
Sulmi me bombë në Stamboll: Militantët kurdë mohojnë pretendimet e Turqisë

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ka mohuar çdo rol në sulmin në një rrugë kryesore tregtare në Stamboll, menjëherë pasi zyrtarët fajësuan militantët kurdë për shpërthimin vdekjeprurës. Gjashtë persona vdiqën dhe 81 u plagosën kur bomba shpërtheu. Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Bekir Bozdag, tha se "një grua u ul në një stol për 45 minuta" dhe se shpërthimi ndodhi disa çaste pasi ajo u largua.
PKK mohoi përgjegjësinë për sulmin. "Ne nuk kemi asnjë lidhje me këtë incident dhe dihet mirë nga publiku se ne nuk do të synonim drejtpërdrejt civilët ose nuk do të miratonim veprimet e drejtuara kundër civilëve," thanë ata, në një deklaratë që i atribuohet komandës së Qendrës së Mbrojtjes Popullore, krahu i armatosur i grupit, i cili është i ndaluar në Turqi, SHBA dhe BE.
Lufta Rusi-Ukrainë: Volodymyr Zelenskiy detajon “formulën e paqes”

Presidenti i Ukrainës ka postuar një deklaratë në kanalin e tij Telegram, në vijim të komenteve që u bëri udhëheqësve të G20. “Ekziston një formulë ukrainase për paqen. Paqe për Ukrainën, Europën dhe botën. Dhe ka një sërë zgjidhjesh që mund të zbatohen për të garantuar realisht paqen,” shkroi ai.
“Pra, propozimet e Ukrainës:
1. Siguri ndaj rrezatimit bërthamor.
2. Siguri ushqimore.
3. Siguri energjitike.
4. Lirimi i të gjithë të burgosurve dhe të internuarve.
5. Zbatimi i Kartës së OKB-së dhe rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe rendit botëror.
6. Tërheqja e trupave ruse dhe ndërprerja e armiqësive.
7. Rivendosja e drejtësisë.
8. Anti-ekocid.
9. Parandalimi i përshkallëzimit të situatës.
10. Fundi i luftës.”
Shkrimtari Roberto Saviano shkon në gjyq për komentet në lidhje me kryeministren e Italisë

Shkrimtari italian Roberto Saviano do të dalë në gjyq të martën pasi e quajti kryeministren e re të Italisë, Giorgia Meloni, një "bastarde" sepse ajo ka thënë më parë se varkat e OJQ-ve që tentuan të shpëtonin refugjatët duhet të fundosen.
Meloni, liderja e Brothers of Italy, një parti me origjinë neofashiste, e cila tha se Roma duhet të "riatdhesojë emigrantët dhe të fundosë varkat që i shpëtuan", paditi Savianon për shpifje kriminale. Vitin e kaluar një gjykatës në Romë vendosi që shkrimtari duhet gjykuar.
Saviano, i cili jeton i mbikëqyrur nga policia dhe ka qenë i fshehur nga mafia napolitane, Camorra, që nga viti 2006 pasi u kërcënua nga mafiozët pas botimit të librit të tij Gomorrah, përballet me tre vjet burg. Në një intervistë të mëparshme me Guardian, Saviano, i cili ka kritikuar vazhdimisht trajtimin e emigrantëve në Itali, tha: “Nëse më dënojnë, do të mbaj përgjegjësi për fjalët e mia, por kurrë nuk do të pendohem që mbrojta ata që nuk kanë zë.”
Çështja e privatësisë: Google do të paguajë afro 392 milionë dollarë për 40 shtete në SHBA

Google ka rënë dakord për një marrëveshje prej 391.5 milionë dollarësh me 40 shtete për të zgjidhur hetimin se si kompania gjurmonte vendndodhjet e përdoruesve. Hetimi i shteteve nisi nga një raportim i Associated Press në vitin 2018, që zbuloi se Google vazhdoi të gjurmonte të dhënat e vendndodhjes së njerëzve edhe pasi ata kishin çaktivizuar opsionin që gjurmon historikun e vendodhjes. Prokurorët e përgjithshëm e quajtën marrëveshjen një fitore historike për konsumatorët dhe zgjidhjen më të madhe shumështetërore në historinë e SHBA-së që ka të bëjë me privatësinë.
Gjurmimi i vendndodhjes mund të ndihmojë kompanitë që t'u shesin reklama dixhitale klientëve që kërkojnë të lidhen me konsumatorët afërt tyre.
Talebanët urdhërojnë zbatimin e interpretimit të tyre të ligjit të Sheriatit në Afganistan

Talebanët kanë urdhëruar gjyqtarët në Afganistan që të imponojnë plotësisht interpretimin e tyre të Ligjit të Sheriatit, një veprim për të cilin ekspertët mendojnë se do të çojë në një përkeqësim të mëtejshëm të të drejtave të njeriut.
Zbatimi i doktrinës nga talebanët, kur grupi ishte për herë të fundit në pushtet nga viti 1996 deri në 2001, përfshinte dënime të dhunshme, të tilla si ekzekutime publike, gjuajtje me gurë, fshikullime dhe amputime.