Lufta në Gaza/ Izraeli futet më thellë në Rafah
Lufta në Gaza po ashpërsohet, pasi Izraeli po pushton edhe zonën e fundit të sigurt, duke detyruar mijëra banorë të evakuohen nga kampet ku ishin vendosur. Edhe luftëtarët e Hamasit po grupohen sërish në pjesë të tjera të territorit.
Mendohet se grupimi ka shkuar sërish në veri të Gazës, pasi atje nuk ka më ushtarë izraelitë dhe mungesa e sigurisë është një shans i mirë për të planifikuar hapin e radhës. Izraeli u shpreh se Rafah është vendi i fundit ku fshihet Hamasi dhe Netanyahu këmbënguli se pushtimi i Rafah është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga Hamasi.
Rezoluta pro Palestinës në OKB/ Izraeli kundërshton vendimin
Asambleja e Përgjithshme e OKB ka fuqizuar të drejtat e Palestinës për të qenë një shtet i pavarur dhe ka bërë thirrje që të pranohet si shtet anëtar. Që prej vitit 2012, Palestina nuk ka qenë vend anëtar në këtë asamble, duke mos pasur të drejta të barabarta me vendet anëtare.
Por kjo mund të ndryshojë dhe të vendoset në Këshillin e Sigurimit. Rishtazi, SHBA vendosi veton ndaj një anëtarësismi të plotë, ndërsa vetë qeveria palestineze është zotuar se do të vijojë me përpjekjet për t’u anëtarësuar plotësisht në OKB. Sa i përket Izraelit, ambasadori i vendit në organizatë, Gilad Erdan, u shpreh se organizata kishte mirëpritur në radhë një “shtet terrorist”.
SHBA po përgatit një tjetër paketë ndihme për Ukrainën
SHBA po përgatit një paketë të re ndihme me vlerë 400 milionë dollarë për Ukrainën. Lajmin e ka bërë me dije një zyrtar, i cili tha për Reuters se ndihma përkon me artileri, municione ushtarake dhe antitank, automjete blind, si dhe armë të tjera, më të vogla dhe praktike, të cilat mund të përdoren direkt nga ushtarët në fushëbetejë.
Nga ana tjetër, zyrtari anonim, u shpreh se SHBA do të ndjekë një ritëm të rregullt furnizimi me armë për Ukrainën, për ta mbështetur atë në luftën kundër Rusisë pushtuese. Rusia po njeh një përparim të vogël në zona të ndryshme të Ukrainës dhe ndërkohë, Zelensky ka bërë thirrje për mbrojtjen e Ukrainës dhe ndihmën me armë e artileri.
Afrikë/ Nxirret i gjallë një burrë, pasi kishte kaluar 116 orë nën rrënoja
Një burrë që kishte ngecur për 116 orë nën rrënoja, shpëtoi i gjallë nga ekipi i shpërtimit. Kryeministri i provincës së Afrikës Jugore të Kepit Perëndimor e cilësoi ngjarjen si një “mrekulli të vërtetë” dhe saktësoi se burri në fjalë ishte shpëtuar pas disa ditësh nën rrënoja.
Sipas zyrtarëve, një ndërtesë me 5 kate u shemb të hënën në qytetin George dhe 13 persona gjetën vdekjen, 29 të tjerë mbijetuan dhe 39 u raportuan të zhdukuar. Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të njerëzve nën rrënoja.