Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

15 Prill 2024

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Gjermani/ Më shumë lehtësi për ndryshimin e emrit dhe identitetit gjinor

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Parlamenti gjerman ka miratuar ligjin e ri, i cili lehtëson procedurat ligjore që lidhen me ndryshimin e identitetit gjinor dhe emrit. Ligji u mbështet nga koalicioni i qeverisjes së kancelarit Olaf Scholz, pavarësisht se ndezi debate.

Votat përfundimtare për kalimin e ligjit ishin 374 pro dhe 251 kundër. Legjislacioni i ri do të hyjë në fuqi më 1 nëntor dhe personat që aplikojnë për të bërë këto ndryshime, duhet të kenë miratimin e dy psikiatrëve.

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit/ Flet komandanti i lartë iranian

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Komandanti i lartë i Iranit, Mohammad Hossein Baqeri, ka folur për herë të parë pas sulmit që Irani bëri në Izrael, duke e sulmuar me dronë. Ai tha se sulmi ka mbaruar, pasi Irani i ka arritur synimet e tij.

“Në këtë operacion janë përdorur një numër i konsiderueshëm dronësh dhe raketash lundrimi dhe balistike, me taktika të mirëmenduara dhe planifikim të duhur, pasi as “Kupola e Hekurt” dhe as mburoja e mbrojtjes raketore të regjimit zionist nuk mund të ndërmarrin ndonjë veprim të rëndësishëm kundër këtij operacioni”, u shpreh gjeneralmajori, duke shtuar: “Qëllimet e operacionit janë përmbushur”.

Izraeli thotë se do t’i kundërpërgjigjet çdo shteti fqinj që lejon kalimin e raketave iraniane

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Pas sulmit hakmarrës së Iranit ndaj Izraelit, vende të ndryshme si Jordania, Libani e Iraku morën masat e tyre, duke mbyllur hapësira ajrore. Pas kësaj, ministria e Mbrojtjes në Izrael bëri deklarata të forta, ku u shpreh se cilido shtet që lejon kalimin e dronëve kamikazë do të marrë përgjigje prej Izraelit.

“Çdo vend që hap hapësirën ajrore apo territorin e tij për Iranin për të sulmuar Izraelin, do të marrë një përgjigje të fortë nga ne”, tha zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.

SHBA pretendoi se Irani do të përdorte Jemenin, Libanin e Irakun për të sulmuar Izraelin, në mënyrë që dronët kamikazë të mbërrinin më shpejt në territoret e tij. Megjithëse ekzistonte një rrezik dhe frikë që tre shtetet të bëheshin palë në këtë situatë të vështirë, duket se ato u tërhoqën dhe i rihapën aeroportet pas sulmeve.

Ukrainë/ Përkeqësohet situata në lindje të vendit

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Sulmet e shumta ruse në lindje të Ukrainës e kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në këto territore, sidomos gjatë ditëve të fundit. Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, u shpreh se rusët kanë armë superiore.

“Armiku është duke sulmuar vazhdimisht pozicionet tona në Liman dhe Bahmut, përmes sulmeve në grup, të mbështetura nga pajisje të armatosura. Në sektorin në Pokrovsk, ata po tentojnë të thyejnë mbrojtjen tonë, duke përdorur dhjetëra tanke dhe bartëse të armatosura të personelit”, tha ai, duke cekur edhe pjesën e intensifikimit të madh të ofensivës armike.