Çfarë po ndodh rreth nesh

Konsumimi i alkoolit në Europë në shifra rekord: Ja situata në Shqipëri

Shkruar nga Anabel

31 Korrik 2024

Konsumimi i alkoolit në Europë në shifra rekord: Ja situata
Njerëzit në Europë duket se po konsumojnë gjithnjë e më shumë alkool. Sipas studimit të fundit, të kryer nga OBSH-ka, 470 milionë europianë konsumojnë alkool. Studimi thotë se shifrat janë mjaft të larta dhe se një person i rritur konsumon mesatarisht 9.2 litra alkool.

“Europa vazhdon të mbajë rekordin për nivelet më të larta të konsumit të alkoolit dhe efektet e dëmshme të lidhura me të në nivel global”, tha Dr. Gauden Galea, zyrtari i OBSH-së për Europën.

Dr. Gauden Galea shtoi se ndikimet e alkoolit janë të shumta, duke përfshirë dhunën në familje, aksidentet dhe çështjet e shëndetit mendor. Ai u bëri thirrje vendeve që të zbatojnë politika efektive për të zvogëluar konsumimin e alkoolit.

Me këtë tendencë, europianët renditen të parët në botë për konsumimin e alkoolit. Studimi shprehet se burrat konsumojnë 4 herë më shumë alkool se gratë.

Dr. Carina Ferreira-Borges, këshilltare rajonale për alkoolin, drogat e paligjshme dhe shëndetin e burgjeve tha: "Ne po paguajmë çmimin, alkooli po shkakton mijëra sëmundje kardiovaskulare, lëndime, prekje nga kanceri dhe cirroza e mëlçisë në rajonin tonë."

Raporti paralajmëroi se alkooli është shkaku kryesor i vdekjeve në Europë, duke llogaritur pothuajse 800,000 vdekje në vit; 2200 njerëz vdesin çdo ditë nga shkaqe të lidhura me alkoolin, e përkthyer në 9% vdekje në rajon. Shumica e vdekjeve të lidhura me alkoolin (mbi 600,000 në vit) janë nga sëmundjet infektive dhe nga sëmundjet e zemrës. Raporti tregon një incidencë të lartë të prekjes nga kanceri, i lidhur me konsumimin e alkoolit në Europë.

Situata në Shqipëri

Të dhënat tregojnë se në popullatën e përgjithshme, në Shqipëri konsumohen 5.1 litra alkool për frymë dhe se burrat konsumojnë rreth 8.4 litra alkool, ndërsa gratë, 1.9 litra.

Ekspertët thonë se 2.8% e shqiptarëve kanë varësi nga alkooli. Për rrjedhojë, 4.2% e vdekjeve në Shqipëri kanë si shkak alkoolin.