Prej gati dy vitesh, këngëtarja e famshme po lufton me një çrregullim të rrallë neurologjik, që ndryshe njihet si “sindroma e personit të ngurtë”. Sëmundja e saj nuk është më një sekret dhe Celine Dion ka marrë vendimin që t’i flasë botës për këtë shqetësim, me dëshirën për t’i ardhur në ndihmë edhe shumë personave të tjerë që mund të vuajnë nga një i njëjti çrregullim.
Artistja thotë se do të bëjë një dokumentar të dedikuar për sëmundjen e saj të rrallë, ndërsa realizimin ia ka besuar Irene Taylor-it, e nominuar për Oscar.
View this post on Instagram
“Këto dy vitet e fundit kanë qenë një sfidë e tillë për mua, udhëtimi nga zbulimi i gjendjes sime tek të mësuarit se si të jetoj dhe ta menaxhoj atë, por jo ta lë atë të më përcaktojë. Ndërsa rruga drejt rifillimit të karrierës sime artistike vazhdon, e kam kuptuar se sa shumë më ka munguar, të kem mundësi të shoh fansat e mi. Gjatë kësaj mungese, vendosa të doja të dokumentoja këtë pjesë të jetës sime, të përpiqesha të ndërgjegjësoja këtë gjendje pak të njohur, të ndihmoja të tjerët që kanë këtë diagnozë,” shkruan Celine në postimin e saj në Instagram.
Këngëtarja e zbuloi diagnozën e saj në dhjetor të vitit 2022 dhe që atëherë, nuk ka dalë shumë në publik. Në fund të vitit të kaluar, ka qenë motra e Dion, Claudette që përditësoi admiruesit e artistes për gjendjen shëndetësore të kësaj të fundit.
Po çfarë është "Sindroma e personit të ngurtë" (SPS)?
SPS është një çrregullim i rrallë neurologjik me tipare të një sëmundjeje autoimune. Kjo sindromë ndodh 1 në 1 milion raste dhe bëhet fjalë për ngurtësim të muskujve. SPS karakterizohet nga ndjeshmëri e muskujve dhe lëvizje e pakontrolluar e tyre pas çdo stimuli, qoftë kjo zhurmë, prekje, stres etj. Sëmundja mund të shkojë deri aty sa që lëvizja apo e folura të bëhet e pamundur. Për diagnozën e Celine Dion nuk ka një kurë specifike, por vetëm trajtime që mund të ngadalësojnë zhvillimin e sëmundjes.
Artikuj të sugjeruar:
Burimi: Instyle