
Brazil/ Rrëzohet avioni dhe shkakton viktima

Një avion me 58 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit në bord është rrëzuar në São Paulo. Autoritetet thanë se ai ra mbi një ndërtesë banimi. Në pamjet që qarkullojnë online, avioni bëri disa spirale dhe zbriti vertikalisht mbi ndërtesë.
Linja ajrore “Voepass” u shpreh se nuk dihet shkaku i këtij aksidenti ose fati i njerëzve në bord, megjithatë, ata janë shpallur të vdekur. Ndërkohë, po bëhen hetimet nga policia për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.
Rripi i Gazës/ Izraeli bie dakord që të marrë pjesë në diskutimin për armëpushimin e menjehershëm

Izraeli ka dakordësuar që të dërgojë negociatorë për të kryer një tjetër raund bisedimesh që lidhen me një marrëveshje të re armëpushimi dhe lirimin e pengjeve. SHBA, Egjipti dhe Katari, të cilat janë ndërmjetësuese të armëpushimit, publikuan një njoftim ku u bënin thirrje Hamasit dhe Izraelit që të takoheshin në Doha ose Kajro më 15 gusht.
Ndonëse Izraeli e ka konfirmuar pjesëmarrjen, Hamasi ende nuk ka reaguar. Nuk dihet nëse grupimi palestinez do ta pranojë ftesën, duke marrë parasysh që lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, u eliminua në një sulm të beftë në Teheran të Iranit.
Turqi/ 12 persona humbin jetën nga përplasja e një autobusi

Përplasja e një autobusi në një urë pranë Ankarasë, ka shkaktuar 12 viktima, si dhe janë plagosur 26 persona të tjerë. Autobusi po udhëtonte nga provinca Eski?ehir dhe pretendohet se shoferin e ka zënë gjumi në timon, pasi nuk po jepte sinjale se ishte përpjekur të frenonte.
Aksidentet e tilla automobilistike në Turqi janë shumë të zakonshme. Disa muaj më parë, 10 persona ndërruan jetë dhe 40 të tjerë u plagosën kur u përfshinë në një aksident një kamion, një autobus dhe 2 makina.
Gaza/ Nis ofensiva e re nga trupat izraelite

Trupat izraelite kanë filluar një ofensivë të re në jug të Gazës, në zonën Han Junis, vetëm pak orë pasi u konfirmua se do të jenë në takimin e propozuar nga SHBA, Katari e Egjipti, për të diskutuar mbi një armëpushim të mundshëm.
Sipas trupave izraelite, në këtë zonë, ende ka luftëtarë të Hamasit. Izraelitët u bënë thirrje palestinezëve në Gaza që të evakuoheshin, duke bërë kështu një tjetër eksod rraskapitës për banorët e Gazës. Mijëra prej tyre u larguan nga vendi, me sendet e tyre të nevojshme.