Tragjedia në Shkodër/ Gjendet edhe trupi i pajetë i nënës
Polumbarët kanë arritur të gjejnë edhe trupin e pajetë të gruas që u vetëmbyt në lumin Buna, bashkë me tre fëmijët e saj, 3, 8 dhe 9 vjeç. Trupi i pajetë i Alma Arrazit është gjetur nga polumbarët e forcave RENEA, duke shënuar kështu edhe fundin e operacionit të gjetjes së 4 trupave të ndjerë të anëtarëve të familjes Arrazi.
Në ditët e mëparshme janë gjetur edhe trupat e fëmijëve të mitur, ku ai i 9-vjeçares është pikasur nga një peshkatar në zonë. Lajmi tronditës shokoi mbarë vendin dhe thuhet se për shkak të dhunës dhe tradhtisë nga i shoqi, Alma ndërmori këtë vendim.
Ndërkohë, policia ka arrestuar Erdgys Arrazin me akuzën e shtyrjes drejt vetëvrasjes.
Ministria e Jashtme e Kosovës akuzon Rusinë: “Po kryen sulm hibrid”
Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Rusinë se po kryen një sulm kibernetik hibrid. Donika Gërvalla-Shwarz, ministrja e jashtme, tha se sulmi erdhi pas njoftimit të Kosovës për të mbështetur Ukrainën me municione ushtarake.
Përmes një njoftimi në X, Donika u shpreh se Ukraina po mbrohet në mënyrë të arsyeshme kundrejt pushtimit dhe gjenocidit rus dhe se Kosova e di nga përvoja e saj me gjenocidin e Serbisë se vetëm përmes mjeteve ushtarake ndalet një gjenocid. Sa i përket sulmit kibernetik, nuk ka të tjera informacione se cilat hapësira janë sulmuar, nëse janë marrë informacione, apo janë shkaktuar dëme.
Maqedonia e Veriut/ Zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale
Do të zhvillohet sot raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku Lëvizja Vetëvendosje garon në koalicionin e partive opozitare shqiptare, me ankronimin VLEN. Në këto zgjedhje, Lëvizja për Vetëvendosje ka 3 deputetë.
Raundi i parë i zgjedhjeve për presidente është dominuar bindshëm nga Gordana Silhanovska-Davkova, e cila është kandidate e partisë VMRO-DPMNE. Në pjesën e parë të zgjedhjeve, ajo ia ka dalë të marrë avantazhin kundrejt presidentit aktual të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Ukrainë/ Thuhet se është parandaluar një komplot për të vrarë Zelensky-n
Hetuesit në Ukrainë kanë thyer një komplot rus për të eliminuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe disa persona të tjerë në radhët e politikës dhe ushtrisë, u shpreh Shërbimi i Sigurisë Shtetërore në Ukrainë.
Në shpërbërjen e komplotit, u arrestuan edhe dy kolonelë të Gardës Shtetërore të Ukrainës, me dyshimin se po zbatonin planin e Shërbimit të Sigurisë Federale ruse. Pretendohet se ata ishin rekrutuar nga Rusia pasi ndodhi pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.