Në rrjetet sociale mund të kesh parë video të shumta që kanë pushtuar feed-in ose fyp-in tënd, në të cilat shihet Ilnisa që puthet dhe përqafohet me Meritonin. Dy konkurrentët e “BBVA 3” kanë krijuar një marrëdhënie të afërt dhe ndonëse nuk ka asgjë të çuditshme në raportin e dy personave, sërish komentet janë të shumta, denigruese dhe shumë njerëz japin opinionet që askush nuk ua kërkon.
View this post on Instagram
Mes komenteve të pafundme nëpër videot e publikuara nga llogaria e “BBVA 3” në Instagram, kemi shkëputur këto, që marrin mundimin, kohën dhe energjinë të gjykojnë jetën dhe zgjedhjet e dy njerëzve të rritur dhe të lirë.
Disa i përmendin moshën, disa të tjerë vajzën dhe ca komentues u ndalën te “rrëmbimi” i Ilnisës për Meritonin dhe pëlqimin ndaj tij.
Së pari, mosha është një stigmë që prej kohësh është thyer. Përderisa si Ilnisa dhe Meritoni, të dy të rritur e pëlqejnë njëri-tjetrit, pavarësisht kushteve, kamerave dhe vëmendjes mediatike, është totalisht ok që të vijojnë raportin e tyre, pa paragjykime dhe pa futur në mes çështjen e moshës, a thua se është krimi dhe shqetësimi më i madh i komentuesve.
Për më tepër, nuk mund të vijojë të jetë një argument i tillë vetëm sepse vajza në këtë lidhje është 8 vite më e madhe se djali. Për njerëzit me memorie afatshkurtër, në edicionin e dytë të “BBVA”, Luizi dhe Kiara gjithashtu kishin rreth 10 vite diferencë, por shumica prej njerëzve e adhuruan dhe romantizuan lidhjen e tyre. S’duam të jemi ne njerëzit që ju prishim rehatin dhe ju nxjerrim nga mendimet brenda kornizave, por pëlqimi nuk justifikohet me anë të gjinisë. Mos na keqkuptoni, jemi totalisht pro dashurisë Luiz-Kiara, siç jemi edhe pro raportit Ilnisa-Meriton! Thjesht nuk mund të kemi 2 standarde, bazuar në gjininë e konkurrentëve.
Le të flasim edhe për vajzën e Ilnisës. Ende nuk e kemi mësuar se fëmijët lihen jashtë dramave dhe ngjarjeve që ndodhin në reality shows? Ende do i përfshijmë familjarët e konkurrentëve, duke i dëmtuar psikologjikisht? Vajza e Ilnisës është një tjetër individ që nuk “i ulet koka” dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet e së ëmës, edhe pse kjo e fundit nuk po bën asgjë për të ardhur turp. Mendojmë se ne si popull mund të bëjmë dhe të logjikojmë më mirë.
Së fundmi, ç’të keqe ka të pëlqesh dhe ta shprehësh pëlqimin? Ta kesh qejf dikë është një nga gjërat më normale në këtë botë dhe nuk ka asnjë turp apo mëkat të pëlqesh, të puthesh e të përqafohesh me dikë. Ilnisa, fundja ka jetën dhe zgjedhjet e saj, Meritoni gjithashtu.
Shpresojmë që komentet nëpër video të jenë më të ngrohta dhe më pak paragjykuese, sepse jo vetëm që të gjykosh një grua se ka qejf dikë është një mendim i pavend, por edhe të kërcasësh gishtat, të marrësh pozicion dhe ta shkruash opinionin pa ta kërkuar askush dhe për ta ofenduar zgjedhjen e saj, është një veprim që mund ta kursesh.