
Aleatët premtojnë dërgesa të mëtejshme të armëve ndërsa ministrat e NATO-s diskutojnë mbështetjen për Ukrainën

Aleatët kryesorë perëndimorë të Ukrainës, duke përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, janë zotuar të dërgojnë sisteme të mbrojtjes ajrore ndërkohë që ministrat e mbrojtjes të NATO-s u takuan në Bruksel për të diskutuar se si të rrisin mbështetjen për Ukrainën.
Raketat, të cilat do të përdoren me sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS të premtuara nga SHBA, mund të përdoren për t'u mbrojtur nga sulmet e mëtejshme raketore ruse.
“Sulmet e fundit të Rusisë në zonat civile në Ukrainë kërkojnë mbështetje të mëtejshme për ata që kërkojnë të mbrojnë kombin e tyre. Kështu që sot, unë kam autorizuar furnizimin me raketa anti-ajrore AMRAAM në Ukrainë”, tha Sekretari i Mbrojtjes në Britani, Ben Ëallace.
Brukseli rekomandon dhënien e statusit kandidat në BE për Bosnjen

Komisioni Europian ka rekomanduar që Bosnje-Hercegovinës t'i jepet statusi zyrtar i vendit kandidat për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian, por me kushtin e reformave të mëtejshme. Bosnja ka kaluar pothuajse dy dekada në listën e pritjes së BE-së: ajo u identifikua për herë të parë si një kandidate "potenciale" e BE-së në qershor 2003 dhe paraqiti aplikimin e saj zyrtar në shkurt 2016.
Pothuajse 70% e popullatave të kafshëve të egra janë zhdukur që nga viti 1970, zbulon raporti

Popullatat e kafshëve të egra të Tokës janë ulur me një mesatare prej 69% në pak më pak se 50 vjet, sipas një vlerësimi kryesor shkencor, pasi njerëzit vazhdojnë të dëmtojnë pyjet, të konsumojnë përtej kufijve të planetit dhe të ndotin në një shkallë industriale.
Nga oqeani e deri te pyjet tropikale, zogjtë, peshqit, amfibët dhe zvarranikët janë duke u pakësuar. Shumë shkencëtarë besojnë se ne po jetojmë zhdukjen e gjashtë masive – humbja më e madhe e jetës në Tokë që nga koha e dinosaurëve – dhe se ajo po nxitet nga njerëzit. 89 autorët e raportit po u bëjnë thirrje liderëve botërorë të arrijnë një marrëveshje në samitin e biodiversitetit Cop15 në Kanada këtë dhjetor dhe të ulin emetimet e karbonit për të kufizuar ngrohjen globale në nën 1.5 C këtë dekadë për të ndaluar shkatërrimin e natyrës.
Rusia shton Meta-n në listën e “organizatave terroriste dhe ekstremiste”

Autoritetet në Rusi kanë ndërmarrë një hap tjetër për të kontrolluar përdorimin e rrjeteve sociale në vend. Agjencia e monitorimit financiar, Rosfinmonitoring, ka shtuar tani gjigantin amerikan, Meta – kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp – në listën e organizatave terroriste dhe ekstremiste.
Moska ka kufizuar aksesin në Facebook dhe Instagram, megjithëse shumë përdorues rusë ende i përdorin ato duke përdorur rrjete private virtuale (VPN), kërkesa për të cilat u rrit pasi disa shërbimet perëndimore të internetit u bllokuan në mars.