Cila është gjëja e parë që bëni pasi zgjoheni nga gjumi? Nëse e keni kthyer në rutinë hapjen e emaileve apo bisedat në telefon, shijimin e një mëngjesi të bollshëm apo një dushi të ngrohtë, në fakt ka diçka më të mirë që mund ta bëni në të mirë të shëndetit tuaj mendor.
Të shkruani ëndrrat që keni parë gjatë natës në një fletë apo ditar! Shkrimi i ëndrrave mund të duket si një ide e çuditshme, por në të vërtetë ka shumë përfitime për shëndetin mendor, sipas psikologes Cortney S. Warren.
Në një botë të shpejtë dhe kaotike, gjetja e një mënyre për të shkëputur veten nga rutina e përditshme mund të jetë diçka e dobishme. Shkrimi i asaj që keni ëndërruar është një mënyrë e mirë për ta bërë këtë.
“Të shkruarit e ëndrrave në një ditar krijon një lidhje me nënndërgjegjen tuaj, duke zbuluar emocione dhe mendime të fshehura që mund të ndikojnë në mirëqenien e përditshme. Ky proces i vetëreflektimit me vetëdije mund t'ju ndihmojë të identifikoni dhe të merreni me një problem emocional,” shton ajo.
Për më tepër, ëndrrat na çojnë në një botë tjetër ku gjithçka është e mundur. Ne nuk jemi përgjegjës për atë që ëndërrojmë dhe kjo bën që ne shpëtojmë nga kufizimet e përgjegjësive të përditshme.
Sipas psikologes, është e vërtetuar shkencërisht se shkrimi ndihmon në përmirësimin e shëndetit tuaj mendor, por mbi të gjitha ju nuk duhet të jeni gazetarë apo shkrimtarë për ta bërë këtë.
Si ta filloni këtë teknikë?
Të shkruarit e asaj që keni ëndërruar sapo zgjoheni është diçka e rëndësishme, sepse ëndrrat kanë tendencë që të harrohen apo "fshihen" në mëngjes. Sigurisht, kjo mund të zbulojë gjëra që ju nuk i dinit. Sfidat dhe çështjet e pazgjidhura janë vetëm njëra anë e medaljes, por mbi të gjitha kjo praktikë ju ndihmon që ta kuptoni më mirë botën tuaj emocionale.
Artikuj të sugjeruar: