
Blake Lively dhe Justin Baldoni nuk arritën asnjë marrëveshje mbi zgjidhjen e padisë për ngacmim seksual të ngritur nga aktorja të premten, pas një dite të plotë diskutimesh në Gjykatën Federale. Të dy aktorët kryesorë të filmit “It Ends With Us” hynë në gjykatën e New York-ut në mëngjes dhe e kaluan pjesën më të madhe të ditës në salla të ndara në katin e 14-të.
Në fund të ditës, të dy u larguan nga godina mes një turme të madhe gazetarësh, pa dhënë asnjë deklaratë. Bryan Freedman, avokati i Justin Baldoni, konfirmoi për gazetarët se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje. Ai pranoi se një marrëveshje mund të ndodhë ende, por la të kuptohej se kjo ishte thuajse e pamundur.


I pyetur nëse beson se çështja do të shkojë në gjyq, ai tha:
“Po. Mezi po e presim."
Edhe pse të dyja palët kishin pasur më parë seanca ballë për ballë me gjyqtaren Sarah L. Cave, asnjëra prej tyre nuk priste që bisedimet të përfundonin me marrëveshje. Blake Lively e ka akuzuar Justin Baldoni për ngacmim seksual ndaj saj në sheshxhirimin e "It Ends With Us" dhe për bashkëpunim me ekipin e tij të marrëdhënieve me publikun me qëllim organizimin e një fushate shpifjeje kundër saj, pasi ajo kishte paraqitur ankesat.

Gjyqi është caktuar të mbahet më 18 maj. Ndërkohë, gjyqtari i çështjes po shqyrton nëse do ta rrëzojë ose do ta kufizojë padinë e aktores para gjyqit. Ekipi i Baldoni-t ka paraqitur një kërkesë për vendim pa gjykim, duke argumentuar se padia përbëhet nga ankesa të vogla që nuk arrijnë standardin ligjor për ngacmim.
Shpjegim: Kërkesë për vendim pa gjyq – një kërkesë që i bëhet gjykatës për të marrë vendim pa u zhvilluar gjyqi i plotë, duke u bazuar vetëm në ligjin dhe dokumentet e paraqitura, pa analizuar provat dhe dëshmitë e reja.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Blake Lively-t kanë shprehur se edhe aktorë të tjerë kanë pasur ankesa për sjelljen e Justin Baldoni-t në sheshxhirim dhe se akuzat janë të mjaftueshme për t’u shqyrtuar nga trupi gjykues.




