1 Maji njihet gjerësisht si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Përpos faktit se është një ditë ku njerëzit shprehin mirënjohjen për punën e përkushtuar të punonjësve në industri të ndryshme, është edhe një ditë që i frymëzon punonjësit të protestojnë dhe të kërkojnë kushte më të mira pune, pagë më të lartë dhe barazi në punë.
Protesta e mësuesve
Para Ministrisë së Arsimit, disa prej mësuesve kanë bërë një protestë paqësore, për të kërkuar paga me të mira. Me pankarta në duar, mësuesit marshuan nga Muzeu Kombëtar drejt Ministrisë së Arsimit.
Sindikatat e punonjësve bënë thirrje që të dëgjohet fjala e mësuesve: “Zbatoni kontratën kolektive. Financoni arsimin publik. Pa financim të arsimit publik nuk kemi arsim cilësor. Do të përshkallëzojmë lëvizjen me protesta deri në greva të pjeshme dhe të përgjithshme”, u shprehën përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Arsimit dhe Federata e Sindikatave të Arsimit.
Mësuesit ngritën edhe çështjen e transportit për në shkolla dhe kërkuan shpërblim në fund të vitit shkollor.
“E kemi përmirësuar udhëzimi për mbulimin e transportit, por mos të harrojmë se shuma që mësuesit paguajnë çdo ditë nuk përputhet me atë që i kompensohet. Pagesa përgjatë verës nuk jepet edhe përse mësuesit kërkohen për të plotësuar dokumentacionin. Një buxhet i domosdoshëm për shpërblimin e mësuesit në fund të vitit”, thanë ata.
Protesta për të drejtat e punëtorëve nëpër fabrika
Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë gjithashtu protestoi për kushtet e punës në sektorë të ndryshëm. Në pankartat ku shkruhej “Dinjitet për punëtorët”, përfaqësuesit e sindikatave nënvizuan se kushtet e punës nëpër fabrika janë të vështira.
“Flasim sot për drejtat e punëtorëve në fabrikat e këpucëve dhe veshjeve, a keni shkuar ndonjëherë aty? A i keni pyetur ato gra, a i keni pyetur nëse e marrin pagën minimale? Flasim për pagë minimale kur Europa, madje edhe Ballkani flet për pagë cilësore, që të mundëson të paguash mjekun në fund të muajit, shportën me ushqime cilësore, jo ushqime të skaduara me ofertë nëpër markete. Për gratë të mos flasim më për pagën minimale, por të flasim për pagën e drejtë”, tha një nga pjesëmarrëset në protestë.
Protesta për largimin e të rinjve
Një tjetër protestë u zhvillua edhe për largimin masiv të të rinjve nga vendi. Përmes pankartave dhe valixheve që simbolizojnë ikjen e të rinjve për të siguruar jetesën dhe për të punuar e kontribuar jashtë vendit, përfaqësuesit e sindikatave bënë thirrje që të vihet theksi te largimi i gjeneratës së re, si dhe cekën çështjen e korrupsionit.