“Njerëz dhe Fate 2” u shfaq në kinema më 1 nëntor, duke rikthyer nostalgjinë time për një serial totalisht shqiptar, i cili më ka emocionuar dhe krenuar për shumë kohë. 20 vite më vonë, kur u përhap lajmi se Arben Derhemi do të risjellë Florin dhe peripecitë e tij, së bashku me shumë prej aktorëve nga seriali i mëparshëm, afërmendsh, mezi prita.
View this post on Instagram
Para se të vijoni me leximin e shkrimit, duhet ta dini se ky artikull përmban spoliers!
Subjekti i filmit tregon ekstradimin e Florian Gurit (Arben Derhemi) në Tiranë. Ai rikthehet në qytet për të bërë lëmsh jetët e familjarëve të tij dhe për të vënë në vend drejtësinë. E motra, Era (Eni Jani), tanimë është e martuar me Tonin (Gentian Zenelaj) dhe kanë sjellë në jetë një bebushe. Gjithashtu, janë prindër të një djali adoleshent. Ndërsa janë duke festuar ardhjen në jetë të vajzës, daja i Erës dhe Florit, i cili njëjtë si në serial luhet nga Alfred Trebicka, u jep lajmin e rikthimit të Florit.
Kështu, ngjarjet nisin të ngatërrohen dhe çuditërisht, të gjithë nisin të flasin për Florin, duke na sjellë një frymë tipike “karakteri kryesor misterioz”, i cili nuk ka një histori specifike të shpjeguar në film, por edhe pas 20 vitesh, me gjithë gjërat që ndodhin vërdallë, mbetet i freskët në memorien e njerëzve. Më tej, Flori krijon miqësi me Besmirin (Artur Gorishti), i cili për mua ishte super personazh. Besmiri, një i burgosur “i hurit dhe i litarit”, e ndihmon Florin në burg dhe organizon një skemë të mirëmenduar për ta nxjerrë atë të pafajshëm nga krimet për të cilat akuzohet.
View this post on Instagram
Në aspektin e një shikueseje, e cila e ka parë edhe “Njerëz dhe Fate”, mund të them që historia ishte le të themi e pranueshme, por ndjeva kudo një “vibe” nga Quentin Tarantino. Në “Njerëz dhe Fate 2”, aksioni ishte prezent dhe kishte situata të cilat mund të të rrëmbenin vëmendjen, por patjetër, një njeri që ka parë pak më shumë se 2 filma nga Tarantino, e kupton menjëherë referencën dhe ndonjëherë, edhe kopjimin.
Ku “Njerëz dhe Fate 2” frymëzohet nga Tarantino?
Në mendimin tim, në disa situata, të cilat do të kujdesem të mos jua bëj spoil:
Dialogu, për të cilin do të flas më gjerësisht në rreshtat në vijim;
Ndërtimi i personazheve – Një personazh si Besmiri, i cili krejt papritur hyn në jetën e personazhit kryesor dhe e ndihmon atë, pa ndonjë qëllim të dukshëm;
Muzika – Për mua, këngët ishin fantastike dhe ky është një bonus për filmin, por në të gjithë filmin vija re një përpjekje të madhe për t'u ngjasuar situatave që veç Tarantino krijon: Aksion, krim, vrasje dhe në sfond një muzikë që nuk lidhet fare me suspancën dhe me skenat.
Batuat – Të jem e sinqertë, unë jam një person që s’para qesh me ndonjë batutë specifike, por mund ta pranoj, në “Njerëz dhe Fate 2” pati momente kur m’u vodh një buzëqeshje. Në total, batutat përdoreshin ku duheshin dhe lidheshin me situatën.
Tani, le të flasim me më shumë detaje se pse ky film nuk ishte fiks ku duhej:
Për mendimin tim, filmat shqiptarë kanë një siklet shumë të madh me dialogun. Herë lidhet mirë, herë i cunguar. Në këtë rast, Arben Derhemi krijonte atmosferën e duhur në film. Nuk them dot të njëjtën gjë për Eni Janin, e cila thoshte fraza të nxituara dhe herë pas here, dukej sikur thjesht donte ta mbaronte fjalinë. Në disa raste, dialogu bëhej klishé, patetik dhe thjesht sa për të mbushur skenat. Në raste të tjera, ishte i këndshëm, rridhte bukur dhe më pëlqente. Megjithatë, më vrau veshin përdorimi i shumtë i fjalës “fije”, e thënë në kuptimin se mafia ishte e futur thellë dhe kishte një mori të infiltruarish në polici, burg, politikë etj.
Në film, siç mund ta keni marrë me mend, ka pasion dhe dashuri. Vesa (Enisa Hysa) është hetuesja e çështjes së Florit. Në të njëjtën kohë, e ngatërruar me anën tjetër, pra, me mafian. Vesa josh Florin dhe i premton se do e ndihmojë që ta nxjerrë nga burgu. Në këtë rast, ajo është një grua fatale, seksi, me vetëbesim, por që karakteri i saj nuk trajtohet shumë gjatë në film. Por, është edhe ajo dashuria e ëmbël dhe përkujdesëse, si e infermieres së burgut (Nevina Shtylla), e cila qysh prej vegjëlisë ka qenë e fiksuar me Florin. Ajo i rrëfehet dhe i thotë se i shkruante letra prej vitesh dhe më pas, Flori shprehet se do t’i lexojë. Kalojmë te skena tjetër: Infermieria shkruan letrat dhe ia çon në burg. Domethënë, letrat nuk ishin shkruar më parë. :)
Kimia mes Arben Derhemit dhe Nevina Shtyllës në këtë film nuk ekzistonte. Por, ndoshta sepse dashuria mund të ishte më e pastër. Megjithatë, mua m’u duk sikur Arbeni dhe Nevina thjesht nuk njiheshin dhe iu dha rasti që të bënin një film bashkë.
Personazhet:
Flori (Arben Derhemi) – Karakter interesant, zëri kumbues dhe i fuqishëm dhe për më tepër, një aktrim goxha i mirë që rregullonte edhe pjesën tjetër të skenave.
Besmiri (Artur Gorishti) – Për mua, një zbulim dhe surprizë fantastike (si personazh)! Më pëlqyen mimikat e tij, qëndrimi dhe fakti që ishte misterioz dhe vepronte në fshehtësi. Besmiri, njëjtë si mafia, kishte spiunët e vet në burg dhe merrte informacione që ndihmonin Florin. Arturi i qëndroi shumë besnik rolit të tij, duke u kthyer në një ndër personazhet e mi të preferuar.
Daja (Alfred Trebicka) – Personalisht, daja i Florit ka qenë një super personazh në serial, gjithnjë për mendimin tim. I heshtur dhe duke vepruar me urtësi, daja vijonte të kishte të njëjtën sjellje dhe me thënë të drejtën, do të doja të ishte zhvilluar ca më shumë si karakter. Daja thoshte shpesh “qetësohu!” edhe kur personazhet nuk ishin aq të shqetësuar.
Era (Eni Jani) – Për Erën s’kam shumë për të thënë, përpos se më jepte njëfarë ankthi teksa e shihja në ekran. Pse? Sepse thoshte fjali të nxituara, herë pas here të rreme dhe më dukej sikur lexonte diku tekstin e saj.
Toni (Gentian Zenelaj) – Toni ishte një gazetar i pavarur, i cili heton çështjen e Florit dhe do që t’i shkojë deri në fund asaj. I drejtë, me parime dhe familjar i rregullt, Toni i shton disa vlera filmit, por në ca raste, do të bëhet më shenjtor se Papa.
Xhemi (Mehdi Malka) – Ai ka qenë shok i ngushtë me Durimin (Robert Ndrenika), babain e Florit dhe Erës, i cili për shkak të pamundësisë nuk ishte në film. Skenaristi, Ruzhdi Pulaha, e mendoi të arsyeshme që Durimi të ndërronte jetë dhe për mua, bëri shumë mirë, duke qenë se kjo është seria e parë dhe nuk ka se si të justifikohet mungesa e babait në film. Xhemi ka një zë të butë, është gjithnjë i kujdesshëm, i varfër, por njeri i mirë. Ai qan e qesh, ka batuta të lezetshme dhe është një personazh i mirë, i cili mund edhe të mos ishte.
View this post on Instagram
Sa u përket personazheve antagonistë:
Profesori (Viktor Zhusti) – Për Viktor Zhustin kam një dashuri shumë të madhe dhe gjithnjë më ka pëlqyer si portret. Në këtë film, e pashë të veshur si në një epokë viktoriane dhe me ca fraza të tepruara. Look-u i tij bërtiste “unë jam një mafioz” dhe kishte ca elemente që teproheshin dhe për mua, ishin bezdisëse.
Spartaku (Neritan Liçaj) – Që të flas troç, mendoja se do të bënte më mirë! Ose se do të kishte më shumë kohë në film. Spartaku, i cili ka qenë shoku i ngushtë i Florit dhe “Juda” i tij, në këtë film, thjesht pinte kokainë dhe nuk tregoi asnjë grimë inteligjence, veprimi, apo vendimmarrjeje. Si një personazh kyç, emri i së cilit mbrohej me shumë fanatizëm, roli i tij ishte si i lënë pas dore.
Vesa (Enisa Hysa) – Një grua fatale dhe hetuese e çështjes së Florit. Te Vesa kemi një dualitet, pasi ajo joshet dhe josh Florin, por nga ana tjetër, punon me mafian. Shumë tipike, apo jo? Vesa i thotë fjalët me shumë vetëbesim, i vendos njerëzit në vendin që u takon, por karakteri dhe dilemat e saj nuk trajtohen në film.
Vajza me motor (Françeska Jaçe) – Mes aktorëve profesionistë, që janë një plus i madh në këtë film, ishin edhe aktore si Françeska Jaçe dhe Ana (Hilda Kërtalli), të cilat, bënë më të mirën, por prapë kishte njëfarë diference shumë të ndjeshme mes tyre dhe aktorëve profesionistë. Nuk kam asnjë kritikë fikse për to, thjesht e ndieja sikletin e tyre në skena përmes ekranit.
Polici (Gent Hazizi) – Një polic i infiltruar nga mafia, i cili spiunonte ato që bënte Flori në burg, për të informuar në kohë reale profesorin. Genti, si aktor ka mimika shumë të bukura, pooor, besoj se edhe ai e di këtë, ndaj i stërpërdor.
Ministri (Ervin Bejleri) – Për mendimin tim, Ervin Bejleri është një antagonist fantastik, pasi ka lëvizjet e një personazhi negativ, si dhe mimikën e duhur. Në momentin final, kontakti që ai bën me kamerën dhe pamja e tij e mbushur me urrejtje dhe dështim, është thjesht drithëruese.
Nëse më duhet ta përmbledh fiks se ç’pashë nga rolet dhe skenat e antagonistëve, do të zgjedh pikërisht fjalën “teprim”. Ku e vura re këtë teprim?
Në skenat e tyre – Një ekzagjërim me marrjen e kokainës, veprimeve dhe gjestikulacioneve të tyre. Si “profesionistë” në përdorimin e kokainës, veç këta personazhe mund të ekzaltohen aq shumë kur vendosin tubin dhe thithin pluhurin që e kanë thithur qindra herë të tjera.
Nuk e di nëse ishte qëllimi i regjisorëve apo jo, por kalimi i planeve dhe ngjyrave nga jeta e përditshme në bazën ku bëhej kokaina, ishte si kalimi në dy filma paralele. Në jetën e përditshme kishte ngjyra të buta, ndërsa në atë të vendeve të mbyllura (njëjtë edhe me burgun), kalonin në disa ngjyra të një filmi tipik korean, ku dominonte jeshilja, e verdha dhe portokallia, gjithsesi, mendoj se ky ishte edhe problemi i tranzicionit.
Tranzicioni i skenave – Meqë ra fjala, tranzicioni i skenave ishte thjesht me pamje me dron. Kaq. Nga njëra skenë tek tjetra kalohej thjesht me një plan droni, duke e bërë situatën përsëritëse dhe aspak kreative. Do të doja të shihja një tranzicion më origjinal, jo një kaq “safe”.
Kostumografia – Sërish, e tepruar! Nga një grua topless tek Ana, e veshur si një studente seksi, e cila hante një lëpirëse ose plaste në çamçakëz, më duhet ta them që prisja të trajtohej disi preferenca dhe fantazia e kriminelëve.
Reklamat – Nëse ka diçka që mua më shqetëson gjithnjë në filmat shqiptarë është vendosja e reklamave. Edhe këtu, si në shumë filma të tjerë, sponsorat ishin vendosur në një mënyrë shabllon, e cila kuptohet menjëherë që kemi të bëjmë me produktet e një sallamerie që është sponsor. Njëjtë edhe me markat e tjera. Do të dëshiroja shumë që një herë, të shihja një film i cili i pozicionon produktet e reklamuara në një mënyrë më inteligjente.
Pamjet – Siç ju thashë edhe më sipër, planet alla Tarantino ishin kudo, por sidomos në xhirimet me close ups, ku në shumë raste, portretet e personazheve nuk shprehnin asgjë, sepse vetë momenti nuk ishte aq dramatik ose seksi.
Disa skena që dukeshin false – Sigurisht, unë e di shumë mirë që një film nuk mund ta ketë çdo skenë të përsosur, por në skenat e aksionit, një film aksion duhet të shkëlqejë. Kur ndodh plagosja e Tonit, atij iu deshën nja ca sekonda që të kuptonte se kishte marrë një plumb. Më tej, ndodh edhe helmimi i Florit dhe skena është thjesht e palidhur mirë. Si dhe sherri në burg...kam të njëjtin përshkrim.
Një element i veçantë – Flori, në një moment, i tregon infermieres se si u arratis nga varrimi i të atit dhe thotë që Era e përqafoi dhe i dha çelësin e prangave. Këtu, nuk rakordohemi në skenë, pasi Era thjesht i kalon çelësin e prangave, duke mos e përqafuar të vëllain.
Referenca nga filmat e tjerë – Përpos ‘vibe-t’ Tarantino dhe filmave koreanë, ndodh edhe një arratisje me gratë e kartelit, të veshura si murgesha dhe patjetër që m’u kujtua filmi “The Town”.
Bisedat në sy të nipit – Nipi i Florit ishte thjesht një adoleshent, por kjo s’ndaloi askënd që të fliste për eliminime, heqje qafe, atentate e drogë në sy të tij.
Efekti special - Te pllakat e varrit të prindërve "të ndjerë" të Florit dhe Erës, mund të kishte një efekt tjetër, pasi ishte dukshëm fals.
View this post on Instagram
Çfarë më pëlqeu?
Më pëlqeu shumë lidhja me serialin e vjetër - 20 vjet më vonë, u ndjeva shumë familjare me Florin, portretin e Erës dhe të dajës. Ishte për mua një rikthim në fëmijëri dhe një histori që vijon bukur dhe me një linjë të këndshme kronologjike.
Më pëlqeu gjithashtu edhe historia e treguar dhe lidhja deri diku me realitetin shqiptar, pasi kështu, ndoqi deri në fund qëllimin e “Njerëz dhe Fate”: të tregonte njerëzit dhe fatet e tyre në një vend si Shqipëria.
Interesant m’u duk edhe flirti i Florit me hetuesen, pasi të dy kishin shumë kimi me njëri-tjetrin. Do të dëshiroja që të vijonte ca më gjatë dhe që Vesa të ishte më e lëkundur mes krimit dhe drejtësisë.
Skema e Besmirit ishte po ashtu qershi mbi tortë. Besmiri, urtë e butë, një njeri tipik i mençur dhe “99-ç”, organizoi një skemë interesante, që ndërroi trajektoren e jetës së Florit. Edhe jeta e tij u tregua bukur, pa glorifikime dhe fjalë të tepërta.
Përzgjedhja muzikore – Mund të them që nga filmat shqiptarë që kam parë rishtazi, në “Njerëz dhe Fate 2”vura re një përzgjedhje shumë të mirë muzikore, e cila ndërthurej shumë mirë me skenat.
Aktrimi – Aktorët profesionistë dhe ata “të vjetrit” përcollën tek unë ndjesi shumë të mira dhe jam shumë e bindur se do ta kuptoni se sa e rëndësishme është të shohësh aktorë të mirëfilltë dhe jo persona që janë trend për momentin.
Në përgjithësi, filmi 115-minutësh ishte i këndshëm, por sigurisht, ka vend për përmirësim. Unë do e vlerësoja 7/10 dhe si gjithnjë, ju inkurajoj të shihni sa më shumë filma shqiptarë. Siç inkurajoj edhe regjisorët, skenaristët e aktorët që kritikat të mos i marrin për ters, por të kuptojnë se janë qasje personale të shikuesit dhe pse jo, t’i marrin si një mënyrë për t’u përmirësuar.
- Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.
Artikuj të sugjeruar: