Josef Fritzl është fotografuar për herë të parë pas 15 vitesh që vuan dënimin në një burg psikiatrik të sigurisë së lartë, duke u zhvendosur në një qeli normale. Historia e tij është tejet tronditëse, pasi 88-vjeçari ka burgosur dhe përdhunuar të bijën e tij.
Ai u etiketua si “përbindëshi i Amstetten”, qytetit ku jetonte, pas ngjarjes së rëndë që shokoi jo vetëm Austrinë, por gjithë botën, pasi në vitin 1984, mbylli në bodrum Elizabeth, të bijën 18-vjeçare. Ai e mbajti vajzën peng për 24 vjet dhe gjatë kësaj periudhe bëri 7 fëmijë me të, njëri prej të cilëve ndërroi jetë.
Fritzl e fshehu të bijën në bodrumin që i ngjasonte një bunkeri lufte, i zakonshëm për shtëpitë austriake dhe i tha së shoqes, familjarëve dhe miqve se e bija i ishte bashkuar një kulti dhe ishte larguar.
Sipas autoriteteve austriake, bashkëshortja, e cila jetonte në katin e dytë të banesës, nuk ishte në dijeni të asaj që ndodhte në bodrum. Vajza u zhduk në vitin 1984 dhe doli nga bodrumi në vitin 2008, ku dëshmoi torturat e tmerrshme të të atit.
E bija ia doli të lirohej nga bodrumi pasi u sëmur rëndë dhe ai u detyrua ta çonte në spital. E bija komunikoi me policinë dhe tregoi rastin.

Ai u arrestua në vitin 2009 dhe u dënua me burgim të përjetshëm me për kryerjen e incestit, përdhunimit, rrëmbimit, skllavërisë dhe vrasjes nga pakujdesia të një prej djemve të mitur.
Ekspertja e shëndetit mendor, Heidi Kastner, e cilësoi Josef si një person jashtëzakonisht anormal në aspektin psikologjik dhe të paaftë të ketë ndjesi. Ajo tha se ai vuante nga çmenduria.
Për shkak të moshës së thyer, u kërkua që Josef Fritzl, 88 vjeç të ndjekë vetëm seanca psiko-terapie me intervale të rregullta dhe t’u nënshtrohet vlerësimeve psikiatrike për 10 vite, njoftoi Austria Press Agency.
Kërkesa për lirimin e tij u refuzua, por sërish ai do të zhvendoset në një burg të rregullt, pasi sipas vlerësimeve psikologjike, nuk përbën më asnjë rrezik.

Edhe më parë, skuadra ligjore e Fritzl kishte kërkuar që të zhvendosej në një burg të rregullt, por kërkesa e paraqitur në vitin 2022 ishte refuzuar.
“Gjykata ka arritur në përfundimin se në të vërtetë, ai nuk është më i rrezikshëm”, tha avokatja i tij, Astrid Wagner, e cila ka treguar se Josef u përlot nga vendimi i gjykatës dhe se i vjen jashtëzakonisht keq për dëmin që bëri dhe do të donte ta zhbënte veprën e tij.
Vendimi ende nuk është konfirmuar dhe Josef mund të zhvendoset edhe në një shtëpi kujdesi, për shkak se vuan nga demenca.
Avokatja e ka vizituar plot 40 herë Fritzl që prej vitit 2022 dhe ka shkruar një libër për historinë e tij. “The Abysses of Josef F.” bazohet në gjykimin se ai duhet të lihet i lirë, në një shtëpi kujdesi, pasi nuk posedon dëshira seksuale”.
Në një intervistë për median gjermane “Bild”, Astrid është shprehur se Josef e kalon ditën duke parë televizor dhe duke parë diellin nga hekurat e dritares.