Siç mund ta kesh dëgjuar/lexuar, një ngjarje tronditëse ka ngjallur mijëra reagime publike, pasi në spitalin Onkologjik të QSUT-së, bëhen pazare me jetët e pacientëve me kancer. Mjekë e punonjës të tjerë janë përfshirë në një skandal çnjerëzor, i cili ka dalë është bërë publik përmes përgjimeve që hedhin dritë mbi një skemë të tmerrshme abuzimi.
Në skemën abuzive është përfshirë edhe kryeinfermieri i Onkologjikut, Afrim Ruçi, i cili bënte rolin e sekserit dhe ishte mënyra e komunikimit mes mjekëve, por edhe farmacive e pacientëve të ndryshëm, për të siguruar mjekimet e kimioterapisë.
Ata shisnin ilaçet e kimioterapisë në subjekte private, gjithashtu, dërgonin pacientët që të kuroheshin në spitale private, duke nxjerrë justifikime si pritje, radhë të gjata etj, por kjo nuk ishte e vërtetë.
Nisur nga pubilikimi i rastit në Anabel, në DM-në tonë erdhën shumë mesazhe, në të cilat ndjekësit rrëfenin historitë e tyre prekëse në spitalin ku bëhet biznes me jetët e njerëzve të sëmurë me kancer.
Më poshtë, do të gjesh disa nga rrëfimet e ndjekësve!
#1
“Kam kaluar një tmerr për dy vite me radhë dhe vazhdoj kaloj çdo ditë që pas vdekjes së mamit. Mendoj çdo ditë që unë nuk u përpoqa sa duhej, nuk bëra sa munda, hë të kishim bërë dhe këtë, edhe atë. Mami ishte paciente e Onkologjikut me një diagnozë shumë të rëndë dhe kur mendoj që ilaçet e kimioterapisë që spitali Onkologjik i bënte mund të kenë qënë gjysmë, çerek doze ose edhe thjesht fiziologjik, ndihem tmerrësisht keq. Domethënë mirë që diagnoza ishte terminale, mirë që emocionalisht, shpirtërisht, fizikisht mami po merrte fund (dhe unë bashkë me të), këta mjekë monstra merrnin dhe ilaçet dhe pa asnjë ndjesi faji thonin “kështu bëhet doza, çerek sepse është ilaç shumë i fortë”. Nuk e di realisht se si mund të luajnë me jetën e pacienteve me kancer. Njeriu kur shkon në atë spital është i marrë fund, i pashpresë. Nuk i harroj sa të vdes lotët e mamit kur i thanë do bësh kimioterapi dhe për ata lot të saj u uroj me gjithë shpirt t’i paguajnë aty ku u dhemb më shumë, në këtë jetë dhe në tjetrën, ata mjekë dhe ai staf monstrash”.
#2
“Përshëndetje! Jam një nga ata personat që kam kaluar dhe vazhdoj ta kalojmë të njëjtën gjë si familje, për aq kohë sa ndjekim mamin në Onkologjik. Kam qenë disa herë prezente kur mami filloi kimioterapitë dhe më vinte të fshiheshim poshtë karriges kur futeshim në zyrën e Alketës (një ndër mjeket e përmendura në rastin e Onkologjikut), njeriu që në vend të zemrës kishte gurë. E zymtë, e pataktë, agresive, pa pikë profesionaliteti, hapte gojën vetëm kur i jepje 5,000 lekë të reja, se me 2,000 lekë vazhdonte të rrinte si mur. Nuk e ke idenë se ç’vuajtje pi kalojmë këto dy vite që kur kemi marrë atë lajm. Njerëzit presin te dera sikur do u japin lëmoshë. Në sytë e tyre shikon vetëm vuajtje, sa më vinte t’i përqafoja të gjithë. Të trajtuar nga vetë mjeku pa dinjitet, pa personalitet, fiks si ajo kafsha që shkon te kasapi”.
#3
“Një tmerr i vërtetë! Kam shkuar për babin dhe ka qenë një traumë. Të hidhnin nga një cep në tjetrin. Vetëm lekë-lekë dhe të dukej sikur po të jepje lekë do të të ndihmonin. Një rrëmujë që nuk kuptohej asgjë. Duhet të hetohen të gjithë ata. Janë njerëzit më të këqij që mund të ndeshesh në jetë. Kushdo që ishte, e vrisnin akoma dhe më shumë me çfarëdo gjëje që i bënin”.
#4
“Kisha dëgjuar për gjithë tmerret dhe mizoritë që kalonin njerëzit në atë spital, që në vend që të shëroheshin, përfundonin në depresion të thellë dhe në shumicën e rasteve, nuk ia dilnin dot. Për këtë arsye, kur mami u diagnostikua me kancer në gji, vendosëm ta kuronim në një spital privat, edhe pse nuk ishim në gjendje aq të mirë ekonomike. Për këtë sëmundje, përpos mjekimit, pjesa mendore është shumë e rëndësishme. Pacientët mbi të gjitha duhet të kenë shpresë, besim që do ia dalin dhe zero stres për shpenzimet e gjithçka tjetër. Por në atë spital, këto halle shtohen dhe i sëmuri jo vetëm që i humb shpresat, por në shumë raste vendos të mos luftojë që të mos i “rëndojë” familjes ekonomikisht. Kush e ka kaluar e kupton sa e vështirë është. Mami ia doli falë Zotit, por ishte një periudhë e vështirë jo vetëm për të, por për të gjithë ne që i qëndronim pranë. Kush është në të njëjtën situatë, kurajo, besim dhe do ia dilni me ndihmën e Zotit”.
#5
“Në periudhën 2015-2016 kemi përjetuar të njëjtën gjë. Kemi blerë 1,500 euro flakonë për çdo seancë kimioterapie për babin. Imagjino që motra ishte staf mjekësor në spitalin e Shkodrës dhe shkonim me mik në Tiranë. Babi im ka qenë qytetar nderi dhe mësues për 45 vite. Kemi paguar deri te sanitarja që të mos bërtiste më të madhe kur pastronte dhomat; infermieren që të na gjente shtratin, sepse sapo hyje, shikoje njerëz të ulur nëpër shkallë, duke marrë kimioterapinë. Nuk do ta harroj kurrë një djalë të ri 20-vjeçar, i cili nuk kishte mundësi ekonomike dhe nuk i jepnin shtrat për të marrë kimioterapinë. Sillej infermierja me një arrogancë të paparë”.
#6
“Më ka ndodhur me kushëririn tim 7 vjeç. Ai kishte një stad shumë të avancuar tumori dhe ishte në një gjendje psikologjike e ekonomike si mos më keq. Doktorët nuk hezituan aspak, pa pikën e njerëzillëkut që t’i kërkonin lekë për operacionin e parë. Përpos doktorit kryesor, s’duhej të lihej pa gjë edhe anestezisti. Nuk e di sa barbar mund të jesh që t’i marrësh para një prindi që po e sheh fëmijë 7-vjeçar duke luftuar për jetë a vdekje. Tani është në Itali, edhe pse pa asnjë lloj dokumentacioni. Mjaftoi një vizitë dhe mjekët atje e morën përsipër, po i bëjnë kimioterapi dhe çdo gjë nga fillimi, pas asnjë cent. Jemi për të ardhur keq!”.
#7
“Unë po e vuaj me babin tim. Para dy muajsh bëri seanca rrezatimi dhe fiks pas rrezeve nuk mund të ecte më. E vuaj përditë dhimbjen e tij dhe pamundësinë për të ecur. Shkova te dr. onkologe Ariana Dobraku (ka përshtypjet më të këqija në atë spital) dhe i thashë se çfarë ndodhi. “Shko te doktoresha e rrezatimit”, më tha. Shkova atje, ajo më ngriti supet, duke më thënë se nuk e dinte se ç’kish ndodhur dhe se babi duhet të kontrollohej me një neurolog. Me dhimbje të madhe shoh që babi po vdes nga pak përditë, i shtrirë në krevat, duke thënë që do të bëhet më mirë. Nuk ia fal kurrë vetes që e çova të bënte rreze në atë spital. Nuk janë vetëm ata emra që dolën nëpër media, por mund të them që shumica e personelit janë sëmundja më e madhe e shëndetësisë. Pastaj, ne që shkojmë, sëmuremi më rëndë se ç’jemi”.
#8
“Të gjitha historitë që dëgjojmë për Onkologjikun janë të vërteta. Mamin tim e sollën vërdallë një vit, duke i thënë që s’kishte gjë. Ajo kishte kancer të gradës së tretë. Pas një viti këmbënguljeje me analiza e biopsi, mamin e diagnostikuan me kancer, por i dhanë kimion e gabuar. Të shohësh fëmijët e pleqtë nga rrethet që presin me orë të tëra në radhë e që do ikin pas kimioterapisë me furgona nëpër rrethe…Trajtim jonjerëzor nga stafi. Të vjen të qash. Ne e çuam mamin në Itali për mjekim, ku i dhanë diagnozën dhe terapinë e duhur. Ajo jeton akoma, por ata që nuk kanë mundësi financiare të ikin, vdesin korridoreve të Onkologjikut”.
#9
“Jam prekur shumë nga historia e Onkologjikut. Jam e dërrmuar, sepse më ka sjellë në mendje kujtime të hidhura të qëndrimit aty me mamin. Mbaj mend veç të tjerash faktin që kur së bashku me shumë pacientë të tjerë prisnim të merrnim mjekimin, aty flitej se si doktoreshat e infermieret do t’i bënin qokën për vdekjen e nënës dr. Alketa Peres, një nga mjeket e përfshira në këtë mizori. Dhe fakti më keqardhës është se ato gra i kanë lënë gjithë pacientët të prisnin, u mbyllën në dhomën e mjekes dhe pinin kafenë, pasi duhet t’i jepnin qokën e vdekjes për nënën”.
#10
View this post on Instagram