Muzika

Eurovision 2024: Fituesi i garës thyen trofeun, por pse?

Shkruar nga Anabel

12 Maj 2024

Eurovision 2024: Fituesi i garës thyen trofeun, por pse?
FOTO: Tobias SCHWARZ / AFP / via Getty Images

Zvicra fitoi vendin e parë në Festivalin e Këngës në Eurovision, duke kryesuar listën me 591 pikë nga publiku dhe juria e këtij kompeticioni muzikor. Edicioni i këtij viti më shumë se muzika dhe artistët që u ngjitën në skenë, ngjalli shumë reagime për performancat dhe incidentet në prapaskenë. Ndërkohë, performanca e Izraelit u prit me protesta të shumta.

Eurovision 2024: Fituesi i garës thyen trofeun, por pse?

Nemo, artisti fitues i këtij viti pas marrjes së çmimit tha se: “Shpresoj që ky konkurs të përmbushë premtimin dhe të vazhdojë të mbështesë paqen dhe dinjitetin për çdo qenie njerëzore”. Këngëtari nuk e fshehu edhe incidentin që i ndodhi në skenë duke thyer trofeun e tij.

“Kam thyer ‘kodin’ duke valëvitur flamurin tim në event, ndërkohë që Eurovision-i më kishte ndaluar ta bëja këtë. Gjithashtu, kam thyer trofeun, por kjo mund të riparohet. Ndoshta edhe Eurovision-i ka nevojë për…riparime herë pas here,” u shpreh ai.

@eurovision Oh, oh, oh they broke the…trophy?! ? #Eurovision2024 ? original sound - Eurovision

Kjo është fitorja e tretë për Zvicrën, e cila më parë e ka fituar edicionin e Eurovision në vitin 1956 dhe në vitin 1988 me Celine Dion.

Eurovisioni i këtij viti ka ngjallur jo pak reagime, për shkak edhe të pjesëmarrjes së Izraelit në këtë ngjarje muzikore, në mes të luftës në Rripin e Gazës. Mijëra protestues dolën në rrugët e Malmös me flamuj palestinezë, ndërkohë janë dëgjuar thirrjet: ”Ju mbështesni gjenocidin” dhe “Liri për Palestinën”.

Nga ana tjetër, artisti holandez Joost Klein u përjashtua nga gara e Eurovision 2024, për shkak të një incidenti që ndodhi në prapaskenë. Sipas policisë suedeze, ai intimidoi një anëtare të produksionit dhe për këtë u dërgua në shtëpi. Për ngjarjen reaguan organizatorët e eventit, duke u shprehur: 

“Nuk do të ishte e përshtatshme për të që të vazhdonte garën. Ne ruajmë një politikë zero tolerancë ndaj sjelljes së papërshtatshme në eventin tonë dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe të sigurt pune për të gjithë personelin në konkurs. Sjellja e Joost Klein ndaj një anëtari të ekipit konsiderohet si shkelje e rregullave të konkursit".

Ky edicion i 68-të i Eurovision duket se do të mbahet mend më shumë për skandalet dhe zhvillimet se sa për prurjet artistike në skenë.

Artikuj të sugjeruar: