të njëjtë për pjesëmarrjen.

Thënë kjo, as nuk mund të pretendosh të shesësh duke e bërë blerësin të ndiejë keqardhje për ty!

Risitë e munguara dhe roli i reklamimit

Një pjesë e mirë e shtëpive botuese që raportojnë pakënaqësi lidhur me shitjet, janë të njëjtat që nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm online apo në katalogë. Nëse lexuesi nuk ka një orientim të qartë për librat e rinj përpara panairit, është e vështirë që ai të gjejë atë që kërkon. Nga ana tjetër, shtëpitë botuese që investojnë në promovim dhe kanë shitës të informuar, vazhdojnë të kenë shitje më të mëdha.

Një tjetër problem është mungesa e komunikimit të sinqertë. Shitësit apo vetë autorët shpesh shmangin kritikat për librat e tyre, ndërsa shumë prej tyre ndihen të inatosur që lexuesit drejtohen kryesisht te autorë të njohur si Ben Blushi apo Blendi Fevziu. Në fakt, disa libra arrijnë të shiten vetëm falë pranisë së autorëve në panair, ku takimi me lexuesit ndihmon në promovimin dhe shitjen e veprave.

Paraqitja mediatike

Televizioni ndërkohë, a thua se jetojmë akoma nën regjimin komunist, transmeton një pjesë aq të vogël dhe të pakuptimtë të realitetit, sa nuk ofron asnjë lloj qasjeje kritike ndaj gjësë, praktikë e zakontë kjo për çdo sektor të gazetarisë së fundmi, jo vetëm kulturës që është parë gjithmonë si ‘gjë e qejfit’.  

Kamerat fokusohen tek personalitetet, librat më të shitur, tek ato pak risi që janë sjellë sa për të thënë se diçka po ndryshon dhe më e bukura qëndron se janë po të njëjtët që raportojnë në fund të vitit se 80% e shqiptarëve s’kanë lexuar asnjë libër në vit, duke nxjerrë veten qesharakë përmes kësaj kontradikte.

Mosvlerësimi i prodhimeve shqiptare

Edhe gjatë panairit të këtij viti dominonte letërsia e huaj, po kjo bie vetëm në një sy të vëmendshëm si problematikë, pasi jemi mësuar t’i zvogëlojmë arritjet tona.

Sa i përket letërsisë shqiptare, ishin të pakta shtëpitë botuese që ofronin vetëm libra të autorëve shqiptarë. Tek këto pak shtëpi dedikuar letërsisë shqipe, kishte nga ato ku shitjet ishin më të mëdha, ndërkohë që kishte edhe të tjera ku kishte shumë pak blerës, ose ishte kryesisht mosha e tretë ajo që interesohej për veprat e ofruara.

Autorët e rinj janë të paktë dhe librat më të shitur vazhdojnë të jenë ata të autorëve që prej vitesh kanë zaptuar tregun.

Varfëria e prodhimeve për fëmijë

Nga një pjesë e madhe e shitësve të shtëpive botuese, librat për fëmijë konsideroheshin si libra edukativë, por në vetvete, pjesa më e madhe e tyre ishin thjesht përkthime të përrallave klasike prej të cilave arrin të nxjerrësh një mesazh, por mbetesh aty, nuk kishte një paraqitje të librave që mund të nxisnin të menduarin kritik tek fëmijët.

Si përfundim:

Kështu, vërtitemi çdo vit në rrethin vicioz të shitësve që ankohen se lexuesit nuk shkojnë drejt librit që mbart vlera, me shitjet që sa vijnë e ulen dhe largimit nga libri, me autorë që ankohen se lexuesi shkon tek po të njëjtat vepra dhe vetëm tek autorë të njohur.

Por, a mundet lexuesi të njohë një libër të mirë vetëm me një të ardhur në panair, apo përmes asaj çfarë ai mund të arrijë të kuptojë ato pesë ditë dedikuar librit? Nuk mund të pretendojmë që lexuesi të nuhasë çdo risi që sjell çdo autor përgjatë një viti.

Është detyra e personave që ndodhen në poste drejtuese të orientojnë audiencat drejt asaj që mendojnë se është ‘rruga e duhur’. Kjo, pa dyshim është një punë që vështirësohet kur fjalori i shqiptarëve sa vjen e kufizohet prej algoritmit të Tik-Tok-ut. Por, prandaj çdo shoqëri ka elitat e veta, duke nisur nga gazetarët, autorët e  politikanët, që të funksionojnë si forcë rregullatore, atëherë kur është më e nevojshme se kurrë për shoqërinë.

- Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Leka, redaktore kontribuese në Anabel Media.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të sugjeruar: