Të pasurit sekrete është diçka e zakonshme për njerëzit dhe mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Arsyet e ruajtjes së sekretit mund të lidhen me dëshirën për të mbrojtur veten ose të tjerët, frika nga gjykimi ose nevoja për të shmangur pasojat. Psychology Today ka përpiluar një listë me llojet më të zakonshme të sekreteve të njerëzve.
Një nga llojet më të përhapura të sekreteve është i lidhur me lëndimin e dikujt tjetër, qoftë fizikisht apo emocionalisht. Kjo mund të çojë në ndjenja faji, turpi dhe frikë nga pasojat dhe është e kuptueshme pse njerëzit e mbajnë sekret një informacion të tillë.
Një sekret tjetër i zakonshëm është përdorimi i drogës, abuzimi me alkoolin dhe/ose varësitë e dëmshme. Këto zakone mund të stigmatizohen në shoqëri, duke i bërë individët që të mos i tregojnë.
Dëmtimi i vetes është një kategori tjetër për të cilën njerëzit mund të kenë turp të flasin.
Aborti, përvojat traumatike gjatë gjithë jetës dhe gënjeshtrat janë gjithashtu sekrete që njerëzit mund t'i mbajnë të fshehta. Sekrete të tjera në listë përfshijnë dëshirat romantike, pakënaqësinë në një marrëdhënie, tradhtinë emocionale, tradhtinë fizike, pakënaqësinë me jetën shoqërore ose pamjen, sfidat me shëndetin mendor dhe performancën e dobët në shkollë ose në punë.
Përpos këtyre, mund të mbajnë të fshehtë orientimin seksual, sjelljen seksuale ose faktin që nuk bëjnë seks.
Ambiciet, planet, synimet për të ardhmen, një histori specifike, financat, marrëdhëniet e kaluara ose të tashme dhe familjet sekrete janë gjithashtu tema që individët mund të zgjedhin t'i mbajnë të fshehura.
Në përgjithësi, njerëzit mbajnë sekrete për arsye të ndryshme dhe disa nga këto arsye mund të sjellin efekte negative në shëndetin mendor dhe marrëdhëniet. Ndonëse të paturit sekrete mund të jetë e nevojshme në disa raste, është e rëndësishme të pranoni dhe trajtoni ndikimin që ato mund të kenë mbi ju dhe të tjerët.
Për të kërkuar ndihmë, kontaktoni me një profesionist të shëndetit mendor.