Bota

Ky është aeroporti më i mirë në Europë

Shkruar nga Anabel

13 Mars 2024

Ky është aeroporti më i mirë në Europë

Për të shtatën vit radhazi, aeroporti “Leonardo da Vinci” në Fiumicino është zgjedhur si aeroporti më i mirë në Evropë. Kjo “fitore”, nuk i referohet vetëm miliona pasagjerëve që kalojnë në të, por edhe për gjithë mbarëvajtjen e procesit në raport me pasagjerët, hapësirat, pastërtinë, lehtësirat për kalimin e mallrave dhe njerëzve etj.

Sondazhi "Airport Service Quality (Asq) Award" u krye nga shoqata tregtare ndërkombëtare e aeroporteve në mbarë botën, në bashkëpunim me "Amadeus", një kompani në sektorin e teknologjive për këtë sektor.

Kjo kompani analizoi preferencat e 600 mijë pasagjerëve në mbi 400 aeroporte në mbarë botën, bazuar në mbi 30 tregues që lidhen me përvojën e aeroportit në nisje dhe mbërritje dhe, përveç çmimit "aeroporti më i mirë", ky trofe shpërbleu edhe përsosmërinë e Romës si qytet.

“Aeroporti më i mirë është dëshmi konkrete se ndryshimin e bëjnë njerëzit tanë, si edhe përkushtimi i përditshëm dhe pasioni që dallojnë të gjithë personelin e aeroportit. Ne i konsiderojmë këto momente vetëm si etapa të një rruge gjithnjë e më të virtytshme të zhvillimit të qëndrueshëm për Romën dhe për të gjithë Italinë,” u shpreh Marco Troncone, CEO i këtij aeroporti.

Aeroporti me stafin e përkushtuar, udhëtimi më komod në aeroportet e Europës, aeroporti më i këndshëm, më i pastër dhe disa detaje të tjera u morën në shqyrtim për këtë analizë. Deri më sot, vetëm nëntë aeroporte, në zonat e tyre përkatëse gjeografike, kanë arritur nivele të përsosmërisë në të gjitha seksionet e konsideruara nga çmimi ASQ. Por, këto janë aeroporte me trafik më pak se 15 milionë pasagjerë në vit, ndërsa “Leonardo da Vinci” i kalon mbi 40 milionë pasagjerë/vit.

Artikuj të sugjeruar: 

 

Burimi: RaiNews