Ka shumë gjëra që ndodhin në trupin dhe mendjen e grave, sidomos gjatë menstruacioneve. Ndaj, ju nuk jeni të vetmet që pyesni veten se çfarë ndryshimesh përjetoni fizikisht dhe emocionalisht gjatë ditëve të ciklit.
Sikur të mos mjaftonin ngërçet apo dhimbjet, gratë duket së pësojnë shtim në peshë gjatë këtyre ditëve. "Kjo është shumë e zakonshme," thotë mjekja gjinekologe Christine Greves. Një studim zbuloi se gratë kanë tendencë të shtojnë më shumë peshë gjatë menstruacioneve, në krahasim me javët e tjera të zakonshme dhe kjo peshë shkon deri në pesë kilogramë.
Çfarë e shkakton shtimin në peshë gjatë periodave?
Ka disa arsye që ndikojnë në këtë gjendje, por mjekët gjinekologë rendisin disa nga më kryesoret.
- Trupi mban më shumë lëngje
Gjatë menstruacioneve, trupi përjeton luhatje në nivelet e estrogjenit dhe progesteronit.
“Kjo mund të çojë në mbajtjen e ujit, gjë që ndikon në ndjesinë e fryrjes dhe një shtim të përkohshëm në peshë," thotë mjekja Meleen Chuang.
- Keni më shumë neps se zakonisht
Në fakt ka një arsye hormonale pse gjatë ditëve të ciklit, gratë kanë më shumë neps për patate të skuqura, akullore dhe ushqime të tjera jo të shëndetshme.
“Progesteroni mund të stimulojë oreksin tuaj,” shpjegon gjinekologia Greves.
Ky hormon arrin kulmin rreth një javë para fillimit të menstruacioneve dhe kjo është koha kur e keni mendjen gjatë gjithë kohës te ushqimi dhe si pasojë hani më shumë.
- Nuk bëni shumë stërvitje në palestër apo ecje në natyrë
E vështirë të ndiheni të motivuara për t’u çuar nga divani dhe për të shkuar në palestër, sidomos gjatë ditëve të ciklit? Fryrja, ngërçet dhe plogështia bëjnë që gratë të anashkalojnë stërvitjen që mund të çojnë në djegie të kalorive dhe më shumë aktivitet fizik. Ndaj, kjo është një arsye më tepër për një shtim të mundshëm në peshë.
Kur normalizohet pesha menstruale?
Nuk ka asnjë rregull të shkruar se kur shtimi i peshës gjatë periodave zvogëlohet. Por, pavarësisht këtij fenomeni ekspertët sugjerojnë që të ruani një regjim të shëndetshëm ushqimor, të bëni ecje dhe të ndiqni një stil jetese të pranueshëm.
Artikuj të sugjeruar: