
Aktori i famshëm francez, i njohur ndryshe si burri me “fytyrë engjëlli” ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në moshën 88-vjeçare. Alain Delon, prej kohësh, ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, sidomos pas një goditjeje në tru që i ndodhi në vitin 2019.
Ylli i kinematografisë, i njohur për rolet e tij në filmat si “Purple Noon”, “The Leopard” apo “Le Samourai” mbetet një prej personaliteteve të shquara të filmave dhe artit në botë. Në deklaratën zyrtare të familjes së Delon thuhet se:
"Alain Fabien, Anouchka, Anthony, si dhe (qeni i tij) Loubo, janë thellësisht të pikëlluar për vdekjen e babait të tyre. Ai ndërroi jetë i qetë në shtëpinë e tij në Douchy, i rrethuar nga tre fëmijët dhe familja e tij.”
Dalja e fundit publike e Delon ishte në maj të vitit 2019 në festivalin e filmit në Kanë, ku ai u vlerësua me çmimin e Palmës së Artë. Me sytë e tij fantastik blu, aktori shpesh quhej "Frank Sinatra francez", por duket se ky ishte një krahasim që Delon nuk e pëlqente.
Përtej protagonizmit në kinemanë franceze, Alain Delon nuk ia doli që të depërtonte në Hollywood me role dhe filma protagonistë, pavarësisht faktit që regjisorët e famshëm si Martin Scorsese dhe Quentin Tarantino janë shprehur në daljet e tyre publike se ishin në borxh me rolet e ofruara ndaj Delon.
Jashtë ekranit, ai shkaktoi diskutime lidhur mbi qëndrimet e tij publike, nga martesat e homoseksualëve që u legalizuan në Francë në vitin 2013, te keqardhja për heqjen e dënimit me vdekje. Delon mbrojti publikisht Frontin Kombëtar të ekstremit të djathtë dhe telefonoi themeluesin Jean-Marie Le Pen, një mik të vjetër, për ta uruar kur partia fitoi në zgjedhjet lokale të 2014-ës.
Nga fundi i jetës së tij, Delon ishte në fokus të mediave si pjesë e një grindjeje familjare për kujdesin e fëmijëve dhe bashkëshortes ndaj tij, çështje që mori vëmendjen e titujve në mediat franceze në prill të këtij viti, kur gjykata mori vendim që ai të mos kishte më liri të plotë për të menaxhuar pasuritë e tij.
Jeta dhe karriera në kinematografi
Alain njihej si një nga aktorët më të shquar të Europës dhe seks simbolet e viteve 1960 dhe 1970. Ai fitoi disa vlerësime nga kritika për rolet e tij në filma si: “Rocco and His Brothers”, “Eclipse”, “Cheetah” etj. Gjatë karrierës artistike, bashkëpunoi me disa regjisorë të njohur, si Luchino Visconti, Jean-Luc Godard, Jean-Pierre Melville, Michelangelo Antonioni dhe Louis Malle.
Në vitin 1985 ai fitoi çmimin César për aktorin më të mirë për interpretimin e tij në filmin “Our story”. Në vitin 1991, atij iu dha titulli “Legjioni i Nderit të Francës”, ndërsa në Festivalin e 45-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin iu dha çmimi “Ariu i Artë”.

Historitë e dashurisë
Jeta e tij e dashurisë ishte gjithashtu plot zhvillime. Para se të përfundonte lidhjen e tij me Romy Schneider, e cila nisi në vitin 1958 në xhirimet e “L’amante pura”, ai pati një raport me këngëtaren gjermane Nico, nga e cila lindi një djalë në vitin 1962. Në vitin 1964, i u martua me Francine Canovas dhe nga kjo marrëdhënie erdhi në jetë djali Anthony. Pas katër vitesh çifti u divorcua.
Në periudhën e viteve 1968 deri në 1983 ai ishte i lidhur me aktoren Mireille Darc, ndërsa në vitin 1987 deri në vitin 2001, Delon kishte në krah modelen Rosalie van Breemen, nënë e Anouchka dhe Alain-Fabien. Në krah të tij, në ditët e fundit të jetës, aktori i famshëm pati Hiromi Rollin, 66 vjeç, asistente-regjisore e tij besnike prej tridhjetë vitesh.
Artikuj të sugjeruar:
Burimi: Sky News