
Ellen DeGeneres ka zbuluar se është diagnostikuar me osteoporozë, OCD (çrregullim obsesiv-kompulsiv) dhe ADHD (çrregullim i deficitit të vëmendjes/hiperaktivitetit).
Fituesja e çmimit Emmy foli për problemet e fundit mbi shëndetin e saj ndërsa diskutonte mbi moshën në një komedi me titull "For Your Approval", që u shfaq në Netflix këtë javë.
DeGeneres mësoi se ishte me osteoporozë, një sëmundje që shkakton dobësimin e kockave duke çuar deri në thyerje të tyre, pasi bëri një test të rastësishëm të densitetit të kockave.
"Unë as nuk e di se si po qëndroj në këmbë tani," tha DeGeneres me humor. “Unë jam si një kështjellë njerëzore që mund të shembem në dush.”
Ylli televiziv shtoi se përtej osteoporozës, mjekët kanë konstatuar se ajo vuan edhe nga artriti.
“Pata dhimbje torturuese një ditë dhe mendova se këputa një ligament apo diçka tjetër dhe bëra direkt një skaner. Mjekët më thanë se nuk është krisje apo thyerje, por artrit,” tha ajo.
Sa i përket çrregullimit obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe çrregullimit të deficitit të vëmendjes/hiperaktivitetit (ADHD), DeGeneres zbuloi se ajo ishte diagnostikuar me këto çrregullime kur ishte në terapi, pas pretendimeve se krijoi një mjedis pune toksik për punonjësit e saj, me qasje frike dhe racizmi.

"Unë isha në terapi për një periudhë kohë duke u përpjekur të përballoja gjithë urrejtjen që po më vinte. Dhe ju e dini, nuk ishte një situatë e zakonshme për t’u trajtuar nga një terapist. Kur shoh pas tani mendoj që babai im ka pasur me siguri OCD. Ai kontrollonte dorezën e derës 15 herë para se të iknim nga shtëpia, hiqte nga priza gjithçka etj.”
Komediania e njohur shtoi se pavarësisht moshës dhe gjithë problemeve shëndetësore dhe çrregullimeve, ajo po e përballon në mënyrën e duhur çdo sfidë.
“Pra, unë kam ADHD dhe OCD, po humbas kujtesën time. Por mendoj se jam përshtatur mirë me gjithë këtë situatë, pavarësisht se jam e fiksuar pas çdo detaji dhe çdo gjëje,” përfundon ajo.
Artikuj të sugjeruar:
Burimi: New York Post