Mendja

Metoda “Monotasking”: Si të rrisni produktivitetin dhe përqendrimin

Shkruar nga Anabel

19 Shtator 2024

Metoda “Monotasking”: Si të rrisni produktivitetin dhe

Në botën e biznesit “multitasking” (të bërit të shumë gjërave në të njëjtën kohë) është një aftësi e dëshirueshme, por shkenca e ka përgënjeshtruar këtë mit. Kur përpiqemi të bëjmë shumë gjëra njëkohësisht, rezultati është shpesh një ulje e produktivitetit dhe një rritje e numrit të gabimeve. Kjo ndodh për shkak të kufizimeve natyrore të trurit tonë që nuk mund të përqendrohet njëkohësisht në disa detyra që kërkojnë funksionim të avancuar.

Pse është më mirë të përdorësh metodën “Monotasking”?

Studimet tregojnë se multitasking mund të ndikojë në rritjen e shpërqendrimit dhe në uljen e kapacitetit për të ruajtur dhe rikuperuar informacionin. Për të mos folur për gabimet e mundshme që mund të bëjmë gjatë kësaj periudhe. Lydia Cho, psikologe dhe neuropsikologe në spitalin “McLean” të Harvardit, thekson se sidomos për të moshuarit, multitasking rrit rrezikun e gabimeve më serioze. "Për shembull, mund të filloni të paguani faturat, të kaloni në një detyrë tjetër dhe pastaj të harroni të ktheheni dhe të përfundoni atë që kishit nisur," -shpjegon Cho.

Si ta përdorni “Monotasking” për sukses?

Për të shmangur realizimin e shumë detyrave njëherësh dhe për të rritur efikasitetin tuaj, është e rëndësishme të praktikohet “monotasking”, që nënkupton përqendrimin në një detyrë të vetme derisa ajo të përfundojë. Ja disa strategji që mund t'ju ndihmojnë të përmirësoni këtë qasje:

Caktoni dy prioritetet e ditës

Një nga mënyrat më të zakonshme për t'u përfshirë në kurthin e detyrave të pafundme është duke marrë përsipër shumë projekte. Për të shmangur këtë, zgjidhni dy prioritetet kryesore për çdo ditë dhe lërini të tjerat për një ditë tjetër. "Shkruajini në një planifikues të përjavshëm, ditor, ose shtojini ato në kalendarin e telefonit apo të kompjuterit tuaj," - sugjeron Cho.

Vendosni afate

Krijoni një periudhë të caktuar kohore për detyrën tuaj dhe angazhohuni për të. "Pjesa e rëndësishme e caktimit të afatit kohor është respektimi i tij," -thotë Cho.

Punoni në intervale kohore

Punimi në intervale ndihmon në “monotasking”, veçanërisht për ata që kanë vështirësi me përqendrimin. Një metodë e njohur është teknika “Pomodoro”, ku vendosni një afat për 25 minuta dhe punoni pa ndërprerje, ndjekur nga një pushim pesë minutësh. "Ky kalim ndërmjet punës dhe pushimit ndihmon në krijimin e një ritmi, ku truri juaj di kur të punojë dhe kur të pushojë," - shpjegon Cho.

Kufizoni shpërqendrimet

Edhe një ndërprerje prej tre sekondash mund të dyfishojë rrezikun e gabimeve gjatë kryerjes së një detyre. Krijoni një ambient të qetë kur praktikoni “monotasking”. Qëndroni larg internetit, televizorit dhe faktorëve të tjerë shpërqendrues. Çaktivizoni telefonin tuaj ose bllokoni thirrjet dhe njoftimet.

Menaxhoni stresin

Rritjet e hormoneve të stresit, si kortizoli, ndikojnë negativisht në ruajtjen dhe rikuperimin e informacionit në kujtesë. "Çdo gjë që mund të bëni për të zvogëluar dhe menaxhuar stresin mund të ndihmojë trurin tuaj për “monotasking," sugjeron Cho. Për shembull, bëni më shumë ushtrime aerobike, planifikoni angazhime sociale të rregullta dhe dedikoni kohë për veten.

Praktikoni të qenit në të tashmen

Trajnoni trurin tuaj për “monotasking” duke praktikuar mënyra për të qëndruar të pranishëm dhe të përqendruar. Për shembull, bëni një meditim të përditshëm për pesë deri në dhjetë minuta. Numëroni në heshtje frymëmarrjet tuaja në grupe të përsëritura deri në dhjetë. Leximi është një tjetër ushtrim i shkëlqyer; dedikoni 10 deri në 20 minuta çdo ditë për leximin dhe bëni pushime kur vëmendja juaj të largohet.

Në periudhat e ngarkuara me shpërqendrime dhe detyra të shumta, “monotasking” ofron një rrugë të qartë për të rritur efikasitetin dhe për të menaxhuar më mirë stresin. Me praktika të thjeshta dhe strategji të menaxhimit të kohës, mund të përmirësoni produktivitetin tuaj dhe të krijoni një rutinë më të përqendruar dhe të kënaqshme.

Artikuj të sugjeruar: