Art & Libra

Sugjerimet e Anabel: Librat që duhet t’i kesh në bibliotekën tënde!

Shkruar nga Anabel

12 Nëntor 2024

Sugjerimet e Anabel: Librat që duhet t’i kesh në

Ka disa libra që të marrosin, disa që të lënë me një brengë të madhe, disa që të trondisin, disa të tjerë që flasin për gjëra aq njerëzore si humbja, pendesat, çastet e fundit me njerëzit e dashur dhe fatet e zeza që është thuajse e pamundur t’i ndryshosh. Për këto tematikat e fundit flasin më së miri këto dy libra që duhet t’i kesh patjetër në bibliotekë.
E kemi fjalën për “Edhe një ditë më shumë” dhe “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës”.

“Edhe një ditë më shumë”

Sugjerimet e Anabel: Librat që duhet t’i kesh në

Libri me një fjali

E çfarë s’do të jepnim që të kishim mundësinë të kalonim edhe një ditë më shumë me njeriun tonë më të dashur, që ka ndërruar jetë! Një bir dhe një nënë, që s’jeton më, përshkojnë për të fundit herë jetën dhe zbulojnë sekrete të pathëna kurrë më parë.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

çarli Beneto e adhuronte të atin dhe kurrë s’ka arritur ta pranojë faktin që ai e braktisi familjen. Në moshën 11-vjeçare iu desh të mësonte t’i besonte së ëmës, një gruaje zemërbutë dhe të guximshme. Dekada më vonë, çarli është një njeri i rrënuar që e mbyt vetminë në dhembje dhe në alkool. Një ditë, kthehet në qytezën e lindjes me qëllimin për t’i dhënë fund jetës.

I dëshpëruar, hyn në kuzhinën e shtëpisë së vjetër dhe nuk u zë besë syve kur në kuzhinë e pret e ëma, e vdekur prej tetë vjetësh, me gjithë dashurinë e saj më të madhe se koha.

Ajo që pason është e vetmja ditë “e zakonshme” që shumë prej nesh e dëshirojnë me gjithë shpirt, një rast për t’u pajtuar me një prind të humbur, për të shpjeguar sekretet e familjes dhe për të kërkuar falje. Diku midis kësaj jete dhe tjetrës, çarli mëson shumë gjëra befasuese për të ëmën dhe sakrificat e saj, që s’i ka ditur kurrë. Dhe përpiqet të bëjë bashkë copëzat e shkërmoqura të jetës së tij.

Një roman që të bën të buzëqeshësh, të lëshosh lot përmallimi dhe që na tregon se familja është një histori fantazmash, pengjesh, keqkuptimesh, dhembshurish dhe revoltash. është një parajsë dhe një ferr, ku gjejnë strehë përvojat tona më thelbësore.

Kritika

- "Një libër që ka fuqinë e veçantë të mallëngjejë e të ngushëllojë lexuesit".

The New York Times

"Përmes kësaj historie, Albom vë në plan të parë shenjtërinë e familjes, sakrificën e nënës dhe fuqinë shkatërrimtare të ambicieve personale dhe të egoizmit mashkullor".

Publishers Weekly

"Një histori e thjeshtë, por tepër e fuqishme, prekëse, e dhembshme e mbi të gjitha, shëlbyese. “Edhe një ditë më shumë” është një rrëfim i mrekullueshëm mbi fuqinë e dashurisë dhe rëndësinë e faljes".

Mbi autorin

Mitch Albom është autor i shumë librave, që kanë shitur më tepër se dyzet e një milion kopje, në dyzet e shtatë gjuhë të ndryshme në mbarë botën. Ai ka shkruar tetë vepra, të cilat janë renditur në vend të parë në New York Times bestsellers – përfshirë këtu “Të martat me Morin”, biografia më e shitur e të gjithë kohërave – ka shkruar skenarë filmash televizivë, të nderuar me çmime; drama; skenarë filmash kinematografikë; artikuj për një gazetë kombëtare të sindikatave si dhe një musical.

Nëpërmjet veprimtarisë së tij në Detroit Free Press, u pranua zyrtarisht në National Sports Media Association dhe në këndin e famës të Michigan Sports, ndërsa në vitin 2010 u shpall fitues i çmimit Red Smith për arritjet në jetë. Albom është themeluesi dhe mbikëqyrësi i SAY Detroit, një bashkim ky i nëntë shoqërive me veprimtari të ndryshme bamirëse në qytetin e tij të lindjes, së bashku me një ëmbëltore jofitimprurëse dhe një fabrikë ushqimore për të financuar programet e ndihmës për shtresat më në nevojë në Detroit. Që nga viti 2010, drejton një jetimore në Port-au-Prince, në Haiti, të cilën e viziton çdo muaj. Jeton në Miçigan, së bashku me të shoqen, Janine.

Fragmente nga libri

1)  "Kur e ke dikë në zemër, ai njeri kurrë nuk largohet plotësisht. Dhe mund të ndodhë, që edhe atëherë kur nuk ka më gjasa, të kthehet sërish pranë teje".

2)  "Duke ndërmendur të shkuarën,nis të më shfaqet para syve dita që ime ëmë u nda nga jeta, rreth dhjetë vite më parë. Nuk iu ndodha pranë në çastet e fundit, kur në fakt, duhej të kisha qenë. Kështu që gënjeva. Por doli që nuk veprova mirë. Në një funeral nuk ka vend për të fshehta"

3)  "Fakti që në këtë tekst ndeshni praninë e njëfantazme, mund t’ju shtyjë të mendoni se është veç një histori fantazme dhe aq. Po cila është ajo familje që nuk e ka një histori të tillë? Vetëm duke rrëfyer për të gjithë ata që kemi humbur, do të arrijmë t’i mbajmë gjithnjë pranë vetes".

4)  "Porsi gjithnjë, pas çdo gjëje fshihet një histori. Si ndodhi që një pikturë u gjend e varur në mur, si u bë ajo vrajë në fytyrë. Nganjëherë, ato janë fare të thjeshta, herë të tjera aq të koklavitura sa të copëtojnë zemrën. Por pas të gjitha këtyre ndodhive qëndron historia e nënës, sepse ajo është burimi ku merr jetë vetë historia jonë".

“Jeta e shkurtër e Lukas Santanës”

Sugjerimet e Anabel: Librat që duhet t’i kesh në

Libri me një fjali

Një roman tronditës dhe reflektues mbi të drejtën e jetës, mbi dënimin kapital, mbi jetë të margjinalizuara, mbi fate ogurzeza që zor se mund të ndryshohen.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Lukas Santana është një gangster i ri me origjinë meksikane, ushtar i thjeshtë i një prej bandave më të egra të Rio Grandes, në Teksas. I dënuar padrejtësisht me vdekje, ndonëse nuk ka vrarë askënd, i kalon dhjetë vjetët e fundit të jetës i mbyllur në qeli, në pritje të ekzekutimit. I zhytur në dëshpërim, do të orvatet disa herë të kryejë vetëvrasje. Pranë do t’i qëndrojnë njerëz me humanizëm të jashtëzakonshëm. Mbi të gjitha, Beatris Masedo, e cila do të heqë dorë nga ëndrrat e saj rinore për ta shoqëruar Lukasin në të mirë e në të keq për hir të dashurisë së marrë që ndien për të.

“Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” nuk është thjesht një roman, por historia e vërtetë e një djaloshi teksan, të cilin Donesi e ka shoqëruar përgjatë verës së mbrame të jetës së tij. Ai është një reflektim mbi dënimin kapital dhe mënyrat perverse të shfrytëzimit të sistemit të drejtësisë, mbi kthesat ogurzeza të fatit dhe përpjekjet e dëshpëruara të shtresave të margjinalizuara për të kaluar një prag të pakapërcyeshëm, një pasqyrë e vetëmohimit të grave në çfarëdolloj sistemi. Një roman koral shumë i fuqishëm, që di të risjellë shpresat dhe dështimet personale përtej ligjeve.

Kritika

"Ndoshta pyetja duhet shtruar në nivel njerëzor: a mundet një individ të jetë edhe barbar edhe gjeni? Edhe artist edhe kriminel? Elvira Dones i jep përgjigje, duke u bërë antropologe dhe psikologe, e vrazhdë dhe mikpritëse. Mban përbrenda të gjithë regjistrat e mundshëm të rrëfimit, edhe tani që interesohet për “Ligjin e Bandave”, një tjetër tmerr i sistemit juridik amerikan"

Roberto Saviano, La lettura

"Elvira Dones di të përshkruajë me mjeshtëri situatat (përmes imazheve, tingujve, aromave), por edhe jetë njerëzore të lënduara thellë, të braktisura, të lëna në mëshirë të një fati mizor dhe të padrejtë.

Noi Donne 

"Dhjetë vjet të tmerrshëm, të jetuar mes depresionit dhe dorëzimit, në një alternim gjendjesh shpirtërore që Elvira Dones i rrëfen mjeshtërisht, me një stil plot patos emocional dhe tërësisht e përfshirë në ngjarje".

Naufraghi

Mbi autoren

Elvira Dones është autore e shumë veprave në prozë (romane dhe vëllime me tregime), si edhe gazetare-regjisore filmash dokumentarë e skenariste kinematografike. Ajo shkruan në gjuhën shqipe dhe në italishte. Veprat e saj janë nderuar me çmime të ndryshme ndërkombëtare, letrare dhe gazetare. Në vitin 2014, Dones u shpall shkrimtarja e vitit gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, Kosovë, për romanin “Luftë e vogël e përkorë”.

Botime Pegi ka sjellë për lexuesit “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” (2024), “Ditë e bardhë e fyer” (2017), “Yjet nuk vishen kështu” (2015), “Dashuri e huaj” (2015), I love Tom Hanks (2014).

Fragmente nga libri

1) "Po të shkruaj me dorë edhe ngaqë janë ditët e fundit që po i përdor duart. Sot është e martë, dy tetor, pikë për pikë gjashtëmbëdhjetë ditë para se të vdes. Ideja për të të shkruar një letër që të të mbërrijë një vit më pas më lindi sot në mëngjes, ide e çuditshme apo jo? Hëm, ndoshta do ta kem parë në ndonjë film? Ose ndoshta dua të luaj rolin e kokës së madhe dhe të të befasoj të paktën një herë, siç më ke befasuar ti, gjithnjë më ke befasuar, sepse njerëz të bukur në këtë jetë kurrë s’kam njohur, dhe e kam me tërë mend, kurrë, me përjashtim të familjes sime dhe të Xhefit".

2) "Në mes të atij qelbësirëllëku mësonin seksin, bëheshin dru me bar e drogë dhe, si pa e kuptuar, fillonin të plakeshin. Mu aty, vajzat mbeteshin shtatzëna e nxirrnin nga rropullitë fëmijë që ndonjë riosh farëhedhës ua mbillte në bark e pastaj zhdukej pa nam e nishan. Pas lindjes, nënat e reja ktheheshin bashkë me foshnjat në vendin e gjëmës. Teksa shihnin ato qenie tërë flokë e me lëkurë të zeshkët, të rinjtë mbeteshin memecë dhe bluanin mendime që nuk dinin si t’i lidhnin".

3) "Zemra ime,
Sot na duhet të sillemi si të rritur, unë nga kjo anë e xhamit, ti nga ana tjetër. Do t’ia dalim, Beti, e kur të lexosh këta rreshta e di që do më japësh të drejtë, sepse do kesh kuptuar që ia kemi dalë mbanë vërtet.
Sot s’ka për të më ikur zari, Beti, të betohem, do më shohin. Sot jo e jo. Por mallkuar kjo botë".

4)  "Pas premtimeve lumë për dashuri të përjetshme – të dua të dua të dua; dhe unë çmendem për ty çmendem për ty çmendem për ty – pas seksit dhe djersës, shtrirë në brinjë, bërë njësh me njëri-tjetrin, herë pas here, ajo nuk pipëtinte, as ai. Kish ndodhur sa hap e mbyll sytë, pat menduar Beatrisi, prandaj ndoshta ishte më mirë që, për pak kohë, të mos nxirrnin zë. Kjo punë pat ndodhur shumë shpejt, ishte përsëritur plot herë dhe, meqë s’ishte mësuar me gjëra të bukura, më mirë të mos flisnin, për të mos e trembur, gjënë".