I vëllai i Doja Cat ka mohuar akuzat se ka dhunuar fizikisht nënën dhe repern e famshme. Raman Dalithando Dlamini, 30 vjeç, është filmuar ndërsa ndërvepronte me paparacët.
Një prej tyre e pyeti për padinë e firmosur nga e ëma, ndërsa Raman u shpreh se jo vetëm që nuk është në dijeni të padisë, por as nuk e ka idenë se kush është reperja (motra e tij).
Ai u shpreh se nuk ka një padi kundrejt tij dhe shtoi se nuk ka “një histori për të treguar”.
Në dokumentet e siguruara nga Page Six, më 12 janar u firmos një padi nga e ëma e Doja dhe Raman, Deborah Elizabeth Sawyer, e cila akuzonte të birin se kishte dhunuar Doja-n duke i thyer dhëmbët dhe vetë atë.
“Raman e ka dhunuar verbalisht në një shkallë degraduese”, thuhet në padi, duke shtuar se fituesja e çmimit Grammy ndihet e pasigurt dhe e traumatizuar.
E ëma e Doja u shpreh gjithashtu se djali ka vjedhur dhe dëmtuar disa nga sendet personale të së bijës. Ajo tha se Raman e ka abuzuar fizikisht për vite me radhë dhe kohët e fundit e ka kërcënuar se do e vrasë, duke shtuar se i biri është bërë shumë i dhunshëm në janar të këtij viti.
Sawyer deklaroi gjithashtu se ka marrë urdhër mbrojtjeje ndaj të birit që në vitin 2017, por afati i urdhrit ka mbaruar. Ndërkohë, Doja duhet ta firmosë vetë padinë, në mënyrë që të marrë mbrojtje kundrejt të vëllait.