Raportet për urdhër-arreste: Rusia thotë se nuk e njeh gjykatën e Hagës
Moska ka thënë se nuk e njeh juridiksionin e gjykatës penale ndërkombëtare në Hagë, pas raportimeve se gjykata pritet të kërkojë urdhër-arrestet e para kundër individëve rusë për luftën në Ukrainë.
“Ne nuk e njohim këtë gjykatë; ne nuk e njohim juridiksionin e saj,” u tha gazetarëve në Moskë të martën në mëngjes, zëdhënësi i Vladimir Putin, Dmitry Peskov.
New York Times dhe Reuters raportuan të hënën se prokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) do të hapë zyrtarisht dy raste të krimeve të luftës dhe do të lëshojë urdhër-arreste për disa rusë që konsiderohen përgjegjës për rrëmbimin masiv të fëmijëve ukrainas dhe shënjestrimin e ukrainasve.
Cikloni Freddy: Mbi 200 të vdekur
Numri i të vdekurve nga cikloni Freddy në Malawi dhe Mozambik ka kaluar 200 të martën, pasi stuhia rekord shkaktoi përmbytje dhe rrëshqitje të dheut. Punonjësit e ekipeve të shpëtimit paralajmëruan se ka të ngjarë të ketë më shumë viktima. Stuhia e egër goditi Afrikën juglindore në fundjavë.
Përhapja e virusit në Bengalin Perëndimor shkakton vdekjen e 19 fëmijëve; mijëra të tjerë ndodhen në spital

19 fëmijë kanë vdekur nga infeksionet akute të frymëmarrjes në Bengalin Perëndimor këtë vit dhe mijëra të tjerë janë në spital ndërsa India po përballet me një shpërthim të adenovirusit (lloj virusi që mund të shkaktojë infeksione në traktin respirator, sy dhe traktin gastrointestinal).
Më shumë se 12,000 raste të adenovirusit janë regjistruar atje që nga janari. Më shumë se 3,000 fëmijë janë shtruar në spital me simptoma të rënda të ngjashme me gripin.
Covidi i gjatë lidhet me shkallë më të lartë të vdekshmërisë dhe probleme afatgjata
Sipas një studimi të ri të botuar në Forumin Shëndetësor JAMA, njerëzit që u infektuan me Covid-19 në të kaluarën mund të jenë në rrezik më të lartë të problemeve të zemrës dhe mushkërive.