Betejat e brendshme janë pjesë e jetës së çdo njeriu, ka apo jo probleme të shëndetit mendor. Në një pikë secili nga ne lufton me pikëllimin, inatin, pendesën, realitete me të cilat nuk bie dakord. Fundja, kjo është jeta. Megjithatë ka njerëz që jetojnë me probleme të shëndetit mendor dhe betejat e tyre bëhen shumë sfiduese. Duhet forcë për t’i luftuar dhe për të ecur përtej tyre.
5 prej betejave të heshtura janë më të shpeshta dhe të zakonshme, ndaj do të bëjnë të kuptosh se nuk je vetëm, në të njëjtën kohë të ndërgjegjësojnë njerëzit që kanë pranë njerëz të cilët vuajnë nga probleme të shëndetin mendor.
Të jetosh duke tejkaluar frikë e fortë dhe të vazhdueshme
Shumë individë vuajë nga ankthi dhe krizat e panikut. Shpesh, gjendjet e tilla, të krijuara nga frika krijojnë barriera të padukshme, të cilat krijojnë probleme në zbatimin e rutinës së përditshme. Për shembull, disa nga këta individë e kanë të vështirë të dalin nga shtëpia në mëngjes sepse kanë probleme me socializimin jashtë dyerve. Me ndihmën e terapisë mund të tejkalohen frikërat pak nga pak deri në pikën kur jeta i kthehet normalitetit.
Të gjesh rrugëdalje nga fiksimet
Gjendje psikologjike që kanë element kryesor ‘overthinking’ dhe sjelljet fiksuese (OCD) e bëjnë një person që të futet në një gjendje të pakontrollueshme ankthi. Shembull për të mbështetur këtë ide është frika e disa personave se mund të kenë shtypur dikë me makinë gjatë një udhëtimi rutinë. Aq e theksuar mund të jetë kjo frikë, saqë individi me OCD mund të kthehet pas në vendin ku mendoi se shtypi dikë ose të kontrollojë makinën për gërvishtje. Për këtë problematikë ka terapi specifike që aplikohen.
Të dëgjuarit zëra
Dëgjimi i zërave është simptomë e zakonshme e disa sëmundjeve mendore ku përfshihet edhe skizofrenia. Ndërsa në raste si depresioni, mendimet negative dëgjohen si zë i lartë në kokë.
Zakonisht dëgjimi i zërave kthehet në problematikë pasi ndikimi i tyre mund të jetë udhëzues në marrjen e vendimeve negative që shkaktojnë dëme rreth personit që vuan. Një pjesë e tyre kanë nevojë për mjekime për të ulur nivelin e ndikimit nga zërat, ndërsa të tjerë vetëm për terapi të vazhdueshme. Thelbi i zgjidhjes për këtë problematikë fshihet në dashurinë dhe mirësinë ndaj vetes, proces ky që kërkon shumë forcë dhe përkushtim.
Mosbesimi në ndodhi të mira dhe pozitive
Bipolariteti është një tjetër problem që i bën njerëzit të kenë lëvizje humori nga ekstremi në ekstrem në një kohë shumë të shkurtër. Nga lumturia e fortë në depresion, këta individë kanë tendencën të mos i shohin dhe besojnë ndodhitë dhe momentet e lumturisë pasi i lidhin menjëherë me diçka negative që do vijë si pasojë. Shumica e tyre nuk e lejojnë veten të ndiejnë emocione pozitive dhe i largojnë ato, ndaj terapia që do i ndihmonte është rizbulimi dhe eksplorimi i ndjesive të lumturisë dhe lëvizjeve të shëndetshme të humorit.
Dëshira për të jetuar
Tragjikisht, vetëvrasja është një rrezik prezent për shumicën e individëve që jetojnë me probleme të shëndetit mendor. Për dikë që lufton vazhdimisht me mendimet e vetëvrasjes, lufta e përditshme është të jetojë dhe të mbrojë jetën e tij. Të kërkuarit ndihmë dhe mbështetje është zgjidhja ndaj problematikave të tilla që rrezikojnë jetën. Gjithmonë ka dritë edhe kur errësira i ka mbuluar të gjitha.