Ish-anëtarët e grupit One Direction kanë shprehur pikëllimin e tyre për humbjen e beftë të Liam Payne, i cili ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare, pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, Argjentinë.
Fillimisht, llogaria e ish-grupit bëri një deklaratë në Instagram, ku u shpreh:
“Jemi totalisht të shkatërruar nga lajmi i vdekjes së Liam. Kur të vijë koha dhe të gjithë të jenë gati, do të flasim më tepër. Për tani, do të marrim ca kohë për pikëllimin dhe procesimin e humbjes së vëllait tonë, të cilin e donim shumë. Kujtimet që kemi ndarë me të do të çmohen përgjithmonë. Sa për tani, mendimet tona janë me familjen, miqtë, fansat që e donin bashkë me ne. Do të na mungojë tmerrësisht shumë. Të duam, Liam, Louis, Zayn, Niall dhe Harry”.
Më pas, ish-anëtarët shprehën gjithashtu ngushëllimet dhe tronditjen e tyre. Louis Tomlinson, në një postim në Instagram, u shpreh se humbi një vëlla.
“Liam ishte dikush me të cilin kontaktoja çdo ditë. Ishte një shpirt kaq pozitiv, gallatë dhe i sjellshëm. E takova për herë të parë Liam kur ishte 16 vjeç, ndërsa unë isha 18 vjeç”, tha ai, duke shtuar se u mrekullua nga zëri i këngëtarit të ndjerë.
“Liam ishte një tekstshkrues fantastik, me një sens të mrekullueshëm të melodisë. Ne flisnim shpesh për një rikthim në studio, për t’u përpjekur të rikrijonim dhe shkruanim sërish me kiminë që ndërtuam në grup (referuar 1D). Liam, për mendimin tim, ishte pjesë ma e gjallë e One Direction. Eksperienca e tij në moshë të re, ritmi i tij perfekt, prezenca në skenë, dhuntia e ti për të shkruar…lista vijon. Faleminderit që na formësove, Liam”.
View this post on Instagram
Gjithashtu, ai shkroi edhe një mesazh direkt për Liam, duke thënë:
“Një mesazh për ty, Liam, nëse më dëgjon. Ndihem jashtëzakonisht me fat që të kam pasur në jetën time, por po më mundon shumë ideja e të thënit lamtumirë. Jam shumë mirënjohës që jemi afruar edhe më shumë që prej grupit, duke folur në telefon për orë të tëra, duke rikujtuar qindra kujtime fantastike që kemi përjetuar bashkë. Do të doja ta ndaja skenën prapë me ty, por nuk ishte e thënë. Dua të të them se nëse Bear (djali i Liam) do të ketë nevojë për mua, do të jem xhaxhai që i duhet në jetë dhe do t’i tregoj histori se sa i mrekullueshëm ishte i ati i tij. Do të doja të kisha shansin të të thoja “lamtumirë” dhe të të tregoja edhe një herë sa shumë të doja. Payno, djali im, një prej miqve të mi më të mirë, vëllai im, të dua mik. Fli qetë”.
Zayn Malik, nga ana tjetër, publikoi disa foto nga pjesëmarrja e grupit në “X Factor”, ku shkroi:
“Liam, e kam kapur veten duke menduar shumë për ty, duke shpresuar se po më dëgjon. Nuk rri dot pa menduar në mënyrë egoiste se ka pasur kaq shumë biseda që duhet të bënim në jetën tonë. Nuk të kam falenderuar kurrë që më ke mbështetur në disa nga periudhat më të vështira të jetës sime. Kur isha 17 vjeç dhe më mungonte shtëpia, ti ishe gjithmonë pranë meje dhe me këndvështrimin tënd pozitiv dhe buzëqeshjen tënde, më bëje me dije se ishe miku im dhe unë ndihesha se më donin”, u shpreh ai.
Më tej, vijoi:
“Edhe pse ti ishe më i ri se unë, ke qenë gjithnjë më i përgjegjshëm se unë”, duke shtuar se Liam-it nuk i interesonte shumë dhe u thoshte njerëzve se kur e kishin gabim. “Kur bëhet fjalë për muzikën, Liam, ti ishe më i kualifikuari në çdo kuptim”.
“Unë humba një vëlla që na la dhe nuk mund të ta shpjegoj se ç’do të jepja që të të përqafoja edhe një herë dhe të të thoja “lamtumirë” në mënyrë të denjë dhe të të thoja se sa shumë të doja dhe të respektoja. Do t’u gëzohem kujtimeve që kam me ty në zemrën time, përgjithmonë dhe nuk ka fjalë që e justifikojnë ose e shpjegojnë se si ndihem tani. Jam mëse i shkatërruar. Shpresoj që kudo që të jesh tani, të jesh mirë, në paqe dhe ta dish se sa shumë të duam. Të dua, vëllaçko”.
View this post on Instagram
Harry Styles, në një deklaratë, u shpreh: “Jam vërtet i shkatërruar nga humbja e Liam. Gëzimi i tij më i madh ishte që t’i bënte njerëzit të lumtur dhe ishte një nder që të isha krah tij. Liam jetoi në mënyrë të hapur, me zemrën në dorë. Ai kishte një energji për jetën, e cila ishte ngjitëse. Ai ishte i ngrohtë, mbështetës dhe jashtëzakonisht i dashur. Vitet që kaluam bashkë do të jenë përgjithmonë ndër vitet më të gëzueshëm në jetën time. Do të më mungosh gjithmonë, miku im i dashur.
View this post on Instagram
Niall Horan gjithashtu publikoi një mesazh në Instagram, duke u shprehur:
“Jam totalisht i shkatërruar nga largimi i mikut tim fantastik, Liam. Thjesht nuk ndihem sikur ka ndodhur. Liam kishte një energji për jetën dhe pasion për punën, të cilat ishin ngjitëse. Ai ishte më i ndritshmi në çdo dhomë dhe gjithnjë i bënte të tjerët të ndiheshin të lumtur dhe të sigurt”.
Më tej, ai tha se nuk pati mundësi t’i thoshte “mirupafshim” dhe ta përqafonte mikun e tij të ndjerë në mbrëmjen e 2 tetorit, kur Payne shkoi në koncertin e Horan në Argjentinë.
View this post on Instagram
Payne u gjet i i pajetë pas rënies nga kati i tretë i hotelit. Ai ndodhej në Argjentinë për të ndjekur një koncert të ish-anëtarit të grupit, Niall Horan.
Payne u bë pjesë e grupit One Direction në moshën 16-vjeçare. Gjatë asaj periudhe, ai shpesh ka folur për betejën e tij me alkoolin dhe ilaçet që ai merte. Ai gjithashtu, është përballur edhe me mendime vetëvrasëse gjatë turneve të grupit.
Artikuj të sugjeruar: