Çështja me vëmendjen që merr një çift në Shqipëri, po për rrjedhojë edhe famën, kalon nëpër ca faza të parashikueshme. Vëmendja nis me aludimet se dy figura publike kanë nisur një lidhje së bashku; më pas ndizet shpejt kur konfirmohet se fjalët kanë qenë të vërteta dhe me interesin gjithmonë e në rënie, fillon të zbehet kur dashuria kurorëzohet në martesë dhe pritje të ëmbla të njëpasnjëshme.
E vetmja gjë që mund t’i bëjë njerëzit të ziejnë sërish si koshere bletësh në këtë pikë, është një divorc i mundshëm. Ngjan me historinë e Xhensilës dhe Besit, apo jo? Epo meqë jemi marrë me ‘fazat’ e tyre para divorcit, hajde të analizojmë gjithçka që ndodh pas tij.
Faza 1: Përflitet se çifti është ndarë
Në këtë fazë, çifti bëhen unfollow në Instagram. Fotot me njëri-tjetrin nga të dyja palët fshihen gjithashtu. Mund të shpëtojë ndonjë postim me deklarata dashurie nga viti 2014, siç ndodhi me Besin.
Lihet pak kohë që ky ndryshim të vihet re nga sytë kuriozë dhe *boom*, lajmi merr dhenë: “Ndahen Xhensila me Besin?!”
Kjo fazë e ndarjes është e zhurmshme, por jo më e zhurmshmja. Njerëzit tronditen nga lajmi dhe fillojnë të ndahen në dy kampe qëndrimi me opinionet e tyre: ato të “e ka fajin ai” dhe “e ka fajin ajo”.
Faza 2: KONFIRMOHET NDARJA! Pak a shumë…
Tani që vigjilenca e publikut po rritet ndaj çiftit, çdo lëvizje e tyre mund të nënkuptojë diçka për ndarjen. Megjithatë Xhensila me Besin nuk na e vështirësuan shumë punën me shenjat që na jepnin:
- Xhensila festoi ditëlindjen e saj dhe në sy binin fotot e pashoqëruara nga Besi;
- Besi s’postoi së paku ndonjë urim publik për të qetësuar njerëzit;
- Xhensila poston fëmijët me nënshkrimin: “Dy duar, dy fëmijë, një zemër e vetme, më shumë s’ka vend”, duke shpallur të hapur ‘luftën përmes fëmijëve’;
- Besi bëhet pjesë e ‘Ferma Vip’, veprim ky që së fundmi kanë tendencën ta bëjnë VIP-at shqiptarë të cilët po pësojnë një ndryshim madhor në jetë (kujtojmë Julian Dedën, Eva Alikajn, Deamishel Hoxhën etj.);
- Xhensila në kundërpërgjigje, nis seriozisht palestrën dhe pëson një transformim pozitiv, së paku në dukje, veçori tipike kjo e grave pas divorcit.
Markezi ka thënë se me lumturinë vjen mirëqenia dhe u duk se shprehja mori jetë me rastin e Xhensilës.
Faza 3: Ok, ok, tani konfirmohet zyrtarisht ndarja
Kjo s’është faza më interesante apo e zhurmshme, pasi njerëzit tashmë e kanë krijuar bindjen se kriza midis çiftit është finalizuar me një ndarje. Dhe vetë deklarata e Besit tek ‘Ferma VIP’ ku ai i referohet Xhensilës si “ish-bashkëshortja e tij” për herë të parë, ishte e tillë, e ndërfutur mes mendimeve me zë të lartë të Mariana Kondit se duhet ndryshuar arredimi i shtëpisë dhe Xhesika Polos që e shqetëson diçka me pjatat në tavolinë.
Faza 4: Meqë u bë e mërzitshme situata, le të fillojë kënga!
Deshifrojmë dramën me pesë akte:
Akti i parë: Xhensila publikon “Lotët” me tekstin:
“Ti mos më përmend emrin/ As unë s’ta përmend emrin/ Doje me m’dhon ti mbiemrin/ M’the s’kam për t’ia dalë/ Jetën ti s’më ndal”
Duke supozuar se vargjet në këngët në vazhdim, Xhensila me Besin ia kanë dedikuar njëri-tjetrit, vihet re se Xhensila ka përjetuar një lloj çlirimi prej Besit në fillim të ndarjes së tyre. Kjo na bën të mendojmë se ishte ajo personi në marrëdhenie që ndërmori vendimin për t’u ndarë.
Akti i dytë: Besi publikon “Mosmirënjohja”
“Të dy kemi gabime, a e harrove/ Se çka ndërtuam bashkë, ti e shkatërrove/ M’thuj tash si do mbash ti peshën e turpit/ M’dhe mosmirënjohjen, unë gjakun e trupit”
Ndarja duket se e ka lënë në këtë pikë ende të nxehtë situatën mes çiftit, duke marrë shkas prej hedhje-pritjeve të fajit, siç po ndodh me tekstet e mësipërme.
Akti i tretë: Xhensila publikon “Lamtumirë”
“Ti mos më kërko, të të them lamtumirë/ e di o shpirt që të kam mërzit, e di shumë mirë”
Qasja e Xhensilës ndaj ndarjes ka ndryshuar në këtë pikë, duket se ajo i ka pranuar ca nga gabimet që Besi tha se ata të dy i kishin. Më shumë se sa shpresë për ribashkim, vargjet vijnë si ajo fazë e pranimit të një situate në jetë, të cilën je gati ta lësh pas për të vazhduar përpara.
Akti i katërt: Besi publikon “Falja”
“Falja të gjithë më thonë falja, por nuk ma bën zemra dhe nuk ma thotë fjala/ Me ik prej teje më shpëtoi veç ndarja/ A me të fal, a mos me të fal, as vetë nuk e di/ A thu ia ka vlejt kur zemrën e shite”
Prit pak tani. Xhensila paska kërkuar ribashkim?! Përmes këtyre vargjeve, Besi lë të nënkuptohet se paska qenë ai që ka kërkuar ndarjen. Mos njëri prej të dyve po gënjen për gjithë gjënë apo çfarë?
Fjalia e fundit veçanërisht mban një peshë të madhe kuptimore në këngën “Falja”. Sipas Besit, Xhensila i “ka shitur” zemrën e saj një personi tjetër në kohën kur ata kanë qenë me njëri-tjetrin (përndryshe atij s’ka përse t’i duhet t’ia falë), duke nënkuptuar kështu një mungesë besnikërie prej saj. Përdorimi i togfjalëshit “shitje zemre” në vend të “dhënie zemre” i shton edhe më shumë benzinë zjarrit. Lind pyetja: Ka ndodhur tradhtia e supozuar me dikë në pozita të atilla sa u bënka pazar me dashurinë?
Akti i pestë: Xhensila publikon “Baby Amen”
“Të solli Zoti ty për mua, zemrës time të vetmuar i dhe forcë të mbijetojë/ Me shumë trazira të solli furtuna e nëntorit/ ti i bëre lulet që të çelin për mua në vjeshtë/ Gjersa të rritesh bir e të mësosh të vërtetën, unë do të bëj sikur nuk di dhe vetëm do të hesht”
Xhensila duket se qëndron në të njëjtën linjë mendimi si në fillim të dramës. Ajo që zbulohet së fundmi, është se ajo qenka ndjerë e vetmuar gjatë shtatzënisë me djalin, Amen, kohë kur ende ishte e martuar me Besin. Na lë të nënkuptuar kështu se më shumë se fryti i dashurisë, fëmija i dytë ka qenë për çiftin fryt i përpjekjes, përpjekje që fatkeqësisht, duket se nuk mund t’i mbante ata të dy bashkë.
Nga kalimi i gjithë fazave të emocioneve pas ndarjes: mohimi, zemërimi, ngacmimet, depresioni dhe pranimi, duket se ka ndodhur dhe një lëndim tjetër për Xhensilën, që akuzave të ish-bashkëshortit të saj, iu përgjigjet duke i thënë të birit që të rritet në mënyrë që të mos besojë përgënjeshtrimet e të atit.
Gjithsesi, ky ishte deshifrimi ynë, me atë çka na është dhënë publikisht, për dinamikat mes çiftit Xhensila-Besi. Për momentin, kurioziteti ynë drejtohet nga prodhimi i ri i Arbana Osmanit, “Mirëmbrëma yje” në You Tube, në teaser-in e të cilit shfaqet dhe një pamje e shkurtër e Xhensilës së përlotur.
Deri atëherë, ju ftojmë të ndiqni dhe versionin e historisë që i kanë dhënë të rinjtë e Andale-s dinamikave të dyshes Xhensila-Besi, përmes këtij dueti:
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.