Prokurori George Gascón sapo ka njoftuar se do të kërkojë lirimin e Erik dhe Lyle Menendez, dy vëllezërit e dënuar për vrasjen e prindërve të tyre.
Gascón u tha gazetarëve se të premten do t’i drejtohet gjykatës për rishikimin e dënimit të Erik dhe Lyle. Duke marrë parasysh moshën e tyre në kohën e krimit, ai do të rekomandojë që të jenë të kualifikuar për lirimin me kusht menjëherë. Kjo do të thotë se nëse një gjykatës e miraton kërkesën, do të vendoset nëse për lirimin me kusht të dy vllezërve.
Sipas Gascón, rishikimi i dënimit është i përshtatshëm sepse Erik dhe Lyle nuk paraqesin rrezik për të kryer krime të tjera. Ai vuri në dukje se Erik ishte 18 vjeç dhe Lyle 21 vjeç kur vranë prindërit e tyre, duke theksuar moshën e tyre të re, por pa justifikuar veprimet e tyre.
Gascón tha se pavarësisht dënimit me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht, vëllezërit janë rehabilituar. Ata kanë qenë model në sjelljen e tyre në burg. Pas 35 vjetësh, ai konsideron se ata kanë shlyer borxhin e tyre ndaj shoqërisë.
Prokurori përmendi një dokumentar të fundit që ka rikthyer interesin e publikut për rastin dhe tha se ky interes e shtyu atë të përshpejtojë vendimin e tij. Një seancë ishte planifikuar për në fund të nëntorit, por Gascón e zhvendosi përpara. Ai është në proces për rizgjedhje më 5 nëntor. Kur u pyet për këtë fakt gjatë konferencës për shtyp të së enjtes, ai refuzoi të komentonte, megjithatë nuk e mohoi lidhjen.
Historia e tyre
Joseph Lyle Menendez, i lindur më 10 janar 1968 dhe Erik Galen Menendez, i lindur më 27 nëntor 1970, janë dy vëllezër amerikanë, të dënuar për vrasjen e prindërve të tyre. Ndonëse ata dëshmuan se e kanë kryer krimin nga frika se i ati do t’i vriste pasi ata e kërcënuar se do të bënin publike dhunën emocionale, fizike dhe seksuale, ndërsa të tjerë aluduan se krimi u krye nga vëllezërit, për të trashëguar pasurinë mijëra dollarëshe të të atit.
Në verën e vitit 1976, kushërira e Lyle dhe Erik, Diane Vander Molen, shkoi në shtëpinë e tyre. Asokohe, Lyle i tregoi se ishte abuzuar seksualisht nga i ati. Vander Molen i tha të ëmës, “Kitty-t”, e cila mori anën e të shoqit, duke thënë se Lyle gënjen. Ajo rikujtoi se prindërit e morën Lyle në një dhomë të veçantë dhe ajo ishte hera e fundit që Diane dëgjoi për akuzat e bëra.
Në vitin 1986, karriera e Jose pësoi një rritje të jashtëzakonshme dhe familja nisi të jetonte në Beverly Hills. Erik kishte një talent të madh në tenis. 2 javë para vrasjes, Erik u regjistrua në “Boy’s Junior National Tennis Championship”. Lyle, nga ana tjetër, nuk kishte rezultate shumë të mira në shkollë dhe u përjashtua për plagjiaturë.
Krimi
Në mbrëmjen e 20 gushtit të vitit 1989, Jose dhe Kitty po qëndronin në rezidencën e tyre, kur Lyle dhe Erik hynë me shotgunë. Jose u qëllua 6 herë, ndërsa Kitty, 10 herë. Para gjuajtjes fatale në faqe, ajo u shtri përtokë, duke qarë pa zhurmë. I biri, Lyle, shkoi edhe një herë te makina e vet, e mbushi shotgun-in dhe u kthye për ta vrarë të ëmën.
Pas krimit, vëllezërit qëndruan në shtëpi, duke pritur policinë, pasi kishin bërë lajmërimin. Kur policia mbërriti, vëllezërit thanë se vrasja u bë gjatë kohës që ata ishin duke parë filmin “Batman” dhe më pas, festivalin “Taste of LA”. Gjatë muajve që pasuan, vëllezërit nisën të bënin një jetë ekstravagante, duke bërë udhëtime, sende të shtrenjta dhe duke mbritur biznese. Ata shpenzuan rreth 700,000 dollarë para arrestimit.
Gjatë procesit të parë të hetimit, policia u mundua të gjente motivet që mund të çonin në vrasjen e Jose dhe Kitty-t, duke e lidhur ngjarjen me ndoshta ndonjë tentativë për vjedhje. Ndërsa hetimi vijonte, u dyshua se djemtë vranë prindërit, me qëllim që t’u merrnin pasurinë. Në tentativë për të marrë një rrëfim nga Erik, policia infiltroi mikun e tij, Craig Cignarelli, i cili drekoi me Erik. Kur Craig e pyeti Erik nëse ai kishte vrarë prindërit, djali e mohoi. Por, Erik e pranoi para psikologut të tij, Jerome Oziel, i cili asokohe ia tha dashnores së vet, Judalon Smyth. Ozel u nda nga Smyth, e cila në nerva e sipër, ia tregoi ngjarjen policisë. Lyle u arrestua më 8 mars 1990, ndërsa Erik u vetëdorëzua 3 ditë më vonë, pasi u kthye nga Izraeli. Të dy djemtë u mbajtën në qeli pa gjyq dhe veçmas.
Vëmendja ndaj çështjes
Çështja e vëllezërve Menendez rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve pasi u ndoq drejtpërdrejt në Court TV në vitin 1993. Avokatja e tyre, Leslie Abramson, tha se vëllezërit vranë prindërit e tyre pasi kishin frikë të jetonin gjithë jetën në abuzim. Ata kishin frikë nga i ati abuzues, i cili u cilësua si pedofil dhe “perfeksionist”. Nga ana tjetër, e ëma u përshkrua si një grua egoiste dhe e paqëndrueshme mendërisht, për shkak të varësive ndaj alkoolit dhe substancave narkotike. Nën efektin e tyre, ajo inkurajonte bashkëshortin që të ishte i dhunshëm ndaj fëmijëve.
Fjalët e avokatës u konfirmuan edhe nga dëshmitë e dy familjarëve. Andy Cano, kushëri, u shpreh se djemtë i kishin treguar për sulmet seksuale, të cilat quheshin “masazhe penisi”. Ndërsa Diane Vander Molen, u shpreh se edhe pse i tha së ëmës së djemve, ajo sërish i injoroi fjalët. Si provë fizike u dha një foto, në të cilën i ati i djemve kishte fotografuar organet e tyre gjenitale, kur ata ishin fëmijë.
Erik dëshmoi se disa javë para natës së vrasjes, i tha të vëllait për abuzimet seksuale që po përjetonin, të cilat çuan në zënka të shumta në familje. Vëllezërit, të cilët dëshmuan se i ati kishte kërcënuar se do t’i vriste nëse nuk i mbanin sekret abuzimet. Ata dëshmuan se sherri i fundit ndodhi pak para se të vrisnin prindërit. Lyle dhe Erik morën shotgun-ët dhe më pas, vranë prindërit.
Ata dëshmuan që i ati i kishte përdhurnuar vazhdimisht dhe se abuzimet ishin të tmerrshme. Djemtë thanë se ishin në dijeni të abuzimeve që i ati u bënte të dyve dhe se gjithë kohën kishin jetuar me frikë dhe panik.