Kinema & TV

Tjetër gjyq për regjisorin Roman Polanski: Akuzohet për përdhunimin e një vajze në vitin '73

Shkruar nga Anabel

13 Mars 2024

Tjetër gjyq për regjisorin Roman Polanski: Akuzohet për

Regjisori i njohur Roman Polanski do të përballet me një gjyq civil që do të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm, për pretendimet se ka përdhunuar një vajzë në vitin 1973. Avokatja Gloria Allred, e cila ka përfaqësuar viktimat e Jeffrey Epstein dhe Bill Cosby, konfirmoi në një konferencë se një gjykatës në Los Angeles ka caktuar gjyqin e regjisorit në gusht të vitit 2025.

Tjetër gjyq për regjisorin Roman Polanski: Akuzohet për

Polanski, 90 vjeç, prej dekadash e ka shmangur dënimin, pasi pranoi se ka përdhunuar Samantha Geimer, 13 vjeç, në vitin 1977. Ai u largua nga SHBA. Regjisori i filmave që kanë lënë gjurmë në kinema, si: “The Pianist” dhe “Romsemary’s Baby” prej vitesh është përballur me akuza të shumta nga gra të ndryshme, të cilat thonë se ai ka abuzuar seksualisht me to. Gjyqi i Los Angeles-it vjen në të njëjtën kohë, pasi ai është në një tjetër proces gjyqësor në Francë, për të njëjtën akuzë.

Në rastin e gjyqit në Los Angeles, ai akuzohet për përdhunim, dhunë seksuale dhe shqetësim të rëndë emocional të shkaktuar me qëllim në një incident që supozohet se ka ndodhur në vitin 1973. Gruaja, e cila për të ruajtur anonimitetin mban emrin Jane Doe, e akuzoi regjisorin se ai e kishte përdhunuar kur ajo ishte e mitur. Ajo e takoi në një festë dhe disa muaj më vonë, ai e ftoi për darkë. Dyshohet se regjisori e dinte se ajo ishte e mitur, por sërish, i dha alkool gjatë gjithë mbrëmjes dhe më pas, e çoi në shtëpinë e tij. Vajza u zgjua dhe pretendon se regjisori i tha se donte të bënte seks me të.

Tjetër gjyq për regjisorin Roman Polanski: Akuzohet për

Sipas avokates, ajo i tha atij: “Të lutem, mos e bëj këtë”, por Roman i injoroi lutjet e saj. Ajo pretendon se ai ia hoqi rrobat me zor dhe vazhdoi ta sulmonte seksualisht, duke i shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të jashtëzakonshme fizike dhe emocionale.

“Klientja jonë Jane Doe ka treguar guxim të jashtëzakonshëm në ngritjen e padisë së saj kundër një regjisori të famshëm, i cili më parë u deklarua fajtor për një krim seksual kundër një fëmije dhe më pas iku në Europë për t'i shpëtuar dënimit,” tha Allred, duke shtuar se sistemi i drejtësisë penale në Kaliforni nuk arriti t’i jepte një rezultat të denjë për dëmin e shkaktuar.

Doe, u paraqit për herë të parë në gjyq në vitin 2017, duke akuzuar regjisorin për përdhunim. Ajo ngriti një padi vitin e kaluar, pas ndryshimit të një ligji në Kaliforni që u jep viktimave të abuzimit seksual më shumë kohë për të ngritur padi kundër abuzuesve të tyre.

“Më mori shumë kohë për të vendosur të paraqes këtë padi kundër z. Polanski, por më në fund e mora këtë vendim dhe vendosa që dua ta bëj këtë për të marrë drejtësi dhe përgjegjësi,” tha Doe.

Për një periudhë 2-vjeçare, mes 2017-2019, katër gra kanë akuzuar Roman Polanski për abuzim seksual, ndërsa tre të tjera e kanë akuzuar në periudhën e viteve ’70. Mendohet se këto tre gra ishin të mitura asokohe. Një ndër to është artistja e famshme Marianne Barnard, e cila u shpreh se Polanski e sulmoi seksualisht kur ishte vetëm 10 vjeç.

Tjetër gjyq për regjisorin Roman Polanski: Akuzohet për
Marianne Barnard

Në 2010-ën, Charlotte Lewis, aktore angleze, e akuzoi regjisorin se ai e kishte sulmuar seksualisht kur ajo ishte 16 vjeç.

Tjetër gjyq për regjisorin Roman Polanski: Akuzohet për
Charlotte Lewis

Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në vitin 1983. Polanski i ka mohuar këto akuza, por është deklaruar si fajtor për përdhunimin e një vajze në vitin 1977.