Mendja

Rasti i Erjolës, historitë shqiptare & xhindet: Ja ç’mendojnë ekspertët

Shkruar nga Anabel

2 Shkurt 2024

Rasti i Erjolës, historitë shqiptare & xhindet: Ja

Erjola Doçi pati një shpërthim brenda shtëpisë së “BBVA 3”, ku pretendoi se shihte hije. Duke qarë dhe dukshëm e friksuar, Erjola iu drejtua Julian Dedës, duke i thënë: “Gjithmonë o Juli duhet të më ndodhë diçka. Edhe dje ia kam dhënë dorën Ervinit që të më këndonte një sure. Ma kanë nxirë jetën. Edhe natën shihja hije. Kush dreqin i bën këto gjëra ia kthen Zoti! Më ka ndodhur, nuk e di ti se çfarë kam kaluar unë, se nuk e kam ndarë me njerëz”, duke pretenduar se ka njerëz që i bëjnë magji të zezë.

Më pas, ajo vijoi duke thënë se e njëjta gjë ka vite që i ndodh. “Nuk fiksohem, ka vite ky muhabet. Edhe natën...Nuk fiksohem, se kam shkuar dhe jam parë në vend të mirë. Kam vuajtur unë nga ajo pjesë, çohesha me shenja në trup”.

Nisur nga ngjarja e Erjolës, por edhe nga një numër i lartë ndjekësish që ndanë rrëfimet e tyre të çuditshme me xhinde e fantazma (të cilat i gjeni në llogarinë e Anabel në Instagram), ne pyetëm ekspertët e fushës. Kontaktuam me disa psikologe, të cilat kanë ndarë mendimet e tyre rreth kësaj dukurie kaq të përhapur.

Psikologia klinike, Arjona Marra, u shpreh: “Ka shumë çrregullime emocionale që si simptomë të tyre kanë edhe psikozën. Psikoza, ndryshe nga neuroza, karakterizohet nga një vështirësi tejet e rënduar e të dalluarit realen nga imagjinata. Njerëzit mund të kalojnë episode të ndryshme psikotike, për shkaqe të larmishme”, duke shtuar se episodet psikotike shpeshherë janë edhe shoqëruesit kryesorë të çrregullimeve si depresioni psikotik ose skizofrenia.

“Shpeshherë të parit apo të dëgjuarit të gjërave joreale mund të lidhet me forma të caktuara të ankthit të rëndë. Duke marrë parsysh që ankthi në zanafillë ka frikën irracionale në gjëra që potencialisht mund të ndodhin, shumë njerëz në kushte të vështira emocionale mund të ndiejë se këto ngjarje kanë ndodhur dhe mund të ndodhin. Ky është një mekanizëm i rremë i sistemit tonë nervor, i papërgatitur për atë që po ndodh. Në shumicën e kohës, të parit gjëra joreale që njerëzit, nga mungesa e informacionit i quajnë “shpirtëra” apo “fantazma”, në fakt, janë halucinacione dëgjimore ose pamore që lidhen me kushtet e mësipërme”.

Ne komunikuam gjithashtu me psikologen klinike Erjona Berdica, e cila u shpreh:

“Mendoj se Erjola pati një sulm paniku, ose krizë ankthi. Megjithëse pa pasur informacion nga vetë Erjola, apo për ndjesitë e saj, nuk mund të jap një mendim të saktë, apo të faktoj diçka përmes videos, pasi nuk mund të bëhet totalisht tabloja klinike e gjendjes së saj. Mendoj se psikologu që e mbikëqyr shëndetin emocional dhe mendor të banorëve duhet të bëjë disa seanca për të kuptuar më shumë rreth situatës në të cilën ajo ndodhet”, duke theksuar se Erjola ka nevojë për ndihmë profesionale.

Psikologia Tea Brokaj, na shpjegoi se pse ky fenomen është kaq i zakonshëm në vendin tonë.

Ajo u shpreh se besëtytnitë janë një faktor i rrënjosur, i cili del në sipërfaqe përmes traumave të fëmijërisë dhe në njëfarë pike, hijet dhe aktivitetet paranormale konsiderohen edhe si reale.

“Mendoj se këtu në Shqipëri, besëtytnitë janë një faktor i rrënjosur dhe me kalimin e kohës dalin në sipërfaqe përmes traumave të fëmijërisë. Mitet shoqërore, mësimet fetare dhe folklori kontribuojnë në krijimin e një realiteti të përbashkët ku hijet dhe demonët mund të perceptohen si entitete reale. Që të vegjël, ne jemi rritur në mjedise toksike, ku historitë “e frikshme” dhe eksperiencat personale kanë qenë temë bisede në çdo tavolinë”.

“Natyra njerëzore është e prirur të përkushtohet dhe të besojë më tepër rreth frikës nga e panjohura, duke mos e kuptuar se në këtë mënyrë subkoshienca po manifeston ngjarje që nuk ekzistojnë, të ndrydhura në frikë dhe paranojë”, shtoi ajo.

“Duke gjykuar nga këndvështrimi im, mendoj se interpretimi i fantazmave, demonëve dhe figurave abstrakte, të mishëruara nga vetë besimet tona, formohen nga një ndërveprim i ndërlikuar i proceseve njohëse, besimeve personale dhe ndikimeve kulturore. Një ndër fenomenet më të përhapur përmes të cilit ndodh shpesh që njerëzit të mendojnë se shohin fenomene paranormale, është “pareidolia”, e cila tejçon sinjale alarmuese në sistemin nervor, duke e menduar dhe ndjerë situatën si të ishte reale”.

“Gjithashtu, kushtet psikologjike, si paraliza e gjumit dhe gjendjet e rënduara emocionale mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm, duke krijuar halucinacione të gjalla dhe ndonjëherë shqetësuese. Po këto kontekste kulturore, shpesh na kanalizojnë në shpjegimin e përvojave të panjohura, ose të frikshme, duke i shtyrë individët t’i atribuojnë ato në shkaqe të mbinatyrshme”, përmbylli ajo.

Shënim nga redaksia: Të shkosh te një psikolog mund të ketë ndikim të thellë në mirëqenien tuaj mendore dhe emocionale. Duke kërkuar ndihmë te një profesionist, ju mund të fitoni njohuri dhe të mësoni mekanizma efektivë që do t’ju ndihmojnë të përballeni me sfidat tuaja. Mos harroni, të kërkoni ndihmë është shenjë force.