Po ju a ndiheni keq sa herë që flitet për paratë dhe menaxhimin e tyre? Epo, nuk jeni e vetmja! Një studim i fundit i realizuar nga “R29 Intelligence” që hulumtoi mënyrën se si njerëzit mendojnë për paratë, sidomos në ditët e sotme ku flitet për krizë dhe shtim të kostos së jetesës, gati 62% e grave pjesëmarrëse thanë se ndihen shumë keq sa herë bëhet fjalë për ekonominë dhe financat.
Madje, ato shkojnë përtej duke u shprehur se ndihen të stresuara, të shqetësuara dhe të frustruara për aspektin financiar. Kjo qasje vjen në kontrast të plotë me burrat, 69% e të cilëve u shprehën se ndihen mirë sa herë që flitet për financa dhe para, madje të sigurt dhe shumë të motivuar në menaxhimin dhe kursimin e tyre.
Por, pse ndodh kjo qasje me gratë? Terapistet financiare Aja Evans dhe Lindsay Bryan-Podvin thonë se grave thuajse u është mohuar edukimi financiar për vite me radhës dhe kjo e kombinuar me mungesën e këshillave apo mbështetjes për paratë, i bën gratë të ndihen keq dhe pa vetëvlerësim.
“Kur vërtet keni nevojë të dini informacione të caktuara dhe nuk thjesht nuk i dini, ju prireni që t’i qëndroni larg këtyre situatave, sidomos ato që kanë lidhje me paratë sepse nuk ndiheni të sigurt dhe nuk keni aftësinë për të ndërmarrë një hap tjetër që mund të jetë një investim, blerje shtëpie, pushime, kursime etj,” thotë Evans. E gjithë kjo situatë çon në një ndjenjë pasigurie për financat personale, por edhe ato për familjen.
Sipas terapisteve financare, duket se çështja e pasigurive për gratë nuk është vetëm te paratë, por edhe në fusha të tjera të jetës. Gratë ndiejnë presionin për të qenë perfekte dhe ato ndihen keq nëse nuk përmbushin këto pritshmëri, ato humbasin besimin te vetja.
“Kjo ndodh edhe kur vjen puna te lekët. Unë u them shpesh klientëve të mi që nuk duhet të jenë apo të veprojnë si burra që të ndihen të barabarta në këtë drejtim. Feminizmi është një qasje që duhet të mbizotërojë tek të gjitha ne kur vjen puna te paratë, menaxhimi apo investimi i tyre. Shumë prej nesh kanë një shkollim të mirë, një punë me prestigj dhe me pagesë të kënaqshme, ndaj nuk ka asnjë motiv që gratë të ndihen pa vetëbesim apo të mendojnë keq për veten sepse nuk kanë shumë para, nuk kanë mjaftueshëm kursime etj,” përfundon Evans.
Artikuj të sugjeruar: