Celebrity Style

Selena Gomez u sigurua që të mos e harrojmë trendin #barbiecore

Shkruar nga Anabel

8 Prill 2024

Selena Gomez u sigurua që të mos e harrojmë trendin #barbiecore
FOTO: Monica Schipper/FilmMagic/Getty Images

Kur ka kaluar më shumë se një vit pasi tendenca “Barbie” preku çdo aspekt jetik të njerëzve, sidomos atë pjesën vanitoze të stilit, nga thonjtë, flokët e deri tek recetat e gatimit, “Barbiecore” është rikthyer sërish, falë Selena Gomez.

Si protagoniste e eventit të saj, për të promovuar produkte të reja në linjën kozmetike, Selena zgjodhi një fustan në tonet e rozës së butë, njëngjyrëshe dhe me motive lulesh në të.

Fustani me mëngë të gjata, jakë të vogël dhe kopsa në pjesën e përparme, i gjithi në tone rozë, e bënte artisten të dukej më elegante në tërësinë e look-ut të saj. Ndërsa, për të theksuar edhe më shumë trendin Barbiecore, Selena zgjodhi edhe këpucë me majë në të njëjtën ngjyrë, një pardesy të gjatë, të gjitha të kombinuara me unaza të mëdha argjendi dhe vathë me yje.

Selena Gomez u sigurua që të mos e harrojmë trendin #barbiecore
FOTO: CINDY ORD//GETTY IMAGES

Sa i përket bukurisë, ajo zgjodhi një grim të lehtë, mat, me buzë në ngjyrë rozë, ndërsa për flokët ajo preferoi një model voluminoz në pjesën e sipërme të kokës dhe baluket përpara fytyrës, duke dhënë efektin e vendosjes së një rrethi koke. Një model tipik vintage!

Në jo pak dalje të sajat publike së fundmi, Selena ka preferuar një stil kokete duke materializuar të gjitha detajet në look-un e saj, nga fustanet elegante prej sateni, geta të zeza të tejdukshme, funde me pala, dantella etj.

Artikuj të sugjeruar: 

 

Burimi: Harper’s Bazaar