Lindja e Mesme/ SHBA dërgon trupa shtesë në rajon
SHBA ka dërguar me mijëra ushtarë shtesë në rajonin e Lindjen e Mesme, duke synuar kështu rritjen e mbrojtjes për Izraelin, nëse është e nevojshme, u shpreh Pentagoni. Forcat shtesë do të përbëhen gjithashtu nga pjesëtarë të disa njësive të avionëve luftarakë.
Vendimi për të dërguar të tjerë ushtarë në Lindjen e Mesme vjen pas përkeqësimit të situatës mes Hezbollahut dhe Izraelit. Tanimë, është më prezente se kurrë frika e një lufte që do të shtrihet në të gjithë rajonin, pasi grupimi i shpallur terrorist dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme të shpeshta e të shumta. Gjithashtu, Izraeli ekzekutoi edhe udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Kinë/ Sulm terrorist në një supermarket; 3 të vdekur dhe 15 të lënduar
Në Shangai, një burrë shkoi në një supermarket Walmart dhe qëlloi me thikë disa persona, duke lënë të vdekur 3 prej tyre dhe duke plagosur 15 të tjerë. Policia kineze arrestoi në vendngjarje Lin, një burrë 37 vjeç. Ai ishte me origjinë kineze dhe kishte shkuar në Shangai për të shfryrë mllefin për një mosmarrëveshje ekonomike personale. Megjithatë, hetimet për çështjen po vijojnë të kryhen.
Policia u shpreh se personat që ndërruan jetë morën ndihmën e duhur në spital, por për shkak të plagëve të marra, nuk ia dolën të mbijetonin. Ndërsa personat e lënduar nuk kishin marrë plagë kërcënuese për jetën.
Liban/ Izraeli nis operacionin tokësor
Izraeli nisi një sulm të kufizuar, këtë herë këmbësor, kundrejt Hezbollahut. Forcat izraelite mësynë në tre zona në veri të Libanit, të cilat cilësohen si “zona të mbyllura ushtarake”. Ushtria izraelite u shpreh se objektivat e saj, pra militantët e Hezbollahut, ndodheshin në fshatrat afër kufirit dhe përbënin një kërcënim serioz për komunitetet izraelite në veri të vendit.
Ushtria gjithashtu pretendoi se do të bëjë sulme të sakta, duke goditur vetëm objektivat. Ndërkohë, banorët në Aita al-Shabit, njoftuan për sulme me artileri të rëndë, prezencë helikopterësh e dronësh. Izraeli njoftoi edhe SHBA për operacionin që po ndërmerr, duke e konsideruar si “operacione të kufizuara, të përqendruara në infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit”.
Izrael/ Benjamin Netanyahu u dërgon mesazh iranianëve
Benjamin Netanyahu ka publikuar një video, në të cilën u dërgon një mesazh banorëve iranianë, duke u thënë se në fakt, Izraeli është me ta, ndërsa vendi i tij ka shtuar sulmet ushtarake kundrejt grupeve që janë të mbështetura nga Irani (Hamasi në Gaza, Hezbollah në Liban dhe Houthi në Jemen).
Në videon që zgjat 3 minuta dhe është postuar në X, Netanyahu hedh akuza kundrejt regjimit të Iranit dhe liderit suprem, i cili po e zhyt rajonin gjithnjë e më shumë drejt luftës. Megjithatë, Netanyahu nuk e kursen një kërcënim, duke thënë: “Izraeli mund të arrijë kudo në Lindjen e Mesme dhe nuk do të ndalet për të mbrojtur popullin dhe tokën e tij. Kur Irani të jetë më në fund i lirë, një moment që do të vijë shumë më shpejt sesa njerëzit mendojnë, do të ketë paqe midis dy vendeve”, u shpreh ai, duke thënë se Irani do të lulëzojë si asnjëherë më parë.