Luana, përmes rubrikës ‘Ask me a Question’ në Instagram, u ka dhënë mundësinë ndjekësve të saj që të shuajnë disa kuriozitete rreth moderatores. Një prej pyetjeve lidhej me faktin që Luanën nuk e kemi parë shpesh nëpër intervista dhe Luana nuk e kurseu shpjegimin e arsyes.
“S’para më pëlqen të flas për veten në fakt, më pëlqen të flasin veprat për mua. Intervistat kam nisur t’i “shmang” në një fazë kur ndieja se qasja ishte tendecionze dhe nuk më bënte të ndihesha mirë. Në atë periudhë nisi dhe një formë izolimi, që më tutje u kthye në stilin tim të jetesës”, u shpreh ajo.
Më tej, shtoi:
“Por unë kam zgjedhur ta them gjithçka që dua nëpërmjet dritareve të mia të komunikimit dhe falë Zotit, ju keni qenë përherë aty për të më dëgjuar. Kaq më ka mjaftuar përherë”, megjithatë, e la të hapur mundësinë e rikthimit tek intervistat.
Luana është treguar gjithnjë e rezervuar në daljet e saj publike, duke u përqendruar më së shumti te puna dhe thuajse aspak te jeta e saj private.