Kinema & TV

Reshat Arbana i nënshtrohet një ndërhyrjeje të vështirë në zemër: Si është gjendja e tij?

Shkruar nga Anabel

31 Mars 2024

Reshat Arbana i nënshtrohet një ndërhyrjeje të
Aktori i njohur Reshat Arbana ka bërë një ndërhyrje të vështirë në zemër, pas problemeve shëndetësore. Lajmin e bëri me dije Albana Koçiu, ministrja e shëndetësisë.

Sipas saj, aktori iu nënshtrua operacionit në spitalin QSUT dhe shkoi me sukses, duke postuar video nga momenti i ndërhyrjes.

“Aktori i njohur dhe shumë i dashur për të gjithë, Reshat Arbana, iu nënshtrua një ndërhyrje të vështirë, por me sukses, falë profesionalizmit të mjekëve tanë. Ekipi mjekësor kreu ndërhyrjen përmes një terapie moderne të insuficiencës kardiake, duke vendosur tre sonda elektrike në zemër që realizon sinkronizimin e tkurrjes së muskulit të zemrës në tërësi dhe që përmirëson funksionin e zemrës dhe cilësinë e jetës”, u shpreh minsitrja në Facebook.

Më tej, vijoi:

“Ndërhyrja delikate u realizua nga ekipi i mjekëve kardiologë dhe infermierore të Spitalit Universitar Nënë Tereza, Dr. Shk. Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina dhe infermiere Antuela Shkëmbi dhe Xhoana Xhanaku”.

Reshat Arbana është ndër aktorët më të famshëm shqiptarë, i cili ka luajtur mjaft role në filmat shqiptarë, ku ndër më të spikaturit janë: “Fije që priten” (1976); “Gjeneral Gramafoni” (1978); “Liri a vdekje” (1979); “Nëntori i dytë” (1982); “Dora e ngrohtë (1983); “Hije që mbeten pas” (1985) etj.

Më 7 tetor 2011, ai u nderua me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “"Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare”.