Celebrity

Madonna zbulon fjalët e para që tha pas zgjimit nga koma

Shkruar nga Anabel

7 Mars 2024

Madonna zbulon fjalët e para që tha pas zgjimit nga koma
FOTO: KEVIN MAZUR/WIREIMAGE

Mbretëresha e popit është në turneun e saj botëror “The Celebretion”, por rikthimi në skenë pas problemit shëndetësor verën e kaluar duket se nuk e ka penguar që të jetë falënderuese ndaj shëndetit të mirë dhe faktit që Zoti i dha një tjetër mundësi që të rikthehej para fansave me muzikën e saj.

Gjatë performancës në Los Angeles, ajo ndaloi një moment dhe ndau një episod personal në lidhje me shëndetin para mijëra njerëzve të pranishëm aty. Duke iu referuar shtrimit në spital verën e kaluar, Madonna e konsideroi këtë etapë shumë afër vdekjes, teksa zbuloi fjalën e parë që tha pas qëndrimit katër ditor në koma.

"Jam shumë e sigurt që Zoti më tha: "A do të vish me mua? Do të dalësh, tani?", u shpreh këngëtarja, ndërsa përgjigjja e saj ishte: “Jo”! Kjo shkaktoi jo pak të qeshura në publik.

Madonna zbulon fjalët e para që tha pas zgjimit nga koma
FOTO: KEVIN MAZUR/WIREIMAGE

Më pas, ajo kujtoi një bisedë me menaxherin, Guy Oseary, ndërsa ishte në spital. Teksa ai e kishte pyetur se kur mund të rikthehej në turne...”Unë hoqa maskën e oksigjenit nga hunda, e pashë në sy dhe i thashë: “Brenda dy muajve,” shtoi artistja. “Ndonjëherë, gjërat thjesht duhet të thuhen dhe universi do bëjë që ato të ndodhin për ty,”, vazhdoi Madonna.

Këngëtarja zbuloi edhe të tjera momente nga fazat e saj të rikuperimit, ku telefonatat e përditshme me mjekun personal ishin pjesë e gjithë përpjekjes. "Unë telefonoja çdo ditë dhe pyesja mjekun tim pse nuk kisha energji, kur do të kthehej energjia ime? Kur do të ndihesha përsëri vetvetja?" tha ajo. Ndërsa, mjeku e këshillonte që të dilte sa më shumë në ambient të hapur, në diell dhe të qëndronte për orë të tëra në oborrin e shtëpisë për të shijuar natyrën dhe vitaminën D natyrale.

Madonna u tha fansave se kjo sprovë e frikshme me shëndetin e detyroi që të ngadalësonte ritmin në gjithçka bënte, qoftë në aspektin profesional, edhe në atë privat.

Në fund të fundit, tha artistja, ishin fëmijët, miqtë dhe njerëzit më të afërt ata që i dhanë forcë për t'u rikthyer në skenë. "Fëmijët e mi janë ata që me të vërtetë më ndihmuan t'ia dilja mbanë. Nuk doja t'i zhgënjeja, kështu që thjesht caktova një datë për t’u çuar në këmbë dhe kjo datë u bë realitet," përfundoi ajo.

Artikuj të sugjeruar: 



Burimi: People