Çështja e reperit Sean “Diddy” Combs ka fiksuar internetin, për shkak të detajeve tronditëse që kanë dalë në dritë. Reperi, edhe pse së bashku me palën mbrojtëse, këmbëngulën se ai është i pafajshëm, sërish po qëndron në burg dhe është nën vëzhgim të vazhdueshëm nga ekspertë, pasi ekziston rreziku që të kryejë vetëvrasje. Detajet mbi të gjithë rastin e tij janë të shumta dhe ndonjëherë dhe konfuzuese, ndaj po e nisim që nga fillimi:
Dëshmia e Cassie
Rasti është shokues dhe patjetër, ka ngjallur interes të madh tek opinioni publik. Reperi është akuzuar disa herë për dhunë seksuale dhe trafikim, por një ndër akuzat më tronditëse ishte ajo e Casandra Ventura-s (Cassie), e cila dha detaje të shumta mbi marrëdhënien abuzive 10-vjeçare mes saj dhe reperit.
Në nëntor të vitit 2023, ajo pretendoi se gjatë marrëdhënies së tyre, ai e sulmoi disa herë - duke e rrahur dhe përdhunuar egërsisht - dhe kontrolloi çdo aspekt të jetës së saj. Ajo u përball me "një cikël abuzimi, dhune dhe trafikimi seksual" derisa marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2018, sipas padisë.
Cassie tha në një deklaratë për Times se pas “viteve në heshtje dhe errësirë”, ajo ishte “më në fund gati të tregonte historinë dhe të fliste për veten dhe për të mirën e grave të tjera që përballen me dhunë dhe abuzim në marrëdhënie”.
Padia tronditëse përshkruante detaje të errëta të marrëdhënies së tyre, në të cilën Combs fitoi kontrollin e jetës së saj personale dhe profesionale dhe e nënshtroi atë ndaj dhunës për vite me radhë, takimeve seksuale të detyruara dhe kërcënimit të vazhdueshëm.
Diddy filloi të ndiqte në mënyrë agresive Cassie-n, e cila nënshkroi një kontratë me kompaninë e tij, “Bad Boy Records”, në moshën 19-vjeçare dhe shpejt u bë e famshme, thuhej në padi. Cassie pretendonte se Diddy shkoi në festën e 21-vjetorit të saj, e puthi me forcë dhe menjëherë ushtroi fuqinë dhe ndikimin e tij.
Për shkak të statusit të tij si themelues i “Bad Boy Records”, pretendonte padia, Cassie mendoi se nuk mund të refuzonte kërkesat - ose ofertat për drogë - pa rrezikuar karrierën e saj. Ajo pretendonte se ai e joshi atë me apartamente, veshje dhe e futi në rrugën e drogës, një mënyrë për ta mbajtur “të kënaqur dhe të bindur”.
Ai u bë kontrollues dhe abuziv, sipas padisë, duke e goditur shpesh me grushta e shkelma. Ai dyshohet se e detyroi Cassie-n të mbante armët e tij në çantë në të paktën dy raste. Pretendohej gjithashtu se 54-vjeçari e detyroi Cassie-n të përfshihej “rregullisht në akte seksuale me burra që ishin punonjës seksi”, të cilat më pas, Diddy i fotografonte dhe i filmonte. Asaj iu dha drogë para dhe gjatë akteve seksuale, duke e lejuar të "shkëputej gjatë këtyre takimeve të tmerrshme", sipas padisë.
Cassie ishte viktimë e trafikimit seksual, pasi asaj iu kërkua të kryente akte seksuale të detyruara në qytete të shumta, thuhej në padi. Gjithashtu, pretendohej se në vitin 2015, Diddy e rrahu Cassie-n aq rëndë sa kur roja e tij e sigurisë dhe ndihmësi i saj panë “dy sy të zinj, një buzë të plasur dhe të mavijosur dhe një gërvishtje të madhe në ballë”, ata u përlotën.
Ai përdori kërcënimin për dhunë të mëtejshme si dhe rrjetin e tij për ta mbajtur Cassie-n në marrëdhënie sa herë që ajo përpiqej të largohej, sipas padisë. Pasi ajo filloi një lidhje të shkurtër me Kid Cudi-n në vitin 2012, Diddy dyshohet se hodhi në erë makinën e reperit. Kid Cudi konfirmoi ngjarjen për New York Times, duke thënë: "Kjo është e gjitha e vërtetë".
Deri në vitin 2018, Cassie ishte e dëshpëruar për t'i dhënë fund marrëdhënies së tyre. Pas një darke ku besonte se do të diskutonin çështjen, Diddy u fut me forcë në shtëpinë e saj dhe e përdhunoi, sipas padisë. Menjëherë pas kësaj, ajo u largua nga shtëpia, të cilën ai e kishte paguar, i ktheu makinën që i kishte blerë dhe u nda përfundimisht. Dëmet dhe traumat që përjetoi kanë kërkuar "kujdes intensiv mjekësor dhe psikologjik".
Më pas, Cassie, për arsye të paditura, e tërhoqi akuzën, duke u përballur me komente të tipit: “Ajo po gënjen”; “E gjitha është e pavërtetë” etj, derisa doli në dritë një video me episode të rënda dhune, ku konfirmoi se në fakt, Diddy e kishte dhunuar Cassie-n.
Videoja ku Diddy dhunon Cassie-n
CNN publikoi në maj 2024, ekskluzivisht një video të vitit 2016, ku Sean “Diddy” Combs shihej duke dhunuar partneren e tij asokohe, Cassie Ventura. Sekuenca filmike e xhiruar nga disa kamera, mbante datën 5 mars 2016 dhe ishte realizuar nga kamerat e sigurisë së një hoteli (tashmë i mbyllur) në Los Angeles.
Në video, Diddy shihej teksa dilte nga dhoma e hotelit për t’u drejtuar tek ashensorët me një peshqir të lidhur rreth belit, në ndjekje të Ventura-s. Ai e kapi nga qafa dhe e përplasi në tokë. Më pas, u kthye për ta goditur disa herë me radhë me shqelma. Pasi mori nga toka çantën dhe valixhen e saj, muzikanti u kthye për ta goditur sërish, teksa Ventura gjendej e shtrirë dhe nuk reagonte. Më pas, e tërhoqi ish-të dashurën për t’u drejtuar te njëra dhomë e hotelit. Situata u bë edhe më e rëndë kur Diddy shihej nga reflektimi i një pasqyre teksa e godiste atë me disa objekte të tjera.
Reagimi i “Diddy”-t
“Diddy” reagoi përmes një videoje, pas ngjarjes shokuese, ku u shpreh:
“Për mua është shumë e vështirë të reflektoj në një prej periudhave më të errëta të jetës. Por duhet ta bëj. Ishta shumë rëndë asokohe. Dua të them se kisha prekur fundin, por nuk dua të justifikohem. Sjellja ime në atë video është e pafalshme. Marr përgjegjësi të plotë për veprimet e mia në atë video”.
Ai vijoi:
“Jam i neveritur! Ndihesha ashtu atëherë, ndihem njësoj edhe tani. Kam kërkuar ndihmë profesionale. Kam nisur terapinë, shkova edhe në rehabilitim, sepse duhej t’i kërkoja Zotit të më falte, më duhej mëshirë”. Ai nuk e përmendi në asnjë moment emrin e Ventura-s në video dhe nuk i kërkoi asaj falje, por shkroi: “Më vjen vërtet keq”.
Akuzat e tjera
Joie Dickerson-Neal
Dëshmia e Cassie-t frymëzoi gratë e tjera që të shprehnin episodet e dhunës që kishin përjetuar nga “Diddy”. Reperi u padit sërish nga një grua, e cila pretendonte se ai e kishte droguar, sulmuar seksualisht dhe më tej, regjistruar sulmin pa dijeninë e saj, ndërsa ajo ishte ende studente. Sipas saj, ngjarja kishte ndodhur në vitin 1991.
Joie Dickerson-Neal pretendonte se më 3 janar 1991, “Diddy” abuzoi seksualisht me të. Padia thoshte se ai e drogoi qëllimisht duke e lënë të paaftë për të qëndruar në këmbë ose për të ecur. Reperi dyshohet se e çoi në një vend kur po qëndronte për ta sulmuar seksualisht, sipas dosjes.
Padia thoshte se Joie ndihej “e poshtëruar dhe e lënduar, megjithatë ajo nuk mundi t’i shpëtonte sulmit” dhe për shkak se se ishte droguar, ajo u shpreh se “i mungonte aftësia fizike ose aftësia mendore për të ndaluar Combs”. Gjithashtu, pretendohej se ajo ishte viktimë e "pornografisë hakmarrëse" dhe Combs akuzohej se kishte regjistruar sulmin seksual.
Joie Dickerson-Neal dhe Combs kishin miq dhe të njohur të përbashkët dhe ajo ishte shfaqur me Combs në disa klipe të një videoje muzikore, thuhej në padi. Ajo nuk e raportoi sulmin në polici sepse ishte konfuze, kishte dhimbje dhe ndihej e turpëruar.
Rodney “Lil Rod” Jones
Rodney “Lil Rod” Jones, 54 vjeç, i njohur si producent dhe videograf i reperit prej vitesh, iu drejtua gjykatës në New York për të detajuar akuzat mbi ngacmim seksual, drogim dhe kërcënim nga ana e “Diddy”-t.
Jones kërkoi 30 milionë dollarë dëmshpërblim nga kjo padi. Sipas dokumenteve që “People” siguroi, Jones ka prodhuar 9 këngë të albumit të ri “Love” për reperin nga viti 2022-2023.
Ish-punonjësi deklaroi se ka qenë shume shpesh në udhëtime dhe vende të ndryshme jashtë shtetit me Combs. Gjatë gjithë kësaj kohe, sipas tij, i është dashur të dëshmojë shumë situata problematike që shkonin përtej rolit si producent.
Djali i rritur i reperit dhe disa punonjës të tjerë të besuar të tij ishin po ashtu pjesë e padisë së ngritur. Jones kishte prova me video për përfshirjen e reperit dhe personave të afërt të tij në disa aktivitete të paligjshme.
Crystal McKinney
Modelja Crystal McKinney ka rrëfyer se reperi e ka detyruar t’i bëjë seks oral pas një eventi në 2003-shin. Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga TMZ, modelja e cila atëherë ishte 22 vjeç e ka takuar reperin në të famshmin “Cipriani” në New York. Më pas, reperi e ftoi në studio dhe së bashku me disa miq, ata konsumuan alkool dhe kanabis. McKinney deklaroi se në të vërtetë cigarja ishte tepër e fortë dhe dyshon se reperi e ka bashkuar me një lëndë tjetër narkotike.
Edhe pse sipas modeles të gjithë ishin në gjendje deliri, “Diddy”, i kërkoi ta ndjekë nga pas në formë urdhërore dhe pasi shkuan në tualet, i kërkoi seks oral. Kur Crystal nuk pranoi, ai i mori me forcë kokën dhe ia uli për ta detyruar.
Pas kësaj ngjarje, modelja zbuloi se humbi ndjenjat dhe e kuptoi më vonë se ishte abuzuar. Pas ngjarjes, McKinney deklaroi se ka vuajtur nga depresioni dhe se ka tentuar të vrasë veten. Modelja është vetëm një nga shumë padi të ngritura karshi “Diddy-t”, të cilët e akzuojnë reperin për dhunë dhe abuzim seksual.
Adria English
Adria English akuzoi reperin se ai e kishte shtyrë të bënte seks me Jacob Arabov, i cili kujdesej për bizhuteritë e tij. Adria English u shpreh se e ka takuar për herë të parë “Diddy-n” në vitin 2004, kur i dashuri i saj i atëhershëm mori pjesë në audicionet për modeling. Më tej, ajo tha se Combs i tha të ish-të dashurit të saj dhe një modeleje tjetër që të performonin seks oral, në mënyrë që të fitonin vendin e punës, gjë që ata e refuzuan.
Më pas, English tha se ish-it të saj do t’i jepej një shans i dytë nëse ajo pranonte që të punonte nëpër festat e “Diddy-t” në Hamptons. English, e cila ka qenë aktore e filmave për të rritur, me pseudonimin “Omunique”, e pranoi ofertën. Ajo nisi të punonte nëpër festa rregullisht dhe sipas saj, duhej të flirtonte me të ftuarit, të konsumonte pije alkoolike dhe substanca narkotike si ekstazia. Ajo u shpreh se fillimisht nuk kryente marrëdhënie seksuale me të ftuarit, por një mbrëmje, Combs e urdhëroi që të flinte me Jacob Arabov.
Pasi u detyrua të kryente marrëdhënie me Arabov, ajo tha se “Diddy” e uroi dhe i dha 1,000 dollarë. Ajo pranoi se kjo s’ndodhi vetëm një herë dhe se reperi i hitit “I’ll Be Missing You” i solli edhe të ftuar të tjerë. Ajo akuzoi disa njerëz për ngacmim seksual, të cilët nuk i përmendi në padi.
Bastisja e shtëpive të “Diddy-t”
Shtëpitë e Sean Diddy Combs në Los Angeles dhe Miami u bastisën nga Siguria Kombëtare gjatë marsit 2024, për të marrë prova për hetimin e vazhdueshëm ku ai akuzohet për trafikim seksual.
Agjentët federalë u panë duke mbërritur në pronat e reperit në lagjen luksoze “Holmby Hills” në Los Angeles dhe Miami. Në një video të siguruar nga TMZ, agjentët federalë grumbulluan sende nga pronat e tij, ndërsa sipër shtëpive fluturonin helikopterë të shumtë.
Çfarë u gjet në shtëpitë e tij?
Në shtëpitë e ikonës së muzikës u gjetën 1,000 shishe me vaj bebesh, të cilat përdoren edhe si lubrifikantë. Pretendohet se vaji përdorej edhe për të bërë dyshemetë të rrëshqitshme, në mënyrë që gratë e dhunuara ta kishin të pamundur të largoheshin nga shtëpitë e tij.
Gjithashtu, u gjetën edhe një numër i konsiderueshëm të lodrave seksuale dhe dildove. Sigurisht, ky detaj u bë meme në internet. :)
Lidhja e Justin me Diddy-n
Justin Bieber, për ca kohë, ka qenë “çunaku i preferuar” i reperit “Diddy” dhe nuk janë të pakta videot që qarkullojnë nëpër internet se reperi, shpeshherë e ka marrë Justin në festat e tij “të çmendura”. Një një video të shkurtër të publikuar në mars të këtij viti, “Diddy” shfaqet krah Justin, duke thënë: “Atje ku do shkojmë sot dhe çfarë do bëjmë është informacion që nuk mund ta ndajmë me ju, por mund të them që është ëndrra e çdo 15-vjeçari”.
Më tej, shprehet se ai dhe Justin do të bënin gjëra të çmendura.
Atëherë videoja qarkulloi kudo nëpër rrjetet sociale dhe njerëzit ishin goxha të shqetësuar për raportin e tyre. “Kjo është e frikshme. Ku ishin prindërit e Justin? Dhe Usher jetonte me Diddy-n kur e solli”, shkroi dikush asokohe. “Dikush duhet të sigurohet se Justin është mirë”, tha një tjetër; “Kjo video është shumë shqetësuese. Diddy mund të jetë veç maja e ajsbergut. Kushedi sa fëmijë janë përfshirë”, u shpreh një i tretë.
What did The Diddler do to Bieber? pic.twitter.com/8blZaJuczF
— RyanFJBLGB??? (@RyanPatrick1991) March 26, 2024
Më pas, një tjetër video virale qarkulloi, ku reperi “Diddy” takoi këngëtarin në studio dhe e pyeti se pse Justin ishte distancuar prej tij: “Ç’bën o burrë, a je mirë? Duke shitur bileta nëpër arena? Ke nisur të sillesh ndryshe, huh? S’më ke marrë më në telefon që të dalim si kemi dalë më parë”, thoshte “Diddy” dhe më pas, nxori telefonin dhe shkroi numrin e vet.
Tanimë, thuhet se të dy artistët i kanë shkëputur lidhjet me njëri-tjetrin dhe një burim tha për “People” se Justin është përqendruar në ndodhinë më të rëndësishme të jetës së tij, atë të të qenit baba. “Justin është në dijeni të arrestimit të Diddy-t dhe të të gjitha akuzave, por nuk do të përqendrohet te kjo. Ai, që kur lindi bebi Jack, është në një flluskë të lumtur dhe do të përqendrohet në të qenit një baba dhe bashkëshort fantastik”.
Arrestimi i “Diddy-t”
Sean “Diddy” Combs u arrestua nga policia e New York-ut, teksa po qëndronte në një hotel. Arrestimi i tij erdhi pas akuzave të shumta dhe hetimit që është ende në proces dhe ai akuzohet për trafikim, përdhunim dhe dhunë. Një burim tha për “Page Six" se: “Ikona e hip-hop bashkëpunoi me policinë”.
“Ne jemi të zhgënjyer me vendimin për të bërë atë çka ne besojmë se është një persekutim i padrejtë ndaj z. Combs”, u shpreh avokati i tij, Marc Agnifilo.
Më tej, vijoi:
“Sean “Diddy” Combs” është një ikonë në muzikë, sipërmarrës ‘self-made’, një burrë familjar i dashur dhe një filantrop i njohur, i cili ka kaluar 30 vitet e fundit duke ndërtuar një perandori, duke adhuruar fëmijët dhe duke mbështetur komunitetin e njerëzve me ngjyrë. Ai është një njeri joperfekt, por nuk është një kriminal. Z. Combs ka bashkëpunuar me hetimin”.
Agnifilo shtoi se duhet riparë vendimi derisa prokurorët të kenë të gjitha faktet. “Këto janë veprime të një burri të pafajshëm, i cili nuk ka asgjë për të fshehur dhe po pret që të pastrojë emrin e tij në gjyq”.
Vendimi i gjykatës
Reperi 54-vjeçar u paraqit në gjykatën federale në Manhattan më 17 shtator 2024, ku tha se është i pafajshëm. Ai dhe pala mbrojtëse u shprehën se akuzat nuk ishin të vërteta dhe se reperi nuk është fajtor.
Megjithatë, Sean "Diddy" Combs u la në burg pa kusht, për shkak se ekziston rreziku që ai të largohet nga vendi dhe për më tepër, paraqet rrezik për publikun. Prokurorët e akuzojnë Combs për krijimin e një “sipërmarrjeje kriminale”, anëtarët e së cilës, nën drejtimin e tij u përfshinë në trafikim seksual, rrëmbim, zjarrvënie dhe marrje ryshfeti.
Combs dhe ekipi i tij mbrojtës i mohuan akuzat. Ndërkohë, pritet gjyqi ndaj reperit dhe nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim që nga 15 vjet deri te dënimi i përjetshëm.
“Diddy” në gjendje të rënduar psikologjike
Sipas “People”, reperi Sean “Diddy” Combs është vendosur në kujdes intensiv dhe ruhet nga ekspertët sepse ekziston rreziku që të kryejë vetëvrasje, pasi gjykata e la në qeli.
Një burim tha për “People” se vendimi është marrë që të parandalohet një tragjedi, pasi Combs është i shokuar dhe në një gjendje jo shumë të mirë mendore. Ai po vëzhgohet vazhdimisht nga ekspertët. Reperi 54-vjeçar po mbahet në “Metropolitan Detention Center”, në Brooklyn dhe sipas "New York Times" (NYT), qendra është hapur në vitin 1994 dhe mban 1,200 njerëz.
Shpeshherë, në këtë vend janë raportuar raste të shumta dhune, kushte të vështira, mungesë e higjienës dhe raste vetëvrasjeje.