Bota

Tragjedia në Mekë/ 550 njerëz kanë humbur jetën gjatë pelegrinazhit

Shkruar nga Anabel

19 Qershor 2024

Tragjedia në Mekë/ 550 njerëz kanë humbur jetën
Getty Images

Të paktën 550 njerëz kanë ndërruar jetë gjatë pelegrinazhit në Mekë, për shkak të temperaturave të larta të motit. Raportohet se 323 viktima ishin egjiptianë, shumica e të cilëve vuajtën nga sëmundje që lidhen me nxehtësinë.

“Të gjithë shtetasit egjiptianë humbën jetën prej nxehtësisë, përpos njërit që pësoi lëndime vdekjeprurëse gjatë një përplasjeje të vogël të turmës”, tha një diplomat arab për AFP, duke nënvizuar se kjo shifër erdhi nga morgu i spitalit në zonën “Al-Muaisem” në Mekë.

Tragjedia në Mekë/ 550 njerëz kanë humbur jetën
Getty Images

Diplomatët thanë se të paktën 60 persona nga Jordania kanë ndërruar jetë. 240 pelegrinë të tjerë janë nga vende të ndryshme, shumica nga Indonezia. Totali i vdekjeve në Mekë ka shkuar në 550, sipas morgut të spitalit në fjalë. Gjatë ditës së djeshme, ministria e Jashtme në Kajro të Egjiptit raportoi se ishte duke bashkëpunuar me autoritetet e Arabisë Saudite për t’u informuar mbi operacionet e kërkimit për egjiptianët e zhdukur gjatë pelegrinazhit. Në një prej deklaratave të ministrisë së Jashtme, cilësohet se 2,000 egjiptianë janë duke marrë trajtime në spital.

Pelegrinazhi është një prej traditave që ndikohet më së shumti nga temperaturat. Sipas një studimi në Arabinë Saudite, i publikuar gjatë muajit të kaluar, temperaturat në zonën ku kryhej rituali po rritej me 0.4 gracë Celsius në çdo dekadë.

Tragjedia në Mekë/ 550 njerëz kanë humbur jetën
Getty Images

Sipas gazetarëve të AFP, të hënën, pelegrinët u panë duke hedhur shishe me ujë në kokë, ndërsa vullnetarët shpërndanin pije të ftohta dhe akullore për t’i ndihmuar ata që të qëndronin të freskët gjatë rrugëtimit të tyre. Zyrtarët e Arabisë Saudite i këshilloi pelegrinët që të përdorin çadra, të hidratohen dhe të shmangin qëndrimin në diell në pikun e vapës.

Disa pelegrinë thanë se kishin parë trupa që nuk lëviznin në anë të rrugës dhe se në disa raste, shërbimet e ambulancës ishin të mbingarkuara.

Në pelegrinazhin e këtij viti morën pjesë 1.8 milionë pelegrinë, 1.6 milionë prej tyre nga vende të ndryshme të botës. Për situatën e tanishme është aktivizuar edhe një spital virtual, i cili siguron konsulta për mbi 5,800 pelegrinë, të cilët janë prekur nga sëmundje apo gjendje që lidhen me temperaturat e larta. Përmes mbështetjes virtuale, mjekët ndihmojnë njerëzit që të ndërhyjnë shpejt dhe të shmangin rritjen e rasteve.