
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç fiton mandatin e ri me shumicë votash

Presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Serbi, por do t'i duhet të formojë një qeveri koalicioni. Vuçiç, një ish-ministër për informacionin në qeverinë jugosllave të Sllobodan Millosheviçit, fitoi 58.5% të votave, tha të hënën komisioni shtetëror zgjedhor pas numërimit të 96.2% të votave.
Opozita dhe vëzhguesit e pavarur renditën një sërë parregullsish dhe incidentesh të lidhura me votimin, duke përfshirë dhunën. Partia e tij, Partia Progresive Serbe, mohoi manipulimin e votave apo presionin ndaj votuesve.
Koreja e Veriut do të "asgjësonte" Jugun nëse provokohej, paralajmëron motra e Kim Jong-un

Motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka thënë se forcat bërthamore të vendit do të "asgjësonin" ushtrinë e Koresë së Jugut nëse do të fillonte një sulm kundër regjimit.
Kim Yo-jong, e cila mban disa poste të larta në qeveri dhe partinë në pushtet, tha se Veriu nuk kishte ndërmend të fillonte një luftë të dytë koreane, por do të përgjigjej nëse provokohej dhe do ta linte ushtrinë e Jugut në një gjendje "shkatërrimi dhe rrënimi total".
Komentet e saj erdhën pasi ministri i mbrojtjes i Koresë së Jugut, Suh Wook, diskutoi publikisht aftësinë e Seulit për të "goditur me saktësi dhe shpejt çdo objektiv në Korenë e Veriut" me një sërë armësh.
Rritet presioni ndaj ministrave gjermanë për të ndaluar energjinë ruse

Qeveria gjermane po përballet me presion në rritje brenda dhe jashtë vendit për të vendosur një embargo energjetike kundër Rusisë pas raporteve për mizoritë e kryera ndaj civilëve ukrainas në Bucha.
Berlini deri më tani ka kundërshtuar thirrjet për të ndaluar plotësisht importet e energjisë nga Rusia, duke paralajmëruar se pasojat për ekonominë më të madhe të Europës dhe të gjithë Bashkimin Europian do të ishin shkatërruese.
Presioni nga fqinjët e Gjermanisë ka qenë në rritje, veçanërisht nga shtetet baltike dhe Polonia. "Kushdo që lexon shënimet e takimeve të BE-së e di se Gjermania është pengesa më e madhe kur bëhet fjalë për sanksione më vendimtare," u tha gazetarëve në Varshavë Mateusz Morawiecki, kryeministri i Polonisë.
Biden kërkon që Putin të përballet me gjyq për krime lufte për vrasjet e civilëve në Ukrainë

Joe Biden ka bërë thirrje që Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte, ndërkohë që liderët perëndimorë përgatitën një raund të ri sanksionesh ekonomike kundër Moskës në mes të zemërimit global në lidhje me pretendimet për vrasjet e civilëve nga ushtarët rusë në Ukrainë.
“Ju mund ta mbani mend që u kritikova për shkak se e quajta Putinin kriminel lufte," u tha Biden gazetarëve. “Epo, e vërteta e çështjes - ne e pamë të ndodhë në Bucha - ai është një kriminel lufte."
Qindra ukrainas janë dëbuar me forcë në Rusi, thonë gratë e Mariupolit

Forcat ruse po dërgojnë qytetarët ukrainas në "kampe filtrimi" përpara se t'i zhvendosin me forcë në Rusi, sipas rrëfimeve të dy grave që thanë se u transportuan në territorin rus nga qyteti i rrethuar i Mariupolit muajin e kaluar.
Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar trupat ruse për transportimin e disa mijëra banorëve të Mariupolit përmes "kampeve të filtrimit" dhe transferimin e tyre me forcë në Rusi përmes republikave të kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore.
Raporti: 'Tani ose kurrë' nëse bota do të shmangë fatkeqësinë klimatike

Bota ende mund të shpresojë se mund të shmangë shkatërrimet më të këqija të ndryshimeve klimatike, por vetëm me një veprim "tani ose kurrë" përmes një ekonomie dhe shoqërie me karbon të ulët, kanë thënë shkencëtarët në raportin që është në fakt një paralajmërim përfundimtar për qeveritë për klimën.
Emetimet e gazeve serrë duhet të arrijnë kulmin deri në vitin 2025 dhe mund të përgjysmohen këtë dekadë, sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike.
Burimet: Guardian, Reuters